...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Efekti katastrofik në shëndetin e njeriut: obesideti dhe kanceri kryesojnë epideminë e heshtur

Mungesa e demokracisë politike dhe mos-orientimi i vendit drejt një regjimi demokratik dhe shkencor - ka çuar vendin të infektohet me shpejtësi të madhe nga sëmundje që karakterizojnë të gjithë vendet e des-integruar nga natyra dhe urtësia

Ylli Përmeti

14/08/2020 - 17:08

Mungesa e demokracisë politike dhe mos-orientimi i vendit drejt një regjimi demokratik dhe shkencor - ka çuar vendin të infektohet me shpejtësi të madhe nga sëmundje që karakterizojnë të gjithë vendet e des-integruar nga natyra dhe urtësia: obeziteti, i cili konsiderohet një nga epidemitë më të rrezikshme të botës “moderne”, shkakton infarkte kardiake dhe pasoja të tjera shëndetësore. Sipas OBSH-së,  meshkujt janë infektuar më shumë se 21.7% dhe femrat 20.5%, një shkallë e cila është duke ecur drejt majës së dhjetëshes globale. Britania ka një shkallë pak më të lartë obeziteti. Sipas një raporti të fundit, një çerek e grave (24%) dhe rreth një e pesta e burrave (22%) janë klasifikuar si obezë, duke i dhënë Britanisë shkallën më të lartë në obezitet në Europë.

Në Britani, një në tre fëmijë është mbipeshë ose obez që në moshën nëntë vjeçare.  Si rezultat, deri në vitin 2025 bota perëndimore do të ketë mbi 1 miliard njerëz obezë.  Dy vjet më vonë, OBSH-ja tregoi rritjen e obesitetit përgjatë dyzetë viteve të fundit mes fëmijëve dhe adoleshentëve: ajo është rritur dhjetë herë. Si rezultat, bota do të ketë më shumë fëmijë obezë sesa fëmijë nënpeshë në vitin 2022.  Për ta zgjidhur këtë problematikë OBSH-ja këshillon vendet të synojnë reduktimin e konsumit të ushqimeve të lirë, të tej-përpunuar me kalori të lartë dhe ushqueshmëri të varfër, të shpenzojnë më pak kohë në ekran dhe veprimtari sedentare duke nxitur veprimtari fizike përmes krijimtarive aktive dhe sportive.

Sidoqoftë, obeziteti ka shkaktuar një epidemi tjetër: epideminë e ‘heshtur’ të steatohapititisit. Për këtë epidemi farmaceutikët e mëdhenj bastuan miliarda dollarë. Ndërsa rastet e sëmundjes së mëlçisë rriten për shkak të epidemisë së obizitetit, prodhuesit e ilaçeve ose drogave, shijojnë një treg vjetor prej 35 miliard dollarësh. Si rezultat, prodhuesit e mëdhenj duke përfshirë Allergan, Gilead dhe Novartis, kanë shpenzuar miliarda dollarë për të fituar ose lejuar ilaçe për të luftuar një sëmundje të mëlçisë për të cilën pak njerëz kanë dëgjuar: steatohepatitis (mëlçia dhjamore) jo-alkoolike, ose Nash-i. ‘Steatohepatitis’ si fjalë buron nga fjala greke, ‘stear’, e cila nënkupton dhjamin e ngurtë që gjendet në trupin e njeriut. Ndërsa ‘hepatitis’, mëlçinë. 

Forma e përparuar e sëmundjes së mëlçisë së dhjamosur shkakton dregëzim (“scarring”) dhe pezmatim të mëlçisë dhe mendohet se prek më shumë se 16 milion njerëz në SHBA. Në shumicën e rasteve sëmundja shkakton cirrozë/hepatocirrozë, ndërsa rrit mundësitë e zhvillimit të kancerit të mëlçisë ose sëmundjet kardiake. Atje ndodhin rreth 20,000 vdekje çdo vit nga sëmundja kronike e mëlçisë ose cirroza që nuk lidhen me alkoolizmin. Prodhuesit e ilaçeve bastojnë se numri i njerëzve me Nash —e cila është më e zakonshme tek njerëzit mbipeshë— do të rritet dramatikisht në vitet e ardhshme për shkak të epidemisë së obzitetit kudo në botë.

Parashikohet se tregu botëror për të prodhuar ilaçet e Nash-it do të kushtojë më shumë se 35 miliardë dollarë në vit në kulmin e tij. Tashmë ka ilaçe për trajtimin e sëmundjes por grupet farmaceutike po studiojnë më shumë se 25 përbërje eksperimentale tek njerëzit, me tre ilaçe të studiuar ose që janë në fazën e tretë, prova klinike, ose janë në fazën e fundit të provave. Aktualisht s’ka asnjë ilaç për ta kuruar sëmundjen e cila është shumë e vështirë për t’u diagnostikuar. Shumica e njerëzve nuk e kuptojnë se ata kanë një sëmundje të “heshtur”, e cila shkakton vetëm simptoma siç është verdhëza, lodhja dhe humbja e peshës në stadet e vonshme të saj. Mjekët ndonjë herë e kuptojnë se pacientët vuajnë nga Nash-i kur marrin enzima mëlçie në gjakun e tyre ose kur pikasin çrregullime përgjatë skanimeve ultratingëllorë. Rruga e vetme për ta diagnostikuar sëmundjen është biopsia e mëlçisë — një procedurë komplekse invazive që kërkon një anestetik. Në raste të rralla, biopsia mund të shkaktojë gjakderdhje që kërkon një transfuzion ose operacion. Shumë pacientë ngurrojnë të ndërmarrin procedurën. Kjo shkakton vështirësi jo vetëm në rekrutimin e tyre në prova klinike, por gjithashtu në bindjen e njerëzve të botës reale për t’u testuar për sëmundjen. 

Epidemia e kancerit (sidomos kanceri i mushkërive te gratë) është një “bombë” tjetër me sahat: ‘numri mbi moshën 65 vjeçare që ka marrë një diagnozë kanceri do të shkojë më lart: nga 1.3 milionë në vitin 2010-të, në 4.1 milionë në vitin 2040 ose thuajse një e katërta e të gjithë njerëzve të moshuar (23%) do të jetojë me kancerin brenda 30 vjetëve të ardhshëm. Aktualisht shifra është 13%.  Por cila është ‘kostua’ e përballimit të kësaj epidemie?

Vetëm fatura globale për tipin 2 të diabetit, një gjendje që vjen si pasojë e të qenit mbipeshë, do të arrijë sipas disa vlerësimeve $500bilionë deri në vitin 2030. Vetëm në Kinë, e cila ka parë rritjen më të madhe në diabet në terma të përqindjes dhe numra absolut – 92 milionë janë në gjendje diabetike dhe 140 milionë janë drejt fitimit të tij...India mbetet edhe më mbrapa. Të gjitha këto në kohën kur 60% e kombeve botërore kanë një prodhim ekonomik më të ulët se totali i majës së pesë ndërmarrjeve ushqimore dhe pijeve.   

Ndërsa kanceri prek më shumë se 5500 qytetarë në vit,  veçanërisht kanceri i zorrës së trashë, i cili dekadën e fundit godet më shumë të rinjt ...shpenzimet e qeverisë Shqiptare për ‘ruajtjen e mjedisit’ janë zero dhe për shëndetin thuajse 3%!  Të gjitha këto – nuk janë krijuar sepse njerëzit jetojnë më gjatë, siç mundohet të na bindë propaganda e zezë e elitave kapitaliste. Por sepse njerëzit janë denatyralizuar. Domethënë, njerëzit janë politikisht kryekëput pasivë — dhe në sajë të dinamikës së tregut zhvendosen në metropole ku pasivizohen edhe më shumë — politikisht dhe ekonomikisht: kur shkëputen nga periferitë dhe vendosen në metropole ata braktisin praktikat që lidhen me natyrën dhe dobitë e saj dhe adoptojnë praktika që lidhen me tregun dhe njeriun. Të gjitha këto shoqërohen me ndotjen e mjedisit. Ndotja e mjedisit me radhë shkakton ndotjen e ushqimeve. Shërbimet financiare dhe dinamika e tregut – shkaktojnë praktika monstruoze me gjedhin, bimët dhe jetën sedentare. Kjo e fundit, stresin, dhe stresi  gjithë sëmundjet e tjera.

Pjesë nga studimi:

Shkaqet e shkatërrimit të ekonomisë sonë: bujqësisë, blegtorisë, arrorëve dhe shëndetit të njeriut*

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA