...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Nga krijimi i institucionit më të rëndësishëm në “ultimatumin” Schultz: ose “Shtetet e Bashkuara të Europës” ose...

Dritë e jeshile për krijimin e institucionit më të rëndësishëm -supranacional- të BE-së: fondit monetar europian. Por çfarë ‘fshihet’ pas krijimit të institucionit më të rëndësishëm ekonomik të BE-së?

SHJ

07/12/2017 - 17:52

Mekanizmi europian i stabilitetit (ESM) u krijua në vitin 2012 në kulmin e krizës financiare. Tashmë ai do të konvertohet në “Fond Europian Monetar” me pushtete të rinj dhe të gjerë. Ndryshimi kryesor do të jetë reduktimi i kontrollit të tij nga 19 qeveritë anëtare i cili është në fuqi përmes një marrëveshje ndërkombëtare që nuk ishte nën kompetencën e ligjit të BE-së. Brukseli argumentoi se zhvendosja ligjore do të përmirësojë përgjegjësinë demokratike të fondit, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në shpëtimin e Greqisë, Irlandës, Qipros dhe Portugalisë. Jean-Claude Juncker, presidenti i komisionit Europian, ka thënë se fondi duhet të ankorohet ngushtësisht në ligjet dhe kompetencat e Bashkimit Europian. Por lëvizja preku nervin e qeverive, të cilat furnizojnë fondin me 80 miliard euro kapital të brendshëm i cili lejon fondin të huazojë në shtetet anëtare të cilët kanë nevojë për shpëtime financiare. Pavarësia e fondit mbrohet rreptë nga Gjermania — kontribuesja e vetme më e madhe. Mekanizmi gjeneronte fonde, gjithashtu, në tregjet financiarë ndërkombëtarë për shpëtime bankare. Efektivisht, fondi bashkë me ministrinë e ekonomisë, vendos epitafin mbi ministritë rajonale të shteteve anëtare dhe i kthen ato thjesht në ekzekutore të urdhërave qendrore. Nëse konsiderojmë natyrën e pushtetit ekonomik –qoftë edhe ashtu siç është, me ndryshime të mëdha mes shteteve— në raport me shtetin, institucioni përkatës kontrollon rreth 80% të sovranitetit të tij ndërsa pjesën tjetër e kontrollon përmes pushtetit juridik dhe politik: nga 10% çdo njëri! Në këtë mënyrë, Europa kthehet në një fedetatë të kompletuar.

Lidhur me këtë ndryshim strukturor, Martin Schultz, ndoshta trashëguesi i kancelarisë gjermane dhe udhëheqësi i partisë social-demokrate, paraqiti vizionin e tij për “Shtetet Bashkuar të Europës”, ndryshe nga sa veproi përgjatë zgjedhjeve të fundit, hamendësisht sepse kishte frikë se mos ndikonte për keq në zgjedhje, duke u propozuar anëtarëve të BE-së ose të nënshkruajnë bashkimin federal ose të lënë bllokun, dhe të angazhohen në axhendën ambicioze reformuese të “Shteteve të Bashkuar të Europës”, deri në vitin 2025, pasi ra në ujdi me Merkelin për krijimin e qeverisë së re! Kështu Schultz-i tha në konferencën e partisë në Berlin se ai donte që anëtarët e BE-së të miratojnë një “traktat kushtetues” të ri për të themeluar bashkimin federal dhe se vendet që nuk e nënshkruajnë atë do të duhet të lënë bllokun. Ky traktat kushtetues do të shkruhet nga një konventë që do të përfshijë shoqërinë civile (....) dhe popujt. Më pas traktati kushtetues do të duhet t’i paraqitet anëtarëve dhe ata që nuk e miratojë do të duhet të lënë automatikisht BE-në. Ai bëri thirrje gjithashtu për një lëvizje drastike në qendrimin e Gjermanisë mbi reformën e eurozonës. Qëndrimi i tij ushton në disa nga kërkesat e Makronit, presidentit francez, por është i ndryshëm me disa nga qendrimet e qeverisë së Merkelit. “Ne nuk kemi nevojë për një diktat europian të kursimeve, ne kemi nevojë për investime në një buxhet eurozone”, tha Schultz. Ne kemi nevojë për një ministër të financës europiane që kufizon konkurrencën mes shteteve (“curbs the race to the bottom”) në politikën e taksave dhe i jep fund shmangies së padurueshme të taksave. Ne kemi nevojë për një kuadër europian për një rrogë minimale që i jep fund uljes së rrogave (“wage dumping”)...BE-ja nuk mund të durojë edhe katër vjet të tjerë të politikës gjermane kundrejt Europës à la Wolfgang Schauble...ish-ministrit të financave gjermane dhe aktualisht kryetar në Bundestagu gjerman.      

Plani kohor për ristrukturimin e gjerë të Eurozonës është gati: deri në mesin e vitit 2019, Komisioni i BE-së synon të krijojë një Fond Monetar Evropian dhe postin e Ministrit të Ekonomisë dhe të Financave.

Ministri i ri evropian i Çështjeve Ekonomike dhe Financave duhet të jetë në të njëjtën kohë nënkryetar i Komisionit si dhe shefi i Eurogrupit, njoftoi Komisioni i BE-së në Bruksel. Komisioni shpreson se kjo do të sjellë një bashkim të përgjegjësive dhe të kompetencave. "Pas viteve të krizës, tani është koha për të marrë të ardhmen e Evropës në duart tona", tha Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker. Qëllimi është një bashkim ekonomik dhe monetar "më i bashkuar, efikas dhe demokratik". Gjendja e mirë ekonomike e bën të mundur këtë, theksoi Juncker. "Nuk ka kohë më të mirë për të rregulluar çatinë se kur ndriçon dielli ".

Propozime të mëtejshme të Komisionit parashikojnë krijimin e "instrumenteve të reja buxhetore" për të ndihmuar shtetet anëtare që të zbatojnë reformat dhe të hapin rrugën për vendet jo anëtare të monedhës së përbashkët euros. Në të njëjtën kohë, Brukseli dëshiron që ta shndërrojë në ligj të BE-së Paktin Fiskal Evropian mbi disiplinën buxhetore, i cili deri tani bazohet vetëm në një traktat ndërqeveritar.

Spiranca e fundit e shpëtimit për bankat

Si model për Fondin Monetar Evropian është e qartë që shërben Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili ka luajtur një rol qendror në shpëtimin e vendeve të krizës në Evropë. Si bazë do të shërbejë fondi i shpëtimit të euros ESM. Fondi Monetar i BE-së duhet të ndërhyjë si mundësia e fundit, nëse fondet ekzistuese për përmirësimin e rregullt të gjendjes së bankave me probleme nuk janë më të mjaftueshme.

Planet e Komisionit për reformën e Eurozonës janë kontributi i tij për samitin e kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të BE-së në fund të javës së ardhshme, dhe bazohen në një fjalim të Junckerit në shtator. Për zbatimin e këtij plani Brukselit i mbetet rreth një vit, sepse nga fundi i vitit të ardhshëm fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet evropiane në fillim të verës së vitit 2019. Gjatë kësaj kohe, vështirë se parlamentin mund të kalojë ndonjë projekt. Një problem tjetër është se formimi i qeverisë në Gjermani po zvarritet. DW   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA