...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Bisedimet mes dy superfuqive mbaruan pa rezultate ndërsa Kina akuzoi Amerikën për imperializëm

Në përgjigje të gjatë ndaj deklaratave të hapjes nga Shtetet e Bashkuara, Yang u kundërpërgjigj, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara për përdorimin e fuqisë së tyre ushtarake dhe epërsinë financiare për të bërë presion ndaj vendeve dhe për abuzim të sigurisë kombëtare për të kërcënuar të ardhmen e tregtisë ndërkombëtare

Voa

18/03/2021 - 19:58

Pas bisedimeve dy ditore në Alaskë, pala amerikane tha se ato ishin të “ashpra” pas një fillimi me qortime të ndërsjella ndërsa pala kineze shtoi se ato ishin të “sinqerta” dhe dobiprurëse lidhur me çështje si Irani dhe Koreja Veriore. Pasi Blinken i tha palës kineze se SHBA-ja do të kritikonte politikat e Kinës kundrejt Honkogut, Shinxhangut dhe Tajvanit, pala kineze kundërkritikoi me një fjalim prej 18 minutash ku akuzoi SHBA-në se është një fuqi imperialiste duke shtuar se ajo ka një mendësi të “luftës së ftohtë” që po përpiqet të “nxisë” vendet të sulmojnë Kinën. Ajo madje iu kudërpërgjigj kritikave mbi të drejtat njerëzore duke cituar përçarjet raciale në Amerikë. Në përgjigje të pretendimeve se Kina ka përdorur kibersulme mbi SHBA-në, ajo tha se Amerika ishte “një kampione në këtë drejtim”. SHJ

Bisedime të tensionuara mes Kinës dhe SHBA-së: Pekini më i vendsour se kurrë për...

Administrata e Presidentit Biden filloi të enjten bisedimet e para të nivelit të lartë në prani fizike me Kinën rivale, duke thënë se veprimet kineze kërcënojnë rendin global të bazuar në rregulla dhe duke u zotuar se Uashingtoni do të mbështesë miqtë e tij.

"Ne nuk kërkojmë konflikt, por ne e mirëpresim konkurrencën e fortë dhe ne gjithmonë do të mbrojmë parimet tona, për njerëzit tanë dhe për miqtë tanë", tha këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, në fillim të bisedimeve me homologët e tij kinezë në Alaskë.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken i tha diplomatit të lartë të Kinës, Yang Jiechi dhe Këshilltarit të Shtetit Wang Yi në Ankorixh se pala amerikane do të diskutonte "shqetësimet e saj të thella" në lidhje me veprimet kineze në Xinjiang, Hong Kong dhe Tajvan, si dhe sulmet kibernetike ndaj Shtetet e Bashkuara dhe presionin ekonomik ndaj aleatëve.

"Secila prej këtyre veprimeve kërcënon rendin e bazuar në rregulla që ruan stabilitetin global," tha ai.

Në përgjigje të gjatë ndaj deklaratave të hapjes nga Shtetet e Bashkuara, Yang u kundërpërgjigj, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara për përdorimin e fuqisë së tyre ushtarake dhe epërsinë financiare për të bërë presion ndaj vendeve dhe për abuzim të sigurisë kombëtare për të kërcënuar të ardhmen e tregtisë ndërkombëtare.

Ai tha se Xinjiangu, Hong Kongu dhe Tajvani ishin të gjitha pjesë të pandashme të territorit kinez dhe Kina kundërshton me vendosmëri ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në punët e saj të brendshme.

Zoti Yang tha se të drejtat e njeriut në Shtetet e Bashkuara ishin në një pikë të ulët me "therjen" e afrikano-amerikanëve dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara duhet të merren me punët e tyre dhe Kina me të vetat.

Zyrtari Yang tha se ishte e nevojshme të braktisej "mentaliteti i Luftës së Ftohtë" dhe konfrontimi.

"Mënyra se si ne e shohim marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara, siç ka thënë Presidenti Xi Jinping, është se ne shpresojmë të mos shohim asnjë konfrontim, asnjë konflikt, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara nga i cili të dyja vendet përfitojnë", shtoi zoti Yang.

Pas komenteve të zotit Yang, Sekretari i Shtetit Blinken mbajti gazetarët në dhomë për t'iu përgjigjur fjalimit të gjatë të delegacionit kinez.

Zakonisht fjalimet hapëse të nivelit të lartë zgjasin disa minuta dhe aty janë të pranishëm edhe gazetarët. Por ky shkëmbim mes dy delegacioneve zgjati më shumë se një orë dhe në disa raste ata diskutuan se kur do të nxirreshin gazetarët jashtë dhomës së takimit.

Pas shkëmbimit, një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se Kina kishte "shkelur" menjëherë protokollin për të cilin ishte rënë dakord, sipas të cilit palët kishin dy minuta kohë për fjalimet hapëse.

Një ditë më parë

Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të përballen me një provë të re në marrëdhëniet e tyre gjithnjë e më të trazuara kur zyrtarët e lartë nga të dy vendet të takohen në Alaskë.

Lidhjet mes dy ekonomive më të mëdha në botë janë dëmtuar në vite ndërsa administrata Biden ende nuk ka sinjalizuar nëse është e gatshme të ndryshojë qëndrimin e vijës së ashpër të ndërmarrë nga administrata e ish-presidentit Donald Trump. As Kina nuk ka sinjalizuar nëse është e gatshme të lehtësojë presionin që ka sjellë në këto marrëdhënie. Në këto kushte, takimi i parë i drejtpërdrejtë i së enjtes pritet të jetë i debatueshëm.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan do të takojnë në Anchorage të Alaskës dy diplomatët kryesorë të Kinës, Këshilltarin e Shtetit Wang Yi dhe shefin e punëve të jashtme të Partisë Komuniste Kineze Yang Jiechi. Në takim parashikohen diskutime të vështira rreth tregtisë, të drejtave të njeriut në Tibet, Hong Kong, rajonin perëndimor Xinjiang të Kinës, Tajvanin, agresionin e Kinës në Detin e Kinës Jugore dhe pandeminë e koronavirusit.

Nga takimi nuk pritet të arrihet asnjë marrëveshje.

"Ky vërtetë është vetëm një takim," tha një zyrtar i lartë i administratës. "Ky nuk është rifillimi i një mekanizmi të veçantë dialogu apo fillimi i një procesi dialogu", u tha zyrtari gazetarëve përpara takimit në kushte anonimiteti.

Sekretari Blinken do të marrë pjesë në takim ndërsa sapo është kthyer nga Japonia dhe Koreja e Jugut, ku ai dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin riafirmuan angazhimin e administratës Biden për aleatët e Shteteve të Bashkuara në Azi.

Vetëm një ditë para takimit, Blinken njoftoi sanksione të reja ndaj zyrtarëve kinezë që kanë patur gisht në shtypjen e mbështetësve pro-demokracisë në Hong Kong. Si përgjigje, Kina shtoi retorikën e saj duke kundërshtuar atë që ajo e quan ndërhyrje amerikane në punët e brendshme.

Kina, ashtu siç pritej, hodhi poshtë kritikat e Shteteve të Bashkuara ndaj masës për t'i dhënë një komiteti pro-Pekinit pushtet për të caktuar më shumë ligjvënës në Hong Kong, gjë që zvogëlon përqindjen e atyre që zgjidhen drejtpërdrejt nga populli dhe siguron që vetëm ata që janë vërtetë besnikë ndaj Pekinit lejohen të kandidojnë për poste drejtuese - duke përjashtuar në mënyrë efektive figurat e opozitës nga procesi politik.

Vendosja e sanksioneve "ekspozon plotësisht qëllimin keqdashës të palës amerikane për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës, shkakton tronditje në Hong Kong dhe pengon stabilitetin dhe zhvillimin e Kinës", u tha gazetarëve zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian të mërkurën.

Shtëpia e Bardhë ka pritshmëri të ulëta për takimin e zotit Blinken dhe zotit Sullivan, që zyrtarët thonë se do të jetë një mundësi fillestare për të adresuar mosmarrëveshjet e ashpra.

Zyrtari i lartë i administratës i cilësoi bisedimet si një shans për të dy palët për të "vlerësuar" marrëdhënien mes tyre. Zyrtari tha se të dyja palët nuk do të jepnin një deklaratë të përbashkët pas takimit dhe se nga bisedimet nuk pritet të dalë ndonjë njoftim i rëndësishëm.

Në komentet e tij për mediat kineze të mërkurën, Ambasadori i Kinës në SHBA minimizoi gjithashtu pritshmëritë për takimin e Alaskës, ndërsa shfaqi shpresat se takimi do të hapte rrugën për një komunikim më të mirë.

Sekretari Blinken, në Japoni përpara se të nisej për në Korenë e Jugut dhe më pas në Alaska tha se Shtetet e Bashkuara "do të përgjigjen në se është e nevojshme kur Kina të përdorë forcën apo agresionin për të realizuar synimet e saj”

"Marrëdhënia me Kinën është një marrëdhënie shumë komplekse," tha ai. "Ajo ka aspekte konfliktuale; ka aspekte konkurruese; ka aspekte bashkëpunimi. Por emëruesi i përbashkët në trajtimin e secilës prej këtyre aspekteve është të sigurohemi që po i afrohemi Kinës nga një pozicion i forcës dhe se forca fillon me aleancën tonë, me solidaritetin tonë, sepse është me të vërtetë një pasuri unike që ne e kemi dhe Kina nuk e ka", tha sekretari Blinken.

Kinezët nuk po tërhiqen.

Të mërkurën në Kombet e Bashkuara, ata kritikuan Shtetet e Bashkuara për gjendjen e të drejtave të njeriut, duke përmendur ato që ata i quajtën dështime të SHBA-ve në luftën kundër COVID-19 që solli humbjen e "qindra mijëra jetëve", si dhe diskriminimin racor, brutalitetin policor dhe një "të kaluar të keqe të gjenocidit".

Jiang Duan, këshilltar në misionin kinez në Gjenevë, shprehu kritikat në fund të një vlerësimi të të dhënave për të drejtat e njeriut të SHBA-ve në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në OKB.

Administrata Biden ka zhvilluar një seri bisedimesh me aleatët e Paqësorit, përfshirë samitin virtual të presidentit Biden me udhëheqësit e Katërshes - Australinë, Indinë, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara - përpara se të përfshihej në bisedime të nivelit të lartë me Kinën.

Trump ishte krenuar me atë që e shihte si një marrëdhënie të fortë me Xi Jinping-un. Por marrëdhënia u përkeqësua pasi pandemia e koronavirusit u përhap nga provinca Wuhan anembanë globit dhe solli një katastrofë shëndetësore publike dhe ekonomike.

Përveç përgjigjes ndaj agresivitetit të Kinës në Indo-Paqësor dhe çështjes për të drejtat e njeriut, Presidenti Biden përballet me çështje të tjera delikate në marrëdhënien me Kinën.

Por deri tani, ai ka refuzuar të heqë tarifat prej qindra miliarda dollarësh të vendosura nga ish presidenti Trump kundër Kinës ose të heqë ndalimet për aplikacionet kineze të teknologjisë.

Sidoqoftë, presidenti Biden po kërkon bashkëpunimin e Kinës për t’i bërë presion Kim Jong Un-it të Koresë së Veriut lidhur me programin bërthamor të vendit të tij.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA