...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Perëndimi shton praninë ushtarake në Ukrainë dhe rreth Rusisë: Putini paralajmëron ndërsa Bajdeni kundërparalajmëron

Shtypi rus njoftoi se gjithë nëndetëset bërthamore ruse, të Flotës Paqësore të Marinës Ruse, u nisën urgjentisht nga bazat ushtarake të Vilyuchinsk dhe u vendosën në alarm — të gatshme për luftë!

Ylli Përmeti

28/11/2021 - 11:40

Gjatë muajve të fundit të vitit 2021 tensioni mes perëndimit dhe Rusisë u rrit sërish: si fillim me gazin dhe më pas me gjendjen në Ukrainë. Për këtë të fundit, perëndimi dhe në veçanti Amerika, po shton pajisjet luftarake dhe po “luan” me mundësinë e përfshirjes së saj në NATO. Mirëpo, këto veprime janë “vija të kuqe” për Rusinë. Për të njëjtën arsye, Putini paralajmëroi perëndimin se do t`i përgjigjësh atij “përputhshëm”. Ky paralajmërim u kuptua nga perëndimi si një përpjekje e re e Rusisë për të aneksuar pjesën lindore të Ukrainës sidomos në kushte kur ushtria ruse po zbarkonte mijëra ushtarë dhe pajisje luftarake përgjatë kufirit të dy vendeve.

Këtij zbarkimi Uashingtoni iu përgjigj me dërgimin e një luftanijeje (destrojeri) në detin e zi pas dërgimit të një anijeje tjetër në fillim të muajt (Mount Whitney) si pjesë e ushtrimeve ushtarake të NATO-s dhe aleatëve: Ukrainës. Pas tij veproi dhe Britania; kjo e fundit shtoi trupat dhe pajisjet ushtarake në Gjermani pavarësisht se kishte deklaruar zyrtarisht më shumë se një vit më parë tërheqjen e tyre nga vendi përkatës, me qëllim që të mbështesë NATO-n meqë tensionet mes Moskës dhe Ukrainës ishin të larta dhe perëndimi kishte dyshime se Moska kishte planifikuar ndërhyrje ushtarake në Ukrainë. Sipas planeve të përshkruar si “radikal” në ristrukturimin e forcave tokësore, qeveria britanike njoftoi se një bazë NATO-je në Sennelager, pranë qytetit gjerman Paderborn, do të bëhet një nga “qendrat e reja tokësore rajonale” për ushtrinë britanike, krahas Omanit dhe Kenias.

Lëvizja paraqet një kthesë 180 gradë vetëm në mbi një vit pasi Britania përfundoi një prani të përhershme ushtarake në tokën gjermane, Bielefeld, që ishte mbajtur që nga fundi i luftës së dytë botërore, e cila ishte kulmi i një dekade tërheqjeje prej 20,000 trupash. Kievi pretendoi se trupat ruse kalonin 114,000 të vendosura në veri, lindje dhe jug të Donbasit, një rajon shumica e të cilit flet rusisht, ku separatistët e mbështetur nga Moska kanë luftuar pas grushtit të shtetit pro-perëndimor të vitit 2014. Ndërsa Britania synon zvogëlimin e forcave të armatosura me 9,000 në vetëm 73,000, gjatë katër viteve të ardhshëm, dhe krijimin e një “regjimenti policor” prej 1,200 vetë (“ranger regiment”) të modeluar sipas ushtrisë elitë amerikane “Beretat e Gjelbërta”, e cila do të veprojë jashtë vendit në rajone si Afrika lindore, më herët Bajdeni pezulloi tërheqjen e mijëra trupave amerikane nga Gjermania të planifikuara nga Trampi!

Mes Kievit dhe Moskës zhvillohet dhe një luftë tjetër, politike. Volodymyr Zelenski, presidenti i Ukrainës, njoftoi një “komplot” të mbështetur nga Moska për rrëzimin e tij por duke u mbështetur vetëm në shërbimet inteligjente dhe në një regjistrim bisedash mes rusëve dhe ukrainasve pa emër...dhe jo në fakte konkrete! Ai shtoi se komplotistët e dyshuar kishin biseduar fitimin e “biliona dollarëve” duke ngashënjyer oligarkun më të pasur të Ukrainës, Rinat Akhmetov, në veprimtari. Putini pranoi një javë më pas se ndihësh i kënaqur për faktin se paralajmërimet e Kremlinit rreth “vijave të kuqe” —se Moska nuk do të pranojë ndihmë të mëtejshme ushtarake ndaj Ukrainës dhe anëtarësimin e vendit në NATO— kishte hutuar perëndimin. Ai tha se fuqitë perëndimore po e përdornin Ukrainën për qëllimet e tyre agresive kundër Moskës duke financuar ushtrinë e saj dhe duke zhvilluar manovra provokative pranë kufijëve të Rusisë.

Mes presidentit ukrainas dhe oligarkut ekonomik që përmenda më herët është zhvilluar një luftë tjetër: i pari kërkon të kufizojë përpjekjet e oligarkut në fjalë dhe oligarkëve ekonomikë në përgjithësi mbi politikën dhe kontratat shtetërore ndërsa i dyti, me televizionin e tij, si fillim i thuri lave presidentit të ri por javët e fundit ka filluar kritikat e ashpra ndaj tij.

Vetë populli rus vajton ‘rrugën e ndarë’ të Ukrainës ndërsa Putini, siç ka argumentuar në një analizë të thellë historike së fundmi, beson se Ukraina është pjesë e patjetërsueshme e botës ruse, një sferë e përqendruar në influencën e Moskës e rrënjosur në Bashkimin Sovjetik dhe perandorinë cariste ndërsa ka përshkruar rrënimin e BS si “katastrofën më të madhe të shekullit 20” dhe dyshon arsyet mbi të cilat Ukraina u nda nga Rusia. Ai e lidh Ukrainën, ku i Madhi Vladimir —sunduesi i parë kristian rus, një shtet i mesjetës i drejtuar nga Kievi, që u pagëzua në vitin 988 e.s si Mali i Tempullit Rus— një nocion që nuk ka bazë ideologjike por e paraqet Putinin si mbrojtës të rusëve kudo. Ai është i bindur se sovraniteti i vërtetë i Ukrainës është i mundur vetëm përmes bashkëpunimit me Rusinë dhe paralajmëroi se Moska nuk do ta lejojë kurrë vendin përkatës të bëhet, siç është bërë, me ndihmën perëndimore, “anti-ruse”. Populli i Ukrainës sipas Putinit është një me popullin rus të Rusisë ndaj ata duhet të mbështesin integrimin me Rusinë. Por meqë vendi diktohet nga perëndimi populli mashtrohet dhe është peng i lojrave gjeopolitike.           

Pas lëvizjeve të amerikanëve me luftanijet dhe britanikëve me ushtrinë por dhe lëvizjeve të NATO-s në përgjithësi, rreth kufijëve të Rusisë dhe përfshirjes në Ukrainë, shtypi rus njoftoi se gjithë nëndetëset bërthamore ruse, të Flotës Paqësore të Marinës Ruse, u nisën urgjentisht nga bazat ushtarake të Vilyuchinsk dhe u vendosën në alarm — të gatshme për luftë! Tre ditë më pas Putini paralajmëroi vendet e NATO-s se zbarkimi i armëve ose ushtarëve në Ukrainë do të kalonte “vijën e kuqe” për Rusinë dhe shkrepte një përgjigje të fuqishme duke përfshirë zbarkimin e mundshëm të raketave ruse duke shënjestruar Evropën. Putini, një ditë më pas, kërkoi garanci nga perëndimi për mos zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s dhe vendosjen e armëve të saj pranë kufirit me Rusinë përmes një marrëveshje ndërsa diplomatët rusë shprehën shqetësim për përforcimet ushtarake të Ukrainës pranë zonës së konfliktit në lindje të vendit.

Bajdeni u përgjigj pas dy ditësh jo ndaj kërkesës së Putinit por paralajmëroi se do t`ia bënte “shumë, shumë të vështirë” atij synimin e tij në Ukrainë: sepse Uashingtoni beson se Rusia mund të pushtojë Ukrainën “herët në vitin 2022” duke përfshirë 175,000 trupa ushtarake ndërsa pas pak orësh “Uashington Post” publikoi disa nga hollësitë e “planit të Rusisë” të siguruara nga shërbimet inteligjente amerikane që nuk u klasifikuan si sekrete. Ndërsa paralajmërimi i Bajdenit lidhet me sanksionet të reja ndaj Rusisë vetë ministri i jashtëm amerikan, Blinkeni, tha se “SHBA-ja nuk kërkon konflikt [me Rusinë] dhe mënyra më e mirë për të ndaluar krizën dhe spiralen negative në marrëdhëniet e gjera [mes dy vendeve] është “përmes diplomacisë dhe shpërshkallëzimit”.

*Përditësuar 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA