...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Numri i të vdekurve nga tërmeti i shkurtit 2023 në Turqi, 50,500

Një tërmet i ngjashëm në lindje të Turqisë, Erzikan, në dhjetor të vitit 1939, vrau 30,000 njerëz

Ylli Përmeti

06/02/2023 - 09:05

Një tërmet prej 7.8 ballë goditi pranë rajonit të Gaziantepit të Turqisë dhe pranë kufirit me Sirinë, në orët e para të mëngjesit (04:17) të 6 shkurtit 2023, në thellësinë 17.9 km. Ai u pasua nga një tjetër pas nëntë orësh pranë rajonit të Ekinozisë, rreth 100 km në veri të vendit, me magnitutë 7.5 dhe në thellësinë 10 km, me dhjetra pasgoditje, dhe është tërmeti më i fuqishëm në 80 vitet e fundit.

Tërmeti i fundit i vitit 1999 në Izmit me magnitudë 7.6 ballë vrau 18,000 njerëz ndërsa një tërmet i ngjashëm në lindje të Turqisë, Erzikan, në dhjetor të vitit 1939, vrau 30,000 njerëz!

Sipas një raporti, numri i të vdekurve nga tërmeti shkoi në 50,500. Gaziantepi është një rajon me më shumë se 2 milionë banorë. Njësoj si Erzikani, ai qendron mbi një vragë sizmike. Për vragat përkatëse studiuesit kanë paraljamëruar. Por qeveritë dhe kryetarët e tyre nuk mësojnë po s`e pësuan.

Gjeologët thonë se tërmeti ishte pasojë e shtytjes së pllakës arabike drejt pllakës anatolike drejt perëndimit me një përqindje vjetore prej 2 cm. 

 Sipas njoftimeve vetëm në Turqi janë rrënuar rreth 11,342 ndërtesa, nga të cilat 5,775 të verifikuara. Bashkë me rrënimet e Sirisë shifrat do të rriten. OBSH-ja tha se shifra e të vdekurve mund të kalojë me tetëfish numrin aktual prej 3,400 njerëz. 

Pas tërmetit shpërtheu dhe një linjë gazi ndërsa moti me rreshje të dendura dhe temperaturat e ulëta e bëjnë përpjekjen për shpëtimin e jetëve nën rrënoja më të vështirë.

Një numër prej 1,660 njerëzish nga 65 vende shkuan për të ndihmuar në shpëtimin e viktimave. Bashkë me shpëtimtarët turq bëhen 13,740 njerëz. Ata kishin vinça dhe mjete të tjera. Mbrriten dhe 300,000 kuverta dhe 41,504 tenda familjare.

Përgjegjësi të madhe për efektin e tërmetit ka dhe qeveria e Erdoganit dhe lidhjet e saj me industrinë e ndërtimit. Këtë fakt po e shfrytëzon shtypi perëndimor dhe po e tregon atë si fajtorin kryesor.

Ditën e tretë të tërmetit, raportohet se pavarësisht zbarkimit të shumë ekipeve të shpëtimit, shumë lagje me ndërtesa të rrënuara nuk janë prekur fare―çka nënkupton faktin se ekipet e shpëtimit janë të pamjaftueshëm. Mungesa e ekipeve, i ftohti i acartë dhe mungesa e energjisë elektrike, ka bërë që shumë banorë të humbasin shpresën e shpëtimit të njerëzve të tyre.  

Një ndër shqetësimet kryesore të popullit të rrënuar nga tërmeti në Turqi, është mungesa e ekipeve të shpëtimit. Erdogani pranoi ditën e dytë, kur shkoi në terren, se Turqia kishte mungesa lidhur me ekipet e shpëtimit. Por nuk pamë të mobilizonte ushtrinë e “madhe” të Turqisë! As pamë të mobilizonte popullin e paprekur nga tërmeti!

Si ushtria ashtu dhe populli mund të ndihmonin në përpjekjet e shpëtimit të njerëzve nën rrënoja.

Udhëheqësi i opozitës kryesore të Turqisë, Kemal Kilicdaroglu, akuzoi Erdoganin si përgjegjësin kryesor të tragjedisë ndërsa presidenti tha se ata që thonë se nuk kanë parë forcat e sigurisë janë “provokatorë”.

Shërbimet e emergjencës janë fajësuar për mbërritjen e vonuar në terren dhe në disa raste për moslejimin e gërmuesve me mjetet e tyre. Një arsye tjetër se pse populli i rrënuar akuzon qeverinë lidhet me “taksën e tërmetit”. Pas tërmetit të vitit 1999 u imponua taksa në fjalë për të mbuluar humbjet ekonomike. Si fillim përkohësisht dhe më pas u bë e përhershme. Pas 24 vitesh vlerësohet se qeveria duhet të ketë mbledhur 88 miliardë lira. 

Përditësuar

Literaturë:

Filozofia e ndërtimit, parashikimi i tërmeteve dhe parandalimi i tragjedive sociale

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA