...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kundërngjizësi (kontraceptivi): pilula që çliron jetën seksuale dhe shkatërron jetën e përgjithshme të femrave

Kontraceptivët mund të shkaktojnë një kosto tejet të madhe në shëndetin e femrave. Ata janë akuzuar për ndotjen e lumenjëve, për shkatërrimin e martesave dhe vrasjen e nxitjes seksuale, për shëmtimin e femrave, për rritjen e rrezikut të zhvillimit të kancerit të gjirit dhe mitrës dhe për uljen e hormoneve tiroide (duke shkaktuar rënie të energjisë fizike etj.) dhe për shumë efekte të tjerë

Ylli Përmeti

12/06/2019 - 09:40

Shoqëritë njerëzore gjithnjë janë përpjekur të kontrollojnë shtatzanitë. Përpjekjet u intensifikuan shekujt e fundit dhe kulmuan shekullin e kaluar në Amerikë me shpikjen e ‘kontraceptivit’ ose –‘kundërngjizësit’ siç duhet të quhet në shqip: sepse qëllimi i tij është të ndalojë ngjizjen e fëmijës. Kështu duke filluar me vitet ’60 në Amerikë kontraceptivët premtuan kontroll më të madh të lindshmërisë dhe liri më të madhe seksuale. Kontraceptivi përbëhet nga një molekulë hormonike progestogjene, një variant sintetik i një steroidi hormonik natyral. Disa hape përmbajnë vetëm progestinë ndërsa të tjera ndërthurin progestinën dhe një analog estrogjeni.[1]

Por kontraceptivët mund të shkaktojnë një kosto tejet të madhe në shëndetin e femrave. Ata janë akuzuar për ndotjen e lumenjëve, për shkatërrimin e martesave dhe vrasjen e nxitjes seksuale, për shëmtimin e femrave, për rritjen e rrezikut të zhvillimit të kancerit të gjirit dhe mitrës dhe për uljen e hormoneve tiroide (duke shkaktuar rënie të energjisë fizike etj.) dhe për shumë efekte të tjerë.[2] Madje janë quajtur një komplot nga patriarkati.

Sekretet e depresionit (dhe autizmit) dhe një qasje ‘revolucionare’ për kurimin e tij

Sipas një studimi të vitit 1977 kombinimi oral i kontraceptivëve ka një efekt të drejtëpërdrejtë mbi gjendrën e hipofizës, duke shkaktuar një rritje në çlirimin e prolaktinës (një hormon proteinik) dhe një ulje në çlirimin e gonadotropinës (hormon glikoproteinik polipeptid që sekretohet nga qelizat gonadotrope të hipofizës). Ky efekt ndryshon mes individëve që marrin të njëjtin formulim kontraceptivi dhe mund të lidhet me zhvillimin e sindromës së amenorresë (mungesën jonormale të menstruacioneve/postpill amenorrhea-galactorrhea).[3] Një studim i fundit tregon se kontraceptivët që përmbajnë estrogjen dhe progesteron shkaktojnë rritje në peshë, ndryshojnë formën e trupit dhe përbërjen e tij.[4]

Si vepron kontraceptivi?

Nivelet e estrogjenit dhe progjesteronit luhaten përgjatë ciklit mujor femëror. Estrogjeni kulmon pak përpara ovulacionit (shkarkimit të vezës) dhe pas kësaj estrogjeni bie por kulmon progjesteroni i cili përgatit mitrën për barrë. Kontraceptivët çrregullojnë prodhimin normal të hormoneve me estrogjenë dhe progjesteronë sintetikë (të quajtur “progestin”) duke shtypur ovulacionin dhe duke mashtruar gjendrën e hipofizës dhe rrjedhimisht trupin se është me barrë gjithë muajin. Efektivisht, parandalon gjendrën e hipofizës për të prodhuar hormonin e lutropinës, me qëllim që ovulacioni mos të shkaktohet. Kontraceptivi vepron njëherësh në hipofizë dhe në mitër duke e trashur veshjen e saj dhe duke e bërë mjedisin më armiqësor për ngjizje.[5]

Përdorimi i tyre ka marrë përmasa edhe më të rrezikshme në Afrikë: femrat atje përdorin kryesisht DMPA-IM, që njihet si “Depo-provera”, injeksione tre-mujore që i lejon ato të përdorin kontraceptivët në fshehtësi nga partnerët e tyre.

Si të mos mjaftonte pilula e femrave, një praktikë tjetër po zhvillohet për meshkujt në Britani: përdorimi i një xheli për të ndaluar rrjedhën e spermës së mashkullit. Qëllimi është të realizohet efekti i pilulës së femrave (99%). Aktualisht meshkujt përdorin dy praktika kundër ngjizjes, ose prezervativët ose sterilizimin (vazektomi)—bllokimi i dy tubave që përcjellin spermën nga testikulat jashtë organit.[6]

Vazektomia është në rritje në SHBA, kryesisht si pasojë e vendimit të gjykatës së lartë amerikane për dështimin (abortin). Megjithatë, gratë vazhdojnë të bartin barrën e masave kundër ngjizjes.    

 


[1]The chemistry of pill, US National Library of Medicine, 2015 Mar 25.

[2]How the pill can seriously affect a woman`s health, Hormones &Balance, March 27, 2019.

[3]The effect of contraceptive steroids on hypothalamic-pituitary function, American Journal of Obstetrics and Gynecology, Volume 128, Issue 1, May 1977, pages 60-74. Post-pill and pill-related amenorrhea-galatorrhea, American Journal of Obstetrics and Gynecology, 15 July 1971.

[4]How the pill changes your body shape, BBC, 4 October 2018.

[5]Oral contraception: mechanism of action, US National Library of Medicine, 1981.

[6]Male contraceptive gel to be trialled on couples in Edinburgh, BBC, 1 February 2019.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA