...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Filluan bisedimet Rusi-USA për armët bërthamore

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë filluan të hënën në Vjenë bisedime dy ditore rreth arsenalit të tyre bërthamor pas një pauze prej më shumë se një viti

Voa

22/06/2020 - 20:06

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë filluan të hënën në Vjenë bisedime dy ditore rreth arsenalit të tyre bërthamor pas një pauze prej më shumë se një viti. Ata nuk bënë asnjë deklaratë përpara takimit që nisi në Vjenë në orën 8:30 të mëngjesit me orën lokale.

Gjatë administratës Trump, SHBA është larguar nga disa traktate me Rusinë, përfshirë të ashtuquajturin Traktati i Qiejve të Hapur si dhe ai mbi Armët Bërthamore me rreze të Mesme Veprimi.

Delegacioni amerikan udhëhiqet nga i dërguari special presidencial për Kontrollin e Armëve ambasadori Marshall Billingslea ndërsa Moska udhëhiqet nga zëvendës ministri i Jashtëm Sergej Ryabkov. Palët do të diskutojnë tema mbi të cilat janë pajtuar paraprakisht e që lidhen me të ardhmen e kontrollit të armëve, njoftoi javën e kaluar Departamenti amerikan i Shtetit.

Presidenti Trump ka thënë se Kina duhet të përfshihet në bisedimet rreth atij që njihet si Traktati për një Fillim të Ri, duke argumentuar se deri tani Pekini ka bërë siç ka dashur në lidhje me zhvillimin e sistemeve të saj të armëve.

"Shtetet e Bashkuara i kanë bërë një ftesë të hapur Republikës Popullore të Kinës për t'u bashkuar në këto diskutime duke sqaruar nevojën që të tre vendet t'i trajtojnë negociatat për kontrollin e armëve me mirëbesim", thuhej në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Qeveria kineze e ka refuzuar ftesën nëpërmjet ministrisë së saj të Jashtme duke thënë në fillim të këtij muaji se "nuk janë pjekur ende kushtet që Kina të marrë pjesë në negociatat e çarmatimit bërthamor". Ambasadori Billingslea u përgjigj me një postim në twitter ku shkruante se: "Kina duhet ta rishqyrtojë vendimin. Arritja e statusit si një fuqi e madhe kërkon të sillesh me përgjegjësinë e një fuqie të madhe. Ajo (Kina) nuk duhet të ketë më mure sekrete për sa i takon ndërtimit të armëve bërthamore. Kinën e pret një vend në Vjenë".

Traktati për një Fillim të Ri mes SHBA dhe Rusisë mbi të cilin u pajtuan në vitin 2010, kërkohet përgjysmim i numrit të raketave strategjike bërthamore. Ai skadon më shkurt të vitit 2021. Ekspertët e armëve thonë se koha është e mjaftueshme për të rinovuar një marrëveshje komplekse mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, e lëre më pastaj për negocimin dhe hartimin e një traktati të ri që përfshin edhe Kinën në kushtet kur në SHBA po afrojnë zgjedhjet presidenciale.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA