...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Lira turke në rënie të lirë ndërsa Erdogani kundërpërgjigjet me bojkot të prodhimeve amerikane

Konflikti midis Turqisë dhe SHBA ka çuar në një rënie të lirë të monedhës turke, rënie që vazhdon edhe në fillimin e kësaj jave. Ankaraja reagon - deri tani me pak sukses

DW

14/08/2018 - 13:33

Rënia e monedhës turke vazhdon - dhe nuk i lë të qeta as bursat. Që javën e kaluar nisi rënia drastike e vlerës së monedhës, të dielën vlera e monedhës turke në krahasim me dollarin ra në një kuotë rekord prej 7,23 Lira. Të hënën kjo vazhdoi dhe që prej fillimit të vitit monedha turke ka humbur gati gjysmën e vlerës së saj. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan përpiqet të qetësojë: ekonomia e vendit të tij është shumë e fortë dhe stabile, për krizë as që mund të bëhet fjalë, thotë ai.

Këtë vëzhguesit jashtë Turqisë e shohin pak ndryshe. "Ky është mohim i realitetit", thotë krye-ekonomisti i Commerzbank-ës, Jörg Krämer. "Natyrisht që Turqia ndodhet në një krizë të thellë. Dhe ka shumë mundësi që e gjitha të përfundojë në një recesion". Një recesion Erdogani synon ta mënjanojë me çdo kusht. Edhe për këtë shkak ai e shtoi muajt e fundit presionin ndaj Bankës Qendrore të vendit. Sepse për shkak të rënies së kursit dhe inflacionit që po kalon kufijtë, ajo në fakt duhet t'i rriste interesat bankare në mënyrë drastike. Por kjo potencialisht mund ta frenonte ekonominë, sepse i bën paratë më të shtrenjta.

Çfarë duhet bërë në frontin e interesave bankare

Në mbledhjen e fundit në qershor, Banka Qendrore turke e rriti normën referuese të interesit nga 16,5 në 17,5 përqind. Por rritja e interesave bankare është halë në sy për Erdoganin. Sepse interesat e ulëta bankare e kanë mbajtur në lëvizje muajt e fundit ekonominë e tij që kishte nisur të dobësohej. Prandaj, Erdogani nënshkroi si të thuash si veprim të parë si President një dekret: me të ai i jep vetes kompetencën që të emërojë në të ardhmen presidentin dhe zëvendëspresidentin e Bankës Qendrore. "Kjo sjell trishtim në bursa - dhe sjell edhe ashpërsim të krizës", mendon Oliver Roth, tregtar aksionesh në shtëpinë tregtare të letrave me vlerë Oddo Seydler.

Me rënien e re të kursit të Lira-s, vlerat kanë rënë edhe në tregun turk të aksioneve. Sepse shumë sipërmarrje ndodhen para një problemi: Lira e dobët ua vështirëson jetën firmave që i kanë borxhet pjesërisht ose krejtësisht në monedha të huaja. Veç kësaj, monedha e dobësuar vështirëson edhe importet në Turqi, gjë që bën të rriten çmimet.

A kanë sukses masat e Bankës Qendore?

Edhe populli vuan, në Turqi inflacioni ecën me përmasa galopante. Për të bërë pazar njerëzve u duhet të shpenzojnë shumë më tepër para.

Për ta frenuar krizën, qeveria dhe Banka Qendrore kanë marrë tani një sërë masash. Nga njëra anë Banka Qendrore bëri të ditur se do t'u vërë në dispozicion të gjitha shumat e parave, për të cilat ato kanë nevojë. Veç kësaj, ministri i Financave dhe kunati i Erdoganit, Berat Albayrak tha që qeveria ka përgatitur "një plan veprimesh", për t'i qetësuar tregjet. Efekte të mëdha këto masa deri tani me sa duket nuk kanë treguar. Shumica e ekonomistëve jashtë vendit besojnë se para së gjithash rritja e interesave do ta stabilizonte monedhën. "Opsioni i mirë do të ishte që Erdogani ta pranojë që ka bërë gabim. Një Bankë e pavarur Qendrore do të rivendoste atëherë me shpejtësi besimin, duke i ngritur interesat bankare", thotë Jörg Krämer.

Por shenjat nuk janë të tilla. Përkundrazi: Presidenti turk e sheh Turqinë si viktimë të një komploti. Dhe ai beson se Lira që ndodhet nën presion do të ngjitet sërish në një nivel të arsyeshëm - si ose pse do të ndodhë kjo, megjithatë mbetet e paqartë.    

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan shpalli "bojkotimin" e aparateve elektronike nga SHBA, si reagim ndaj sanksioneve të SHBA ndaj vendit të tij. SHBA kanë iPhone, tha ai në televizionin turk, por në "anën tjetër" ekziston edhe Samsungu, tha ai, në lidhje me produktin koreanojugor. Veç kësaj Turqia ka prodhuesin e saj të aparateve elektronike, Vestel, shtoi Erdogan. 

Erdogani tha se Turqia po merr masat e nevojshme në lidhje me ekonominë, por është e rëndësishme që të mbahet një "qëndrim i vendosur politik". Kalimi në një monedhë të huaj, përdorimi i saj do të thotë që t'i lëshosh pe armikut, tha Erdogani.

Këto deklarata bëhen kur rënia e monedhës turke Lira ka vazhduar pa ndërprerje. Kjo rënie u përshpejtua që kur SHBA sinjalizuan dyfishimin e sanksioneve ndaj çelikut që eksporton Turqia në SHBA. Ky hap u ndërmorr për shkak të moslirimit nga Turqia të një prifti evangjelist amerikan, të cilin ajo e mban të arrestuar prej tetorit të 2016-ës.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA