...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Greqia i përgjigjet Erdoganit se është gati për çdo ngjarje përfshirë dhe luftën

Greqia kërkon të përdorë të drejtën ndërkombëtare kundrejt Turqisë sepse e di se në “negociata” del e humbur por me Shqipërinë përdori “negociatat” sepse e dinte se dilte e fituar

SHJ

20/09/2021 - 10:09

Erdogani kërcënoi Athinën pas mbledhjes “euromesdhetare” e cila iu drejtua Turqisë të respektojë të drejtën ndërkombëtare kundrejt Greqisë dhe Qipros ndryshe do të ketë pasoja të ngjashme: “në takimin e 9 vendeve u bënë deklarata të padëshirueshme. Sigurisht ministria jonë e jashtme u përgjigj. Do të shohim se sa të sinqerta janë në ato që thanë dhe sa do të rezistojnë. Turqia nuk është portier i asnjërit. Duhet të shohim nga kundruallët tanë hapa të sinqerta. Nëse nuk i shohim, do të marrim vendimin e nevojshëm dhe do të bëjmë hapa të ngjashme”, kundërargumentoi Erdogani.

Paralelisht një anije luftarake turke shkoi në lindje të ishullit të Kretës ku një anije franceze zhvillonte studime hartografike për linjën e re të gazit izraelit (EastMed) duke e “penguar” atë në qëllimin e saj. Linja do të lidh Izraelin, Qipron, Kretën, gadishullin grek deri në kufi me Shqipërinë, Thesproti, dhe do të kalojë përmes detit Jon për në Itali ku do të lidhet me linjën italo-greke “Poseidon”. Për të penguar linjën përkatëse Turqia po përdor paralelisht një marrëveshje që ka nënshkruar me Libinë në vitin 2019 përmes së cilës është krijuar një zonë ekonomike e veçantë në detin Mesdhe. Po përdor, gjithashtu, dhe Egjiptin.

Një javë më pas, Turqia e Erdoganit provokoi me një barazh avionësh hapësirën ajrore greke ndërsa dërgoi një anije për kërkime, Bilim-2, mes ishullit Rodos dhe Kastelorizos, në zonën detare greke, nën mbikqyrjen e forcave të armatosura greke me stërvitjet ushtarake greke të shtrihen nga jugu në veri të vendit. Paralelisht Erdogani sulmoi nga televizioni amerikan CBS në OKB qëndrimet e SHBA-së lidhur me blerjen e 5 avionëve amerikanë, F-35, të cilët Turqia i ka paguar (1.4 miliardë dollarë) por amerikanët nuk ia kanë dorëzuar, dhe sistemin mbrojtës rus S-400: “tani e tutje”, tha ai, “asnjëri nuk mund të ndërhyjë, se nga cili vend dhe cilin sistem mbrojtës do të blejmë”.

Për pasojë, Erdogani njoftoi se do të takonte Putinin tre ditë më pas për të përparuar një marrëveshje shumë e rëndësishme duke përfshirë dhe ndërtimin e një impianti bërthamor rus në Turqi. Nuk harroi të përmendte, gjithashtu, faktin se SHBA-ja mbështet organizatat terroriste në Turqi. Fjalë është për organizatat kurde.    

Ndërsa gjithë klasa politike greke parashikonte përshkallëzim të gjendjes mes dy vendeve ministri i brendshëm grek iu përgjigj provokimeve turke se Greqia është gati për çdo ngjarje, në përputhje me provokimet, përfshi dhe luftën.

Athina dëshiron të krijojë raporte fqinjësore me bazë të drejtën ndërkombëtare jo përmes negociatave siç dëshiron Erdogani.

Si pasojë e tensioneve mes Turqisë dhe Greqisë, Qiprua është futur në barrën e rëndë të shpenzimeve si Athina: rriti shpenzimet buxhetore për mbrojtjen dhe përgatitet të blejë mes të tjerash raketa franceze “mistral”, hedhës të shumtë nga Serbia, dhe helikopterë luftarakë.

Por me rëndësi për ne është kuptimi i faktit se në marrëdhëniet ndërkombëtare vendet e fuqishme nuk përdorin të drejtën ndërkombëtare por “negociatat” për të zgjidhur mosmarrëveshjet me njëri-tjetrin. Rama, për shembull, zgjodhi negociatat me fqinjët tanë në Greqi dhe jo të drejtën ndërkombëtare! Këtë ‘zgjedhje’ ia këshilluan “ekspertët” neoliberalë të Brukselit dhe Uashingtonit. Por pasi negociatat e Bushatit nuk sollën rezultate, për të cilat nuk është njoftuar asgjë, Rama iu drejtua, pasi plotësoi disa kërkesa greke me karakter shovinist, të drejtës ndërkombëtare për çështjen e detin Jon por sërish në kushte të pabarabarta me Greqinë dhe pa dije juridike! Njësoj po vepron me Serbinë: nuk përdor të drejtën ndërkombëtare për padrejtësitë që shkakton Serbia ndaj shqiptarëve në jug të saj por përdor “negociatat” (kuptoji si “pazare”); as e përdor atë për të ndihmuar Kosovën por përdor “strategjitë” e Brukselit dhe Uashingtonit!

Kështu Greqia kërkon të përdorë të drejtën ndërkombëtare kundrejt Turqisë sepse e di se në “negociata” del e humbur por me Shqipërinë përdori “negociatat” sepse e dinte se dilte e fituar! Ajo del e fituar edhe përmes të drejtës ndërkombëtare. Arsyet i ka treguar në një studim, Ylli Përmeti.

Papërgjegjshmëria kriminale e klasës politike, akademike dhe gazetareske lidhur me detin Jon

*Përditësuar në datën 27 shtator

 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA