Nato mund të rrënohet deri në vitin 2025 - akademik neoliberal
Shkaku i rrënimit është ndryshimi thelbësor në të ardhmen mes krahut populist të Partisë Republikane―i cili udhëhiqet nga Donald Trampi por tani qartazi përbën shumicën e Partisë së Vjetër të Madhe
Ylli Përmeti
04/09/2023 - 14:25
Profesori për studime strategjike në Universitetin e St. Andrews në Skotland, O`Brien, publikoi një analizë në revistën amerikane “The Atlantic”, sipas së cilës Nato-ja mund të rrënohet deri në vitin 2025.
Shkaku i rrënimit, sipas tij, është ndryshimi thelbësor në të ardhmen mes krahut populist të Partisë Republikane―i cili udhëhiqet nga Donald Trampi por tani qartazi përbën shumicën e Partisë së Vjetër të Madhe―dhe shqetësimet ekzistenciale të sigurisë në shumicën e Evropës. Kataliti i menjëhershëm për rrënimin [e Nato-s] do të jetë lufta në Ukrainë. Kur dy fraksionet mbizotëruese brenda dy partive kryesore amerikane nuk shohin rëndësinë për të ndihmuar vendin me mendje demokratike [Ukrainën] për të luftuar pushtuesit rusë, kjo tregon se spektri qendror politik është zhvendosur në mënyra që e paraqet SHBA-në si një aleate më pak të besueshme në Evropë. Kjo e fundit duhet të përgatitet përputhshëm. Javët e kaluara kanë zbuluar se prespektiva e Trampit pro-rus dhe anti-Nato nuk është thjesht një parantezë e shkurtër në politikën republikane; dyshimi për përfshirjen amerikane në mbështetjen e Ukrainës tashmë është marrëveshja e përgjithshme e bërthamës së partisë.
Për të mbrojtur argumentin e tij ai përmend disa nga qendrimet e bërthamës republikane ndërsa më tej përmend dhe Heritage Foundation, një qendër studimore konservative që ka luajtur një rol të jashtëm në qarqet politike të partisë së vjetër republikane që nga koha Reganit.
“Përpara se Rusia të niste pushtimin e saj të shkallës së plotë, në shkurt të vitit 2022, Heritage ka qenë në krahun e politikës agresive të Partisë Republikane, qoftë edhe duke publikuar një thirrje për Ukrainën për t`u pranuar në Nato. Së fundmi, zyrtarët e Heritage kanë thirrur për ndalimin e ndihmës derisa administrata e Bajdenit të prodhojë një plan për të përfunduar luftën―i cili është një qëllim i pamundur përjashto rastin kur pajtohet Rusia. Demagogët në të djathtën [amerikane] po mbajnë anën e Putinit qoftë edhe më hapur”, argumenton ai.
Më tej ai bën lidhjen mes dinamikës që po zhvillohet në partinë republikane amerikane me sfidën që paraqet ajo për Nato-n dhe Evropën. Këtë të fundit e këshillon të zhvillojë industrinë e saj ushtarake për t`u përballur me Rusinë në Ukrainë. Por pasi shqyrton dhe këtë variant, ai përfundon se “nëse evropianët nuk fillojnë të planifikojnë për skenarin më të keq, [rikthimin e Trampit në Shtëpinë e Bardhë] ata nuk duhet të fajësojnë asnjë por veten”, sigurisht, pasi përmend faktin se “edhe nëse zgjedhjet fitohen nga Bajdeni, kontrolli republikan i Dhomës, Senatit, ose të dyjave, mund të dobësojë thelbësisht mbështetjen amerikane për Ukrainën”. Por nëse “zgjedhjet i fiton Trampi ose një nga ndjekësit e tij në nëntor të vitit 2024, Evropa mund ta gjejë veten me një administratë të re amerikane e cila do të ndalojë ndihmën për Ukrainën” ndërsa do të mbështesë Putinin.
Sigurisht, autori, niset nga premisa se në luftën e Ukrainës fajin e ka Rusia dhe jo Uashingtoni dhe Evropa neoliberale. Ndaj ai s`përmend as kundërshtinë e të majtës amerikane ndaj mbështetjes së Ukrainës. Por ai ka të drejtë kur thotë se dinamika politike amerikane përcakton fatin e luftës në Ukrainë por s`ka të drejtë kur këshillon elitat evropiane të zhysin kontinentin në shpenzime ushtarake për të mposhtur Rusinë në Ukrainë: sepse edhe nëse ato zhysin popujt në shpenzime ushtarake dhe i përgatisin për luftë, ato s`kanë asnjë mundësi për të mposhtur Rusinë, sidomos në kushte kur Uashintoni heq dorë nga mbrojtja e kontinenit.
Fati i elitave neoliberale evropiane, ose të atyre që mbështetën rrëfenjën e Uashingtonit neoliberal, me në krye Bajdenin, do të përcaktohet në zgjedhjet e ardhshme amerikane, sidomos nëse rizgjidhet Trampi: nëse ndodh kështu, Trampi për to do të jetë “efekti domino” ose goditja përfundmitare e tyre ndërsa do të lulëzojnë të djathtat evropiane me në krye Lepenin.
Në këto kushte, ndryshon tërësisht realiteti gjeopolitik i Serbisë, sidomos kur dihet se investimet amerikane në Serbi, janë disafish më të larta se investimet në Kosovë dhe Shqipëri, dhe sidomos kur dihet se si qeveria “Rama” ashtu dhe qeveria “Kurti” janë sorosite, dhe Trampi e ka “halë në sy atë”, dhe karakteri neoliberal i Evropës dhe rajonit tonë nuk do të ndryshojë menjëherë, do të urdhërojë arrestimin e tyre nga organet e drejtësisë apo mund të fillojë një luftë politike kundër tyre duke përdorur skandalet e mirëditur por dhe të tjerë të panjohur deri tani.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 18 reads