...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Makroni “përçan” aleancën euroatlantike lidhur me Rusinë

Makroni u bëri thirrje shteteve të BE-së që të “drejtojnë dialogun e vet” me Rusinë se sa të mbështesin përpjekjet diplomatike të drejtuara nga SHBA-ja dhe NATO

SHJ

20/01/2022 - 16:23

Gjatë javës së dytë, pas bisedimeve në Gjenevë, Uashingtoni përdori “gjuhën e diplomacisë” kundrejt Ukrainës ―se do ta mbronte atë― dhe kërcënime ndaj Rusisë ―se do të përgjigjësh ashpër me sanksione etj. Ndërsa me “mbrojtjen” e Ukrainës krijon iluzione dhe blofon, sepse nuk mund ta mbrojë, Bajdeni pranoi se kishte mospajtime mes aleatëve perëndimorë mbi hollësitë e kundërveprimit ndaj Rusisë.

Komenti i Bajdeni pasoi qendrimin e Emanuel Makronit, presidentit francez, i cili i bëri thirrje BE-së të farkëtojë një plan për “siguri dhe qendrueshmëri” me Rusinë. Ky qendrim e minon aleancën perëndimore me në krye Amerikën ndërsa përputhet deri diku me nismat e disa partive të majta franceze. Jean-Luc Melonchon, për shembull, drejtuesi i partisë “La France Insoumise” (Franca rebele), ka bërë thirrje për daljen e Francës  nga aleanca e NATO-s, ndërsa e sheh Rusinë më shumë si ortak se sa si armik ose kundërshtar.

Makroni u bëri thirrje shteteve të BE-së që të “drejtojnë dialogun e vet” me Rusinë se sa të mbështesin përpjekjet diplomatike të drejtuara nga SHBA-ja dhe NATO, duke mbajtur një qendrim të ndryshëm me çka kërkoi Blinkeni: “bashkim”. Ky qendrim është i pari që shprehet publikisht që kur Amerika paralajmëroi Rusinë dy muaj më parë dhe rrënon një front të bashkuar mes BE-së dhe SHBA-së lidhur ne Rusinë.

Një ditë më pas, ”The Times” raportoi se trupat ruse po i afrohen Ukrainës ndërsa Kina akuzoi SHBA-në për udhëtimin e një anije luftarake në ujëra detare të diskutueshme në Detin Jugor të Kinës. Por marina e SHBA-së tha se po lundronte sipas të drejtës ndërkombëtare dhe në përputhje me angazhimin e saj të mbrojë “çdo të drejtë shtetërore të fluturojë, lundrojë dhe veprojë kurdoherë që e lejon e drejta ndërkombëtare” ndërsa Kina e paralajmëroi për “pasoja serioze”.

Sidoqoftë, një ditë më pas Brukseli risiguroi SHBA-në pas thirrjes së Makronit ndërsa zyrtarët francezë thanë se thirrja e Makronit nuk shkonte kundër bisedimeve të SHBA-së dhe se ishte planifikuar për të forcuar se sa për të minuar unitetin e NATO-s. Kujtoj se Brukseli është acaruar lidhur me mungesën e përfaqësimit të BE-së në bisedime.

Komisioni evropian dhe asambleja e Strasburgut e mbështeti propozimin e Makronit. Por zëvendës ministri i jashtëm rus i rezistoi idesë për bisedime më të gjera dhe tha se Moska do të parapëlqente të bisedonte kryesisht me Uashingtonin. Kujtoj, gjithashtu, se Makroni kërkon të krijojë “autonomi strategjike” për BE-në―të “pavaruar” nga Uashingtoni.    

Për më shumë

“Shahmati” i Putinit ndaj perëndimit dhe variantet e Moskës dhe Uashingtonit   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA