...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

BE intesifikon politikat proteksioniste: synon të frenojë blerjen e firmave strategjike evropiane nga investitorët kinezë

Bashkimi Evropian po fillon përpjekjet për të ndalur blerjen e kompanive strategjike evropiane nga korporatat e huaja të subvencionuara, veçanërisht ato nga Kina.

Voa

26/06/2020 - 19:32

Komisioni Evropian ka ndërmarrë një hap të parë duke miratuar një list propozimesh për trajtimin e zhvatjeve që kompanitë e huaja të subvencionuara po bëjnë në Evropë. 

Udhëheqësit evropianë janë të shqetësuar se kompanitë evropiane në vështirësi financiare mund të blihen me çmime të volitshme nga investitorët kinezë që janë në kërkim të shfrytëzimit të pasojave ekonomike të shkaktuara nga koronavirusi. Bashkimi Evropian dëshiron të marrë autorizimin për të vendosur kushte për investitorët e subvencionuar jashtë Evropës ose të bllokojë totalisht marrëveshjet.

"Tregu i përbashkët është çelësi për begatinë evropiane, por ai funksionon vetëm nëse ekziston një fushë e barabartë konkurrence. Për komisionin, është përparësi mbrojta e këtij parimi nga dëmet që mund t’i shkaktohen nga kompanitë e huaja të subvencionuara", tha Margrethe Vestager, Komisionere e BE-së për Epokën Dixhitale.

Kompanitë kineze tashmë kanë një prani të madhe në Evropë, pasi kanë investuar më shumë se 180 miliardë dollarë në 20 vitet e fundit. Organizata Ndërkombëtare e Prodhuesve të Automjeteve rendit Kinën si prodhuesin më të madh të makinave në botë, duke tejkaluar nivelin e prodhimit nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia së bashku. Prodhuesit kinezë të makinave po përpiqen të investojnë më shumë në Evropë.

"Për shembull, ata duan ta blejnë kompanitë Volvo dhe Mercedes Benz. Ata nuk janë të interesuar vetëm në aspektin e prodhimit të plotë të makinave, por edhe qasjen në asetet strategjike të kompanive", tha analistja Yuan Ji Zheng nga Universiteti i Barcelonës.

Këto pasuri përfshijnë kompani si URBASER të Spanjës, e cila u ble nga Firion Investments, një korporatë e kontrolluar nga një grup kinez që ka kontrata publike në menaxhimin e mbeturinave. Bashkimi Evropian ka filluar të shqyrtojë mënyra për të trajtuar efektet e subvencioneve të huaja.

"Kjo do të frenonte investimet kineze, pasi shumica e tyre që investojnë jashtë Kinës e bëjnë këtë me pjesëmarrjen e qeverisë kineze ose ato janë korporata tërësisht shtetërore", tha analisti Antonio Liu Yang.

Detyra kryesore e Bashkimit Evropian në këtë moment është krijimi i mjeteve të duhura për të parandaluar korporatat e subvencionuara nga jashtë që të kenë avantazhe të padrejta në tregun evropian dhe të parandalojnë zhvatjet në këtë kohë pandemie.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA