...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Izraeli dhe SHBA-ja hanë “shuplakën” e parë në OKB

Si pasojë e mbështetjes së propozimit jordanez përfaqësia izraelite në asamble shpërtheu me akuza të ashpra duke i quajtur anëtarët si “turp” për historinë njerëzore

Ylli Përmeti

29/10/2023 - 08:37

Në datën 25 tetor, kur Izraeli po përgatitësh për sulmin tokësor, në Këshillin e Sigurimit (KS) në OKB pati një përpjekje për ta ndaluar atë por dështoi. Përpjekjet u nxitën nga SHBA-ja, Rusia dhe Brazili. Por asnjë propozim nuk u miratua. Propozimet e dy superfuqive dënuan sulmet e Hamasit ndaj qytetarëve izraelitë më 7 tetor dhe kërkuan veprim për të zgjidhur krizën njerëzore në përkeqësim në Rripin e Gazas, ku lënda për prodhimin e eletricitetit pritësh të zgjaste pak orë për spitalet dhe shërbimet vendimtare.

Propozimi amerikan përfshinte të drejtën e Izraelit për t`u mbrojtur dhe një thirrje për “pauzë humanitare”, përputhjen e Izraelit me të drejtën ndërkombëtare dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi (i cili u votua nga dhjetë anëtarë ndërsa Rusia dhe Kina vendosën veto dhe Emiratet votuan kundër me Brazilin dhe Mozambikun të mungojnë).

Propozimi rus kërkoi anulimin e menjëhershëm të urdhërit për largimin e qytetarëve drejt Gazës jugore por nuk përmendi të drejtën e Izraelit për vetmbrojtje (ky propozim u votua nga katër anëtarë, Kina, Rusia, Gaboni dhe Emiratet ndërsa SHBA-ja dhe Britania e kundërshtuan me nëntë anëtarët e tjerë të mungonin).

SHBA-ja tha se propozimi rus nuk u këshillua ndërsa Rusia tha se propozimi amerikan i shërbente qëllimeve gjeopolitike. Rusia bëri një përpjekje të ngjashme në 16 tetor kur propozoi “armëpushim humanitar, lirimin e gjithë pengjeve dhe qasje në ndihmë dhe largim të sigurtë të qytetarëve”. Por as ai nuk u miratua (Kina, Rusia dhe Emiratet e votuan ndërsa Franca, Japonia, SHBA-ja dhe Britania jo). Kundërshtia kryesore ishte se propozimi nuk dënonte Hamasin.

Një propozim tjetër u bë nga Jordania (e mbështetur nga shtetet arabe) në Asamblenë e Përgjithshme në OKB në 27 tetor, i cili bënte thirrje për armëpushim të menjëhershëm, qasje të papenguar në ndihmë, anulimin e urdhërit të Izraelit për largimin e qytetarëve nga Gaza, përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe lirimin e menjëhershëm të gjithë pengjeve por pa përmendur Hamasin. Ai fitoi mbështetjen e shumicës së anëtarëve (120, 45 abstenime dhe 14 kundër).

SHBA-ja, Izraeli dhe disa vende evropiane votuan kundër sepse “në këto momente do të përfitonte vetëm Hamasi”. Në propozimin jordanz Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e V. abstenuan ndërsa Bosnje-Hercegovina dhe Malizi e votuan. Si pasojë e mbështetjes së propozimit jordanez përfaqësia izraelite në asamble shpërtheu me akuza të ashpra duke i quajtur anëtarët si “turp” për historinë njerëzore.

Ndërsa vendimi nuk është i detyrueshëm për palët në konflikt, sepse vetëm vendimet KS janë të detyrueshëm, ai tregon se anëtarët e OKB-së po e braktisin SHBA-në, nëse e shohim në raport me përpjekjen e saj për të izoluar Rusinë në OKB (nga Këshilli i të drejtave të njeriut që kur filluan operacionet ushtarake në Ukrainë duke kulmuar me përpjekjen e fillim-tetorit kur 123 vende mbështetën Shqipërinë si anëtare deri në vitin 2026 ndërsa Rusia humbi me 83 etj.).

Në të gjitha këto përpjekje Shqipëria, si anëtare e përkohshme e KS-së, përgjithësisht është përputhur me SHBA-në dhe Izraelin me disa abstenime.

Një çështje tjetër që vërehet nga veprimtaria e OKB-së është fakti se shumica e anëtarëve dënon më shumë Izraelin se sa Hamasin; madje ndaj këtij të fundit ka një përpjekje për të mos e përmendur në propozim-vendime.

Më 30 tetor pati një mbledhje tjetër në Njujork, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Mbledhja e thirrur nga Emiratet dhe Kina pas operacioneve të zgjeruara të Izraelit në Gaza, nuk pati ndonjë vendim por ajo vazhdon sot (31 tetor) pasdite.

Pushtimi i Gazës nga Izraeli dhe pasojat gjëmëzeza për Lindjen e Mesme dhe botën

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA