...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Krisjet e “G7” mund t’i dyllojë globalizmi neoliberal

Kryeministrat e shtatë vendeve më të industrializuara takohen në Kanada. Situata nuk do të jetë fare e lehtë për shkak të dallimeve me SHBA-në.

DW

07/06/2018 - 16:14

Ata kanë punuar shumë javët e fundit, por të ashtuquajturit "sherpas", shefat e negociatave në G7, ende janë shumë larg qëndrimeve të përbashkëta që duhet të miratohen në samitin e Kanadasë që do të mbahet në Charlevoix. Negociatat do të vazhdojnë deri në fillimin e samitit të premten, thuhet në qeverinë gjermane. Qëllimi është arritja e një "landing zone" të përbashkët.

Të premten dhe të shtunen do të takohen presidentët dhe kryeministrat e Gjermanisë, Francës, SHBA, Kanadasë, Japonisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe. Temat e G7 janë krizat dhe konfliktet në Korenë e Veriut, Siria dhe e ardhmja e raporteve me SHBA, pas vendimit për daljen e saj nga programi bërthamor me Iranin. Tema të tjera janë edhe mbrojtja e klimës dhe në veçanti tregëtia, si fushë e re mosmarrëveshjesh me SHBA-në.

Deklarata përfundimtare larg marrëveshjes

Nëse në këtë samit do të ketë ndonjë deklaratë të përbashkët, ende nuk dihet. Organizatorët po përpiqen të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Deklarata e përbashkët nënkupton edhe një marrëveshje paraprake. Deklarata nga samiti i fundit në Taormina të Italisë ka dështuar për shkak të qëndrimeve të kundërta për mbrojtjen e klimës. Ndërsa tani ka një varg pikash ku palët kanë qëndrimet kundërthënëse. Presidenti Donald Trump mendon ndryshe për shumë çështje.

Në Taormina është vendosur që në deklaratë të thuhet se palët kanë qëndrime të ndryshme për klimën. Nëse edhe në Kanada vendoset që të shënohen pikat e mosmarrëveshjes, atëherë dokumenti përfundimtar do të ketë më shumë mosmarrëveshje se sa marrëveshje dhe nuk do të ketë peshën e zakonshme.

Të gjithë kundër njërit

Ndërkohë po mendohet seriozisht nëse vetëm organizatori i samitit duhet të përgatisë një kumtesë të përbashkët, ku do të flitej për vlerat e përbashkëta për multilaterizmin, tregtinë e lirë dhe përgjegjësinë për klimën. A do të thotë kjo pra se një formati të tillë të takimeve po i vjen fundi? Presidentët dhe kryeministrat e G7 janë përpjekur deri tani që të nënvizojnë vlerat e përbashkëta multilaterale. Këtë thekson edhe qeveria gjermane. Këtë e thotë edhe kancalarja Angela Merkel.

Por jo të gjithë janë për vlerat multilaterale. Harmonia është prishur pas ardhjes së presidenti Trump në pushtet dhe me siguri që nuk do të kthehet shpejt. Tani bëhet fjalë për një grup të përçarë, shkruajnë mediat kanadeze. Ministri francez i Financave Bruno Le Maire e tha qartë para disa ditësh, kur foli për një takim të "tendosur dhe të rëndë", me kolegët nga G7. Mosmarrëveshjet rreth doganave amerikane për çelikun dhe aluminin janë të mëdha.

"G6 + 1"

Takimi i ministrave të Financave dëshmoi se G7 të premten dhe të shtunen mund të shndërrohet në një takim ku gjashtë vende do të kenë qëndrime të ngjashme, ndërsa SHBA mund të jetë kundër. Por aktualisht askush nuk do të heqë dorë nga G7, në këto kohëra krizash dhe qëndrimesh ekstreme. Kjo është një mundësi e mirë për takimin e presidentëve dhe kryeministrave të vendeve industriale më të zhvilluara. 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA