...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kancelari gjerman Scholz shkon në Moskë ndërsa e majta franceze propozon daljen nga NATO-ja

Jean-Luc Melenchon tha se dalja nga NATO-ja do të ndihmonte Parisin të shmangte zvarritjen në një luftë të re të ftohtë

SHJ

04/01/2022 - 09:54

Kancelari gjerman Olaf Scholz dëshiron të rivendosë marrëdhëniet me Moskën dhe po planifikon një takim kokë më kokë me udhëheqësin rus Vladimir Putin më vonë këtë muaj.

Zyrtarët e lartë gjermanë tashmë kanë planifikuar takimet me homologët rusë në janar në një përpjekje për të lehtësuar tensionet gjeopolitike mes alarmit në rritje se Kremlini po planifikon një sulm ushtarak kundër Ukrainës.

Sipas një raporti të së hënës nga gazeta gjermane Bild, këshilltari gjerman për politikën e jashtme Jens Plotner ka diskutuar me Kremlinin një takim midis udhëheqësit gjerman dhe atij rus për më shumë se dy javë. Gazeta, e cila ka një reputacion për nxjerrjen e lajmeve të brendshme politike gjermane përpara rivalëve të saj mediatik, raportoi se Scholz po kërkon "një fillim të ri" në marrëdhëniet me Moskën dhe dëshiron të fokusohet në politikat e energjisë dhe Ukrainën.

Bisedimet SHBA-Rusi

Zyrtarë të lartë amerikanë dhe rusë do të zhvillojnë bisedime në Gjenevë më 9 dhe 10 janar mbi përqëndrimin e trupave ushtarake të Rusisë në kufirin e saj me Ukrainën, ku, sipas zyrtarëve të inteligjencës perëndimore dhe ukrainase, ndodhen rreth 100,000 ushtarë rusë.

Udhëheqësit dhe zyrtarët perëndimorë kanë refuzuar tashmë përfshirjen në bisedime të kërkesës ruse për ndalimin e zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s dhe reduktimin e pranisë ushtarake të aleancës në ish-shtetet sovjetike të Evropës Qendrore.

Bisedimet e Gjenevës, të cilat nga pala amerikane do të drejtohen nga zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, janë planifikuar të pasohen nga bisedimet e këshillit Rusi-NATO dhe një takim i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE).

Udhëheqësit perëndimorë kanë paralajmëruar për pasoja të rënda nëse Kremlini vendos të kryejë një tjetër sulm ndaj Ukrainës të ngjashëm me atë të vitit 2014, kur Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë dhe përdori grupe të armatosura lokale për të pushtuar një pjesë të madhe të rajonit të Donbasit në Ukrainën lindore, në kufi me Rusinë.

Presidenti amerikan Joe Biden u tha gazetarëve të premten se ai e këshilloi homologun e tij rus Vladimir Putin kur ata folën me telefon një ditë më parë se bisedimet e ardhshme mund të funksiononin vetëm nëse udhëheqësi rus "do të zbuste tensionet". Zoti Biden tha se ai gjithashtu ia bëri të qartë udhëheqësit rus në bisedën e tij të dytë brenda një muaji se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë janë gati të ndëshkojnë Rusinë me sanksione të ashpra ekonomike.

“Ia bëra të qartë Presidentit Putin se nëse ai bën më shumë lëvizje në Ukrainë, ne do të vendosim sanksione të ashpra”, tha Presidenti amerikan Biden. "Ne do të rrisim praninë tonë në Evropë me aleatët e NATO-s", shtoi ai.

Zyrtarët e Kremlinit, megjithatë, kanë përsëritur paralajmërimet për Perëndimin për një "gabim kolosal" që mund të ketë pasoja të mëdha për marrëdhëniet tashmë të tensionuara SHBA-Rusi.

Shqetësim për veprimet e Rusisë mes disa vendeve të vogla evropiane

Por pavarësisht fjalëve të ashpra nga Uashingtoni, ka shqetësime midis vendeve më të vogla evropiane, të cilat kanë frikë se fuqitë më të mëdha perëndimore mund të përpiqen të arrijnë një marrëveshje me Moskën pa praninë e tyre.

Presidenti finlandez Sauli Niinistö po kërkon që të gjitha vendet evropiane, pavarësisht nëse janë anëtarë të aleancës perëndimore apo jo, të përfshihen në negociatat e sigurisë midis Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s. Zoti Niinistö ka përsëritur të drejtën e vendit të tij për t'u anëtarësuar në NATO nëse dëshiron, një refuzim i prerë i kërkesës ruse që NATO të mos pranojë anëtarë të rinj.

“Hapësira e manovrimit të Finlandës dhe liria e zgjedhjes përfshijnë gjithashtu mundësinë e rreshtimit ushtarak dhe të aplikimit për anëtarësim në NATO, nëse ne vetë duam të vendosim kështu”, tha Presidenti Niinistö në një fjalim të fortë para vendit me rastin e Vitit të Ri.

Ai tha se ultimatumet e Rusisë "janë në konflikt me rendin evropian të sigurisë" dhe ai dëshiron një rol të rëndësishëm për Bashkimin Evropian në çdo negociatë për të ndihmuar në shprehjen e nevojave të sigurisë dhe pikëpamjeve të vendeve më të vogla.

“Në këtë situatë, Evropa nuk mund vetëm dëgjojë shqetësimet tona”, tha Presidenti Niinistö. “Sovraniteti i disa vendeve anëtare, si ai i Suedisë dhe Finlandës, është sfiduar nga vende jashtë Bashkimit Evropian. Kjo e bën BE-në një palë të përfshirë. BE-ja nuk duhet të jetë e kënaqur vetëm me rolin e një koordinatori teknik të sanksioneve”, shtoi ai.

Shqetësimet e Gjermanisë

Fjalimi i kancelarit gjerman Olaf Scholz-it para vendit me rastin e Vitit të Ri ishte më i butë dhe ndërsa ai paralajmëroi për një përgjigje ndëshkuese perëndimore ndaj çdo agresioni të mëtejshëm rus mbi Ukrainën, ai theksoi rëndësinë e "dialogut konstruktiv" me Rusinë.

Kancelari gjerman ka qenë nën presionin e aleatëve dhe anëtarëve të qeverisë së tij të koalicionit, duke përfshirë Ministren e Jashtme Annalena Baerbock, udhëheqëse e Partisë së Gjelbër të vendit, për të ndaluar çdo miratim zyrtar të transportit të gazit natyror rus përmes gazsjellësit nënujor Nord Stream 2, të sapopërfunduar që lidh Rusinë dhe Gjermaninë.

Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore kritikuan ish-kancelaren Angela Merkel për mbështetjen e saj që ajo i dha projektit Nord Stream 2. Ata thonë se ky gazsjellës rrezikon të thellojë varësinë evropiane ndaj gazit rus. Muajin e kaluar, kryeministri i Polonisë i bëri thirrje publikisht kancelarit Scholz që të kundërshtojë fillimin e punës së gazsjellësit Nord Stream 2, duke paralajmëruar se ai mund të përdoret si një armë ekonomike shtrënguese nga Rusia.

Përveç taktikave që duhen përdorur kundër Rusisë, vazhdon të ketë mosmarrëveshje mes fuqive perëndimore edhe lidhur me vlerësimin e synimeve të udhëheqësit rus Vladimir Putin. Kryeministri italian Mario Draghi ka minimizuar rrezikun e veprimit ushtarak rus, duke thënë se Kremlini dëshiron të eksplorojë diplomacinë dhe nuk po përgatitet “për veprim”.

Disa zyrtarë italianë thonë se kanë frikë se biseda për një luftë të afërt mund të marrë një jetë më vete, duke ndikuar dhe formuar sjelljet e Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ata gjithashtu theksojnë projekt-traktatet e sigurisë që Rusia ia paraqiti Shteteve të Bashkuara javën e kaluar, si tregues të një gatishmërie për bisedime të mëtejshme.   

E majta franceze propozon daljen nga NATO-ja

Jean-Luc Melenchon tha se dalja nga NATO-ja do të ndihmonte Parisin të shmangte zvarritjen në një luftë të re të ftohtë, raporton RT. Ai bëri thirrje për daljen e vendit të tij nga aleanca e NATO-s, ndërsa e sheh Rusinë më shumë si ortak se sa si armik ose kundërshtar. Melenchon është drejtues i partisë “La France Insoumise” (Franca rebele) ndau qendrimin e tij në një intervistë me radion “France Inter” këtë të hënë. Ai sqaroi qendrimin e tij lidhur me NATO-n dhe Rusinë duke shtuar se vendi I tij duhet të jetë pjesë e përpjekjeve për “shpërkallëzimin” e gjendjes ndërkombëtare se sa të ndjekë aventurizmin e Uashingtonit në një luftë të re të ftohtë kundër Kinës dhe Rusisë.

“Unë mbështes daljen nga NATO. Ne kemi nevojë për shpërshkallëzim. Nëse ne dalim nga NATO-ja, ne nuk do të zvarritemi në logjikën e luftës së ftohtë që ruajnë amerikanët me Rusinë dhe Kinën”     

Një ditë më pas njoftohet takim i posaçëm NATO-Rusi 

Një zyrtar i NATO-s njoftoi të martën se javën e ardhshme do të mbahet një takim i posaçëm i ambasadorëve të aleancës atlantike me zyrtarë të lartë rusë. Takimi i caktuar nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg vjen ndërsa palët po kërkojnë dialog për të parandaluar një përplasje të hapur lidhur me Ukrainën.

Aleanca ushtarake perëndimore ka kërkuar prej muajsh një takim të Këshillit NATO-Rusi, e shqetësuar nga rritja e pranisë ushtarake ruse përgjatë kufirit me Ukrainën. Por mbledhja e forumit dukej në rrezik pas një mosmarrëveshjeje në muajin tetor mbi çështje të spiunazhit.

Takimi i këshillit, një format i përdorur për dialog që nga viti 2002, do të mbahet në Bruksel më 12 janar. Përpara tij, më 10 janar në Gjenevë, do të zhvillohen bisedime mbi sigurinë mes zyrtarëve amerikanë dhe rusë.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian Josep Borrell, u nis të martën drejt Ukrainës për një vizitë dy-ditore, dëshmi e mbështetjes ndaj Kievit, i cili aspiron t'i bashkohet bllokut evropian dhe NATO-s.

Moska kërkon garanci që NATO do të ndalë zgjerimin e saj drejt lindjes dhe se do t'i japë fund bashkëpunimit ushtarak me Ukrainën dhe Gjeorgjinë, të cilat kanë mosmarrëveshje territoriale me Rusinë.

Moska gjithashtu ka hedhur poshtë pohimet e Uashingtonit se po planifikon një sulm ndaj Ukrainës dhe akuzon Kievin për rritjen e pranisë ushtarake në lindje të territorit të saj.

“Çdo dialog me Rusinë duhet të vazhdojë në bazë të parimit të reciprocitetit, të trajtojë shqetësimet e NATO-s mbi veprimet e Rusisë e të bëhet në konsultim me partnerët evropianë të aleancës”, tha zyrtari i NATO-s.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova konfirmoi se zyrtarët rusë do të marrin pjesë në takimin e NATO-s në Bruksel. Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov dhe zyrtarë të tjerë të lartë rusë pritet të marrin pjesë në bisedimet që do të mbahen në Bruksel, pas takimit në Gjenevë me Zëvendës Sekretaren amerikane të Shtetit Wendy Sherman.

Më 13 janar, bisedimet do të vazhdojnë në një format më të gjerë në kuadër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) me bazë në Vjenë, e cila përfshin Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s, si dhe Rusinë, Ukrainën dhe shtete të tjera ish-sovjetike.

Një zëdhënës i BE-së tha se zoti Borrell, i cili ka qenë një nga zërat kryesorë në strategjinë e bllokut për forcimin e sanksioneve ndaj zyrtarëve të lartë rusë në vitin 2021, beson se “Bashkimi Evropian nuk mund të jetë një spektator neutral në negociata, nëse Rusia vërtet dëshiron të diskutojë çështje të sigurisë në Evropë”.

Bashkimi Evropian e sheh Ukrainën si një "partner strategjik", tha zëdhënësi.

Gjatë vizitës së tij në Ukrainë zoti Borrell, i shoqëruar nga ministri i Jashtëm i këtij vendi Dmytro Kuleba, do të vizitojë pikë e kontaktit të Ukrainës me rebelët separatistë të mbështetur nga Rusia. Ministrat e jashtëm të BE-së pritet të diskutojnë hapat e tyre të ardhshëm më vonë gjatë muajit janar.

*Në këtë raport ka kontribuar Voa

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA