...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kina sfidon Amerikën me flotën detare më të madhe në botë

Kina ka arritur nivel të barabartë, ose madje edhe ka tejkaluar Shtetet e Bashkuara në disa fusha të modernizimit ushtarak

Voa

30/01/2021 - 15:58

Stërvitjet ushtarake kineze në ujërat e Detit të Kinës së Jugut synojnë të vënë në provë politikën për Kinën të administratës së Presidentit Biden, thonë ekspertët e mbrojtjes.

Stërvitja tre-ditore që filloi të mërkurën vjen disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara dërguan një aeroplanmbajtëse me grupin e anijeve shoqëruese në zonën e kontestuar detare "për të zhvilluar operacione rutinë dhe për të inkurajuar lirinë në dete", thuhet në një deklaratë të Komandës Amerikane për Rajonin e Indo-Paqësorit.

Timothy Heath, një ekspert i mbrojtjes në "Rand Corporation", një organizatë studimore, i tha Zërit të Amerikës se Pekini po dërgon një sinjal të hershëm për administratën e Presidentit Joe Biden, i cili u betua në detyrë më 20 janar.

"Kjo duket si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të Kinës për të sinjalizuar vendosmërinë e saj për të mbajtur ose përshkallëzuar politikat konfrontuese nëse kjo është ajo që dëshiron Biden-i", tha ai.

Një flotë kineze në rritje

Flota kineze është rritur me shpejtësi vitet e fundit dhe po prish ekuilibrin e fuqisë ushtarake në rajonin e Paqësorit Perëndimor.

Sipas një rishikimi vjetor të fuqisë ushtarake kineze nga Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Kina ka arritur nivel të barabartë, ose madje edhe ka tejkaluar Shtetet e Bashkuara në disa fusha të modernizimit ushtarak.

"Kina ka flotën më të madhe në botë tani, më të madhe se të Shteteve të Bashkuara. Dhe është plot me nëndetëse të reja me teknologji të avancuar, destrojerë dhe anije amfibe", i tha Zërit të Amerikës Craig Singleton, bashkëpunëtor në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive. Ai përqëndrohet tek konkurrenca e fuqive të mëdha, në veçanti me Kinën. Përkundrazi, "marina amerikane po bëhet më e vogël, anijet po vjetërohen. Kushton shumë para ndërtimi i anijeve të reja", tha ai.

Sipas Departamentit amerikan të Mbrojtjes, Kina është kombi që prodhoi më shumë anije në botë gjatë vitit 2020, bazuar në përllogaritjen e tonazhit. Marina ushtarake kineze tani ka një forcë të përgjithshme të gatshme për betejë prej rreth 350 anijesh dhe nëndetësesh. Ndërsa një raport vjetor tregon se nga fillimi i vitit 2020, forcat e gatshme për betejë të Marinës së Shteteve të Bashkuara janë rreth 293 anije.

Bryan Clark, një ekspert i operacioneve detare dhe garave ushtarake në Institutin Hudson, i tha shërbimit në gjuhën kineze mandarin të Zërit të Amerikës se një forcë më e madhe e marinës kineze paraqet një sfidë më të madhe për Shtetet e Bashkuara.

"Kjo do të thotë se marina amerikane do ta ketë më të vështirë të mbrojë partnerët dhe aleatët, sepse PLA-ja (Ushtria Çlirimtare e Popullit) do të ketë shumë anije për të fituar kontrollin e detit në zonat përreth Tajvanit dhe rreth Ishujve Senkaku", tha ai .

Kina e shikon Tajvanin si një provincë të shkëputur dhe përmend historinë për pretendimet e saj ndaj Ishujve Senkaku që tani kontrollohen nga Japonia, por që gjithashtu pretendohen edhe nga Tajvani. Në korrik, administrata e ish-Presidentit Trump, i cili la detyrën në 20 janar, hodhi poshtë pothuajse të gjitha pretendimet detare të Kinës në rajon. Kjo ndryshoi politikën e mëparshme të Shteteve të Bashkaura, e cila kërkonte me këmbëngulje që mosmarrëveshjet midis Kinës dhe fqinjëve të saj të zgjidheshin nëpërmjet OKB-së dhe arbitrazhit të mbështetur nga OKB-ja.

Në atë kohë, Sekretari i atëhershëm i Shtetit Mike Pompeo tha se: "Bota nuk do të lejojë që Pekini ta trajtojë Detin e Kinës Jugore si perandorinë e tij detare". Megjithatë, ambiciet detare kineze nuk janë të kufizuara në Oqeanin Paqësor. Vëzhguesit thonë se flota kineze është gjithashtu aktive në Oqeanin Indian, në Mesdhe dhe Balltik. Sipas një raporti të lëshuar nga Departamenti i Mbrojtjes në fund të vitit 2019, "janë bërë më shumë dislokime të tilla globale të marinës kineze në 30 muajt e fundit se në gjithë 30 vitet e fundit".

"Kina tejkaloi pritshmëritë e planifikuesve amerikanë të sigurisë me ndërtimin e saj të suksesshëm dhe vënien në funksionim të flotës detare më të madhe në botë në vetëm 20 vjet", tha Toshi Yoshihara, bashkëautor i një raporti të publikuar në fillim të këtij muaji nga Qendra për Vlerësime Strategjike dhe Buxhetore.

Ruajtja e aftësisë konkurruese

Në dhjetor, administrata Trump shpalli një plan të ri 30-vjeçar të ndërtimit të anijeve që synon ruajtjen e aftësive të flotës së Marinës. Plani bënte thirrje për përshpejtimin e prodhimit të fregatës së klasës Constellation dhe rritjen e prodhimit të nëndetëseve.

Një deklaratë nga Departamenti i Mbrojtjes tha se flota do të arrinte në 405 anije deri në fund të 30 viteve, duke iu referuar një raporti dërguar Kongresit. Megjithatë, analistët janë skeptikë se si Uashingtoni do të paguajë për zgjerimin. Kur u pyet gjatë seancës dëgjimore për konfirmimin e tij nëse ai e mbështeste këtë plan të ndërtimit të anijeve, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se ai ishte i hapur për diskutim.

"Unë mendoj se është e rëndësishme që ne të ruajmë aftësitë që do të na duhen të jenë të rëndësishme, jo vetëm sot, por të rëndësishme nesër", tha ai, "Kështu që unë pres që të zbres në terren, dhe nëse konfirmohem, të punoj me udhëheqjen e Marinës për të kuptuar më mirë se si do t'i mbështesim këto kërkesa".

Kur njoftoi një plan 10-vjeçar për Marinën Amerikane në fillim të këtij muaji, Shefi i Operacioneve Detare, Mike Gilday tha se Uashingtoni duhet të kuptojë urgjencën e çështjes.

"Nuk dua të jem dramatik, por ndjej se nëse Marina humbet orientimin, nëse dalim nga rruga, dhe me të vërtetë i heqim sytë nga ato gjëra tek të cilat duhet të përqendrohemi në lidhje me gatishmërinë, aftësitë, kapacitetin dhe marinarët, mendoj se mund të mos jemi në gjendje të rikuperohemi brenda këtij shekulli, bazuar në trajektoren në të cilën kinezët janë tani", tha ai në njoftimin e planit në Simpoziumin e 33-të Kombëtar të Shoqatës Detare për Sipërfaqen.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA