...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

BE-ja shpërfill kërcënimin rus me luftë të ftohtë: vendos sanksione ndaj Rusisë, Mianmarit dhe Venezuelës

Moska është e gatshme të ndërpresë lidhjet me Bashkimin Evropian nëse blloku prej 27 vendesh anëtare vendos sanksione të ashpra ekonomike ndaj Rusisë.

Voa

13/02/2021 - 07:11

Rusia thotë se duhet të jetë e gatshme të përgjigjet nëse Bashkimi Evropian vendos sanksione të ashpra mbi të për arrestimin dhe burgosjen e kritikut të Kremlinit Alexei Navalny.

Duke folur para gazetarëve të premten, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Moska duhet të jetë e përgatitur të zëvendësojë çdo pjesë të infrastrukturës së saj të rëndësishme me elementët e nevojshëm për t'iu kundërvënë vështirësive me të cilat Rusia do të përballet nëse ndaj saj vendosen sanksione.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha në një intervistë për kanalin Soloviev Live në YouTube më herët të premten se Moska është e gatshme të ndërpresë lidhjet me Bashkimin Evropian nëse blloku prej 27 vendesh anëtare vendos sanksione të ashpra ekonomike ndaj Rusisë.

Zoti Lavrov tha se vendi i tij do të kundërpërgjigjej nëse "përsëri shohim sanksione të imponuara në disa sektorë që krijojnë rreziqe për ekonominë tonë, përfshirë në sferat më të ndjeshme", duke shtuar se rusët "nuk duan të izolohen nga jeta globale, por duhet të jenë të gatshëm për këtë. Nëse doni paqe, atëherë përgatituni për luftë", tha zoti Lavrov.

Sanksionet e mundshme do të jenë ndalimet e udhëtimit dhe ngrirja e pasurive të bashkëpunëtorëve të Presidentit Vladimir Putin, që mund të vendosen qysh këtë muaj pasi Franca dhe Gjermania treguan se ishin të gatshme për masa ndaj Rusisë.

Presioni për sanksione është intensifikuar pasi Moska dëboi diplomatët gjermanë, polakë dhe suedezë javën e kaluar pa informuar shefin e politikës së jashtme të BE, Josep Borrell, i cili ishte në Moskë për një vizitë.

Navalni, 44 vjeç, doli përsëri përpara gjykatës të premten për shkak të pretendimeve se ka bërë një deklaratë nënçmuese për një veteran të Luftës së Dytë Botërore vitin e kaluar.

Seanca vjen pasi gjykata urdhëroi Navalnin muajin e kaluar të vuante 2 vjet e gjysmë burg nën pretekstin e shkeljes së një dënimi me kusht ndërsa po shërohej në Gjermani nga një sulm në Rusi me agjent helmues. Ndërkohë, ka njoftime të pakonfirmuara se bashkëshortja e Navalnit, Yulia, është larguar nga Rusia për në Gjermani.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax dhe e përditshmja gjermane Der Spiegel njoftuan për largimin e saj, duke cituar burime të paidentifikuara. Duke folur për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS, avokatët e Navalnit nuk mund të konfirmonin largimin e saj dhe thanë se nuk kishin asnjë informacion në lidhje me të.   

Por BE-ja vendos sanksione pas më shumë se dhjetë ditëve

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian ranë dakord të vendosin sanksione ndaj katër zyrtarëve të lartë rusë si përgjigje ndaj burgosjes së kritikut të Kremlinit Aleksei Navalni. Lajmi u bë i ditur nga dy diplomatë të BE-së.

Gjatë takimit nuk u diskutua mbi asnjë emër, por diplomatët thanë se në shënjestër të sanksioneve do të jenë kreu i Komitetit Hetimor rus, i cili merret me hetime për krime të rënda, drejtori i burgjeve, drejtori i Gardës Kombëtare ruse dhe prokurori i përgjithshëm, të cilët pritet të ndëshkohen me ndalim udhëtimi dhe ngrirje pasurish.

Pavarësisht thirrjes drejtuar BE-së nga ndihmësit më të afërt të zotit Navalni për të vendosur sanksione ndaj anëtarëve të elitës së biznesit rus me lidhje të afërta me Presidentin Putin, qeveritë e BE-së kanë argumentuar në favor të shënjestrimit të zyrtarëve të lartë, pasi sipas tyre sanksione të tilla mund t'i rezistojnë më mirë sfidave ligjore.

"Ne e kemi bërë të qartë që prej arrestimit të udhëheqësit rus të opozitës Aleksei Navalnit se nuk jemi të gatshëm të pranojmë këtë shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe kemi vendosur sanksione”, tha para takimit ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

Po sot Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian vendosën të përgatisin një seri sanksionesh kundër përgjegjësve për grushtin ushtarak të shtetit që ndodhi më 1 shkurt në Mianmar.

Në një deklaratë të tyre thuhej se "Bashkimi Evropian bën thirrje për dhënien fund të krizës aktuale përmes heqjes së menjëhershme të gjendjes së jashtëzakonshme, rivendosjes së qeverisë civile legjitime si dhe fillimit të veprimtarisë së parlamentit të sapo zgjedhur".

"Ne në fakt nuk mund të vazhdojmë ta ndjekim situatën duarkryq. Kjo është arsyeja pse ne do të përdorim të gjitha kanalet diplomatike që janë ende në dispozicion për të punuar drejt uljes se tensioneve në Mianmar, por në të njëjtën kohë do të përgatitemi që mund të mos kemi sukses dhe si një mundësi të fundit të rezervojë të drejtën për të përdorur sanksione kundër regjimit ushtarak në Mianmarit", tha përpara takimin ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas.

Ministrat e Jashtëm vendosën gjithashtu sanksione ndaj 19 zyrtarëve nga Venezuela të cilët i akuzojnë për “minim të demokracisë’, duke e çuar në 55 totalin e zyrtarëve nën shënjestër të saksioneve. Më vonë gjatë ditës së sotme takimit pritet t’i bashkohet virtualisht edhe Sekretari i amerikan i Shtetit Antony Blinken për të diskutuar shtypjen që autoritetet ruse po i bëjnë protestave të mbështetësve të zotit Navalni, grushtin e shtetit në Mianmar, marrëveshjen bërthamore me Iranin si dhe situatën në Hong Kong.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA