...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ndërsa Trampi kërkon të rikonceptojë armët bërthamore, START-i kërkon reduktimin e tyre

Departamenti i Shtetit thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia pritet të realizojnë brenda afatit kufizimet e vendosura nga Traktati për Reduktimin e Armëve Strategjike, i njohur si “Traktati i Ri START”.

Voa

06/02/2018 - 10:06

Ekspertët thonë se megjithë thellimin e hendekut mes Uashingtonit dhe Moskës mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje, konfliktet në Siri dhe Krime si dhe çështje të tjera, fakti që të dyja palët vazhdojnë të respektojnë parametrat për monitorim dhe verifikim të stoqeve bërthamore, është jetik për sigurinë globale.

Sot mbushen tetë vjet që kur në Pragë u nënshkrua Traktati i ri START nga presidentët e atëhershëm Barak Obama dhe Dmitri Medvedev.

Sot është edhe afati i fundit që të dyja palët të realizojnë reduktimet që parashikon traktati për një numër armësh strategjike, përfshirë mbushjet bërthamore dhe raketat e dislokueshme balistike ndërkontinentale. Departamenti i Shtetit thotë se ka zhvillime pozitive në këtë front:

“Shtetet e Bashkuara kanë realizuar reduktimet që ka vendosur START-i i ri në gusht 2017. Sipas analizës sonë, edhe Rusia ka përparuar drejt të njëjtit synim. Nuk kemi arsye të dyshojmë se qeveria ruse nuk do të përmbushë kufizimet,” - tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert.

Në bazë të traktatit, të dyja palët duhet të shkëmbejnë informacion dy herë në vit mbi numrin e mbushjeve bërthamore dhe sistemeve lëshuese, si dhe u lejohet një inspektim në baza për të verifikuar që pala tjetër po respekton kufizimet. Ekspertët thonë se mundësia për të dërguar specialistë verifikimi në terren ndihmon për të forcuar besimin.

“Ky sistem kufizon tendencën për të mashtruar dhe u jep palëve mundësinë të takohen dhe të ndërtojnë një marrëdhënie që bazohet tek përmbushja e parametrave të një traktati që e kanë miratuar të dyja palët,” - thotë analistja Olga Oliker.

Në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit, Presidenti Trump parashtroi politikat e tij lidhur me armët bërthamore:

“Duhet ta modernizojmë dhe ta rimbushim arsenalin bërthamor. Shpresojmë që të mos na duhet ta përdorim ndonjëherë, por ta bëjmë aq të fuqishëm sa që të shërbejë si faktor parandalues ndaj agresionit. Ndoshta një ditë, në të ardhmen, do të kemi një moment të magjishëm kur vendet në të gjithë botën do të bashkohen për të eliminuar armët bërthamore. Për fat të keq ende nuk jemi në atë pikë”.

Ekspertët thonë se megjithë marrëdhëniet e mira mes presidentëve Donald Trump dhe Vladimir Putin, ka një numër mosmarrëveshjesh mes dy vendeve:

“Mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia gjejnë mirëkuptim për një numër temash por kanë edhe mospërputhje në një numër interesash. Kjo e bën edhe më të rëndësishëm bashkëpunimin që këto mosmarrëveshje të mos acarohen, ose nëse thellohen, të mos shndërrohen në shkëndija që do ta hidhnin botën në erë,” - thotë analistja Olba Oliker.

Analistja Oliker thotë se Traktati i ri START ka rëndësi jetike për sigurinë globale pasi Shtetet e Bashkuara dhe Rusia zotërojnë rreth 95% të arsenalit global bërthamor.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA