...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

FATF: Serbia në “listën e zezë” — financon terrorizmin dhe krimin e organizuar në botë

Serbia tash është i vetmi shtet Evropian në listën e zezë, pasi Bosnjë-Hercegovina është hequr nga ajo listë, dhe si e tillë, është në të njëjtën listë me Korenë e Veriut, Etiopinë, Irakun, Srilankën, Sirinë, Trinidadi-Tobago, Tunizinë, Vanuatuon dhe Jemenin.

Adil Fetahu

02/03/2018 - 09:15

Më 24 shkurt të këtij viti, Organizata ndërkombëtare për luftimin e pastrimit të parave, si formë e krimit të organizuar (FATF: Financial Action Task Force), e futi Serbinë në “listën e zezë” të shteteve të dyshuara për financimin e terrorizmit dhe krimit të organizuar në botë. Në atë listë Serbia u fut në grup me Korenë e Veriut, Etiopinë, Irakun, Sri Lankën, Sirinë, Trinidadin e Tobagon, Tunizinë, Vanatuon dhe Jemenin. Serbia është i vetmi shtet i Europës që u fut në atë listë.

Regjimi është munduar ta fshehë lajmin. Por lajmi ka rrjedhë nga opozita, konkretisht nga ish-kryetari i Serbisë, Boris Tadiç. Ndërkaq, kryetarja e qeverisë, Ana Bërnabiç, me një qarkore dërguar (24 shkurt 2018) ministrive, ua ka ndaluar të mos e komentojnë lajmin as të mos japin deklarata e komente nëpër media për këtë çështje. Kryetarja e qeverisë e privoi publikun e gjërë serb nga e drejta e informimit për këtë skandal të Serbisë. Por nuk i privoi të gjithë  njerëzit nga informimi, pasi vendimi për këtë është i publikuar në faqen zyrtare të organizatës FATF, me seli në Paris.

Ekzistojnë dy organizma ndërkombëtarë, në OKB dhe të Këshillit të Evropës, të cilët merren me kontrollin e parandalimit të krimit të organizuar, të cilat kanë përcaktuar standardet dhe kriteret e parandalimit në fjalë. Ndër format e kriminalitetit të organizuar është edhe larja e parave dhe financimi i terrorizmit. Përkërisht për këto forma krimi është futur Serbia në listën e zezë me seli në Paris. Edhe Këshilli i Europës e ka një komitet të vetin  për pengimin e larjes së parave dhe financimin e terrorizmit (“Manival) me seli në Strasburg. Këto organizma kanë përcaktuar 40 standarde dhe kritere për vlerësimin e secilit shtet, se nëse po ndërmerr masa dhe veprimet e nevojshme dhe efektive për parandalimin e këtyre formave të terrorizmit ndërkombëtar. Ekspertët e Manival-it e kanë përcjellë gjendjen në Serbi prej vitit 2014-2016.

Pas një raporti të “Manival”-it, për dyshimet ndaj masave strategjike të Serbisë për parandalimin e këtyre formave të kriminalitetit ndërkombëtar, ekspertët e komitetit e kanë vizituar Serbinë prej 28 shtator deri më 9 tetor 2016, për të vlerësuar nëse ka ndërmarrë masat e nevojshme për parandalimin e formave të caktuara të terrorizmit ndërkombëtar, sidomos larjen e parave dhe financimin e terrorizmit. Bashkë me vlerësuesit e “Manival-it”, tërë kohën kanë qenë edhe përfaqësuesit e Bankës Popullore të Serbisë, ngase vlerësuesit kanë hulumtuar sistemin bankar.

Më 23 shkurt k.v, FATF-i ka vendosur ta fusë Serbinë në listen e zezë, si shtet që ka të meta strategjike sa i përket parandalimit të larjes së parave dhe financimit të terrorizmit ndërkombëtar. Serbia tash është i vetmi shtet Evropian në listën e zezë, pasi Bosnjë-Hercegovina është hequr nga ajo listë, dhe si e tillë, është në të njëjtën listë me Korenë e Veriut, Etiopinë, Irakun, Srilankën, Sirinë, Trinidadi-Tobago, Tunizinë, Vanuatuon dhe Jemenin.  Është interesant fakti që në mbledhjen e FATF-it, është diskutuar për dy kandidatë për t’i futur në listën e zezë:  për Serbinë dhe Pakistanin. Por Kina dhe Rusia kanë kundërshtuar që Pakistani të futet në atë listë, kurse për Serbinë nuk kanë kundërshtuar, edhe pse Serbia i konsideron dy fuqitë botërore si miket më të ngushta dhe shpresën kryesore në marrëdhëniet ndërkombëtare! Duket se dy fuqitë mike të Serbisë, nuk kanë mund të bëjnë asgjë, pasi ata që e akuzojnë Serbinë se po financon terrorizmin ndërkombëtar, kanë ofruar argumente të pamohueshme për këtë.

Duke iu shmangur  të flasin për rastet dhe format e tjera të terrorizmit, njohësit e situatës në Serbi theksojnë se  shitja e  armëve serbe, shteteve, organizatave dhe grupeve terroriste është një nga format e përhapura dhe argumentet e financimit të terrorizmit ndërkombëtar, duke përmendur shitjen e armëve shteteve të Lindjes së Afërme, nga të cilat duket se po e financojnë një megaprojekt të quajtur “Beograd na vodi” (“Beogradi në ujë”), në anën e majtë të lumit Sava, në Beogradin e Ri, ku po ndërtohet një kompleks i madh i banesave lokaleve komerciale, hotele, terrene sportive, pishina, qendra sporti, shkolla, kryesisht për aktivitete në ujë, parqe, staza për biciklista  etj. Për financimin e këtij projekti thuhet se janë lidhur “kontrata të mëdha” me shtetet e Lindjes së Afërme kur dihet se si është situata në atë rajon, qysh prej vitit 2012, kur shpërtheu lufta në Siri. Nga ana tjetër, sado që faktet rrjedhin “në doza të kontrolluara”, autoritetet e ushtrisë së Serbisë lavdërohen për rezultatet e arritura nga eksporti i industrisë së armatimit të tyre, me armët e të cilëve terroristët në Lindjën e Afërme çdo ditë vrasin njerëz të pafajshëm, duke përfshirë edhe gra, fëmijë e pleqë. Nuk përjashtohet edhe mundësia e shitjes së armëve kimike nga Serbia, me qenë se kjo ka përvojë me helmimin e mijëra fëmijëve (nxënësve) shqiptarë në Kosovë, në vitin 1990.

Futja e Serbisë në listën e zezë, jo vetëm se nuk i bënë nder dhe se mund të pasohet me kontrollimin e rreptë të sistemit bankar, e me sanksione të ndryshme, pasi FATF-a ka mekanizma për sanksione dhe bashkëpunon me organizmat e tjera përkatëse. Madje kjo listë e zezë mund t’i kushtojë Serbisë edhe me rastin e hapjes së kapitullit 24 të dokumentit për integrim në BE, pasi aty bëhet fjalë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Me “regjistrimin” në listën e zezë, Serbia e ka marrë “diplomën  dhe medaljen” e merituar të shtetit terrorist, në mesin e 9 shteteve të tjera të botës, ndërsa në Europë është – lidere e pa konkurrencë! Zatën, për terrorizëm Serbia është e njohur qëmoti dhe ka aftësi të mjaftueshme edhe për terrorizëm të brendshëm, edhe terrorizëm ndaj fqinjëve, edhe për terrorizëm në përmasa kontinentale.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA