...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Italia do t’i ndalojë rrugët me konçesion me ngritjen e ndërmarrjeve publike

Qeveria italiane ka paralajmëruar vendosjen e një gjobe të frikshme prej 150 milionë euro mbi koncesionarin privat që kishte për detyrë të mirëmbante urën ku ndodhi tragjedia dhe sipas kryeministrit Conte në vijim do t’i hapet rruga shtetëzimit të të gjitha koncesioneve në infrastrukturën rrugore

Dita

16/08/2018 - 07:54

Shembja e urës “Morandi” në Xhenova përveç dhimbjes dhe lotëve që la pas, pasi shkaktoi 39 viktima, ka hapur edhe një spirale të re për koncesionet në Itali, që është shteti që ka përdorur më shumë instrumentin e delegimit të mirëmbajtjes së rrugëve tek privati.

Qeveria italiane ka paralajmëruar vendosjen e një gjobe të frikshme prej 150 milionë euro mbi koncesionarin privat që kishte për detyrë të mirëmbante urën ku ndodhi tragjedia dhe sipas kryeministrit Conte në vijim do t’i hapet rruga shtetëzimit të të gjitha koncesioneve në infrastrukturën rrugore.

“Ne do të fillojmë procedurën e revokimit pa pritur gjetjet në procedurën penale”, njoftoi kryeministri  italian, disa orë pasi ministri i Infrastrukturës e vendosi “gishtin në plagë”.

“Ne kemi për detyrim ruajtjen e sigurisë të të gjithë qytetarëve që udhëtojnë në rrugët e vendit dhe do të revokojmë koncesionin e dhënë për “Autostrade per l’Italia”, që ka përsipër barrën dhe detyrimin për mirëmbajtjen e kësaj “Ure-Rruge”, në mënyrë që të garantojmë përdoruesit se mund të udhëtojnë në mënyrë të sigurtë”, tha Conte.

5 milionë euro janë ndarë gjithashtu për ndërhyrjet e para dhe është dekretuar një gjendje e emergjencës 12-mujore.

Koncesionari privat që duhet të mirëmbante urën “Morandi” është “Autostrade per l’Italia”, një nga shoqëritë më të mëdha në Europë, që zotërohet nga grupi Atlantia dhe për pronar ka familjen e njohur Benetton.

“Autostrade per l’Italia” ka koncesionin e mirëmbajtjes për mbi 5 mijë kilometra autostrada në Itali mes të cilave, Milano-Napoli, Milano-Brescia, Bologna-Padova, Citavechia-Roma dhe shumë rrugë të tjera interurbane, por kjo nuk do të thotë asgjë për liderin e “5 Yjeve’, Luigi Di Maio, i cili sulmoi drejtpërdrejtë kompaninë.

“Përgjegjësit kanë një emër dhe ata janë Autostrade per l’Italia”, tha ai. “Nëse ata nuk mund të menaxhojnë autostradat tona, shteti do ta bëjë këtë”, shtoi Toninelli.

Por kompania ka mbrojtur veten duke thënë: “Ne kemi investuar mbi një miliard dollarë në sigurinë dhe mirëmbajtjen rrugore dhe Viaduct është monitoruar nga seksioni i autostradës së Xhenovas në baza tremujore, në përputhje me kërkesat ligjore dhe verifikim shtesë nga pajisje shumë të specializuara.

Autostrade per l’Italia po punon shumë për të përcaktuar projektin për rindërtimin e urës, që do të përfundojë për pesë muaj”.

Në lidhje me shpalljen e procedurës së fillimit për tërheqjen e koncesionit, “Autostrade per l’Italia” thotë se është e sigurt për të treguar se gjithmonë ka plotësuar si duhet detyrimet e saj.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA