...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Marrëveshja historike për mbrojtjen e deteve dhe e ardhmja e industrisë së peshkimit në Shqipëri

Pas 38 orësh bisedime në zyrat qendrore të OKB-së, 30% e ujërave ndërkombëtare do të mbrohen deri në vitin 2030 kur më shumë se 60 për qind e oqeaneve quhen ujëra ndërkombëtare.

Ylli Përmeti

06/03/2023 - 15:43

Ndërsa dinamika e sistemit neoliberal luan rol vendimtar në shfarrosjen e jetës së deteve, ajo është ndihmuar nga një traktat ndërkombëtar i nënshkruar në vititn 1982 në OKB, i cili lejoi vendet të peshkonin në ujërat ndërkombëtare dhe të lundronin dhe zhvillonin kërkime, duke mbrojtur vetëm 1.2 për qind të ujërave ndërkombëtare! Por pas rreth dy dekadash, filluan përpjekjet në OKB për të detyruar shtetet të ndalonin masakrën mjedisore në dete.

Ylli Përmeti: Drejt shfarrosjes së peshqve, shpendëve, insekteve dhe akullnajave

Përpjekjet kulmuan mbrëmjen e 4 marsit të vitit 2023 kur u arrit një marrëveshje ndërkombëtare. Sipas traktaktit pas 38 orësh bisedime në zyrat qendrore të OKB-së, 30% e ujërave ndërkombëtare do të mbrohen deri në vitin 2030 kur më shumë se 60 për qind e oqeaneve quhen ujëra ndërkombëtare. Kështu bisedimet e zhvilluara mbi mospajtimet e të drejtave mbi financimin dhe peshkimin, përmbysën marrëveshjen e nënshkruar në vitin 1982.

Sipas vlerësimeve të fundit nga Bashkimi Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës (IUCN) gati 10% e specieve detare ishin në rrezik shfarrosje. Por me traktatin e ri do të vendosen kufizime për peshkimin, rrugët detare dhe veprimtaritë e minierave të shfrytëzimit të mineraleve në thellësi të deteve. Çështja e fundit ishte rezultat e përpjekjes së grupeve mjedisore lidhur me proceset e minierave të cilët pengojnë shtimin e kafshëve, shkaktojnë zhurmë dhe janë toksike për jetën e deteve.

Për realizimin e këtij traktati do të përdoret Autoriteti Ndërkombëtar i Shtratit të Detit: ai do të mbikqyr lejet dhe veprimtaritë detare. Çështja kryesore është ndarja e burimeve gjenetike ose lënda biologjike nga bimët dhe kafshët në oqean që mund të kenë dobi për shoqëritë, si në farmaceutikë, procese industriale dhe ushqim.

Vendet e pasura kanë burimet dhe financat për të eksploruar oqeanin e thellë ndërsa vendet e varfëra jo. Për të njëjtën arsye ata kërkuan të siguronin çdo dobi që ata gjejnë të ndahet në mënyrë të barabartë.

Megjithatë, asnjëri nuk e di se sa burime oqeanike kanë vlerë dhe rrjedhimisht nuk dihet se si të ndahen. Duke themeluar kuadrin e parë ligjor për të mbrojtur detet, traktati do të jetë qendror për të zbatuar zotimet e bëra në konferencën e biodeveristetit UN COP15 në dhjetor për të mbrojtur një të tretën e deteve deri në vitin 2030, i cili njihet si zotimi 30 me 30. Vendet do të takohen sërish për ta miratuar marrëveshjen dhe për ta zbatuar atë.

Marrëveshja duhet të miratohet nga 60 shtete përpara se të hyjë në fuqi dhe do të miratohet zyrtarisht në një mbledhje tjetër në OKB. Greenpeace tha se atje kishte “ende të meta në tekst” por traktati ishte një fitore monumentale për mbrojtjen e oqeaneve dhe një shenjë e rëndësishme se multilaterizmi vepron ende në një botë të ndarë në rritje ndërsa komisioneri i mjedisit i BE-së e përshkroi si një “hap përpara për mbrojtjen e jetës së deteve dhe biodiveristetit”.

Të gjitha këto kur oqeanet kanë përthithur 90 për qind të ngrohjes që ka ndodhur në dekadat e fundit për shkak të çlirimeve të gazrave dhe 30 për qind e dioksidit të karbonit të çliruar në atmosferë, duke e vendosur ekosistemin e deteve nën trysni tejet të madhe. Rritja e temperaturave të ujërave të deteve për shkak të ngrohjes globale po prish rrymat e oqeaneve dhe po ndryshon sistemet e ushqimit duke i bërë detet të pabanueshëm për organizmat e tyre.

Marrëveshja e OKB-së është e treta e llojit lidhur me detetet. Ajo pason traktate të veçantë lidhur me nxjerrjen e mineraleve në shtratin e deteve në vitin 1994 dhe rregullimin e stoqeve të peshkut mërgimtar në vitin 1995. Si e tillë, ajo prek dhe Shqipërinë dhe industrinë e saj të peshkut, veçanërisht Rozafën e Lucës, e cila peshkon prej vitesh në ujëra ndërkombëtare pa kufizime.

 Shfarrosja e jetës së deteve dhe lumenjve nga klasa politike, akademike dhe mediatike shqiptare

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA