...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Një grup senatorësh paraprijnë Shtëpinë e Bardhë për Rusinë: bëjnë sanksionet të përhershme

Një grup senatorësh amerikanë ranë dakord për një ligj për forcimin e sanksioneve ndaj Rusisë, përfshirë një klauzolë e cila kërkon rishikimin nga Kongresi, në se Shtëpia e Bardhë zbut, ndalon, ose i jep fund sanksioneve që janë në fuqi ndaj Rusisë.

VOA

13/06/2017 - 18:14

Projektligji që gëzon mbështetjen e senatorëve nga të dyja partitë, vjen në formën e një amendamenti ndaj një ligji që Senati po shqyrton për të vendosur sanksione ndaj Iranit. Ligji pritet të ketë mbështetje të madhe kur të paraqitet për votim në Senat; më pas ai duhet të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe të nënshkruhet nga Presidenti Donald Trump.

Në një deklaratë të përbashkët të udhëheqësve republikanë dhe demokratë në Komisionin Bankar të Senatit, thuhej se amendamenti i ri “do të zgjeronte sanksionet ndaj qeverisë ruse, si përgjigje ndaj shkeljes së integritetit territorial të Ukrainës dhe Krimesë, sulmeve të saj kibernetike, ndërhyrjes në zgjedhje, si dhe vazhdimin e agresionit në Siri.” [...]

Ky ligj do të fuqizonte sanksionet ekzistuese që kanë si objektiv projektet ruse të energjisë, ndërsa vendos sanksione të reja ndaj grupeve, apo personave të përfshirë në shkelje serioze të të drejtave të njeriut, furnizimin me armë të qeverisë siriane, kryerjen e aktiviteteve kibernetike dhe zhvillimin e biznesit me zbulimin dhe mbrojtjen ruse.

Dhoma e Përfaqësuesve, Senati, si dhe një prokuror i posaçëm i caktuar nga Departamenti i Drejtësisë, janë duke zhvilluar hetime lidhur me aktivitete në lidhje me zgjedhjet e nëntorit në Shtetet e Bashkuara dhe për lidhje të mundshme ruse me zyrtarë të fushatës së zotit Trump.

Komuniteti amerikan i zbulimit në janar arriti në përfundimin se Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi që Rusia të ndikonte tek fushata zgjedhore amerikane për të dëmtuar demokraten Hillary Clinton dhe për të ndihmuar shanset e zotit Trump për t’i fituar zgjedhjet.

"Sanksionet shtesë po ashtu do t’i dërgonin një deklaratë të fuqishme dypartiake Rusisë dhe cilitdo vend që mund të përpiqet të ndikojë tek zgjedhjet tona dhe se për këtë ata do të ndëshkohen”, - tha udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer.   

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA