...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Poshtërimi (bullizmi) i fëmijëve: nga buron dhe pse “ekspertët” tregojnë kodra pas bregut?

Se si parandalohet poshtërimi i fëmijëve, rrjedhimisht, dhe pasojat që ai shkakton, është e qartë: duke zhvilluar dashurinë dhe vetë-përmbajtjen. Por si mund të zhvillojmë dashurinë dhe vetë-përmbajtjen te fëmijët kur gjithë shoqëria është në konkurrencë për të përqendruar pushtet dhe konkurrenca vetëm dashuri dhe vetë-përmbajtje nuk zhvillon?

SHJ

21/05/2018 - 15:11

Sociologët dhe psikologët e establishmentit paraqiten padije edhe lidhur me poshtërimin e fëmijëve. Rasti i adoleshentit që vrau bashkënxënësit e tij në Teksas të Amerikës, mes shumë rasteve të tjerë, është ilustrativ. Arsyeja se pse i vrau ata ishte poshtërimi (“bulling” e quajnë psikologët dhe sociologët e anëve tona, duke ndjekur verbërisht kolegët e tyre dhe duke mos u përpjekur t’i japin kuptim në shqip dhe duke treguar pakuptimësi dhe përtaci qoftë edhe te fjalët!). Por ai është fëmijë dhe supozohet se nuk i kupton shkaqet e vërtetë se pse i vrau dhe për të njëjtën arsye, “ekspertët” e establishmentit nuk duhet të mjaftoheshin me pohimin e tij dhe të na tregonin, edhe një herë, pohimin e adoleshentit si shkakun përfundimtar duke i shpallur luftë poshtërimit bashkë më mësuesit e shkollave! Në këtë dinamikë, gazetarët e oligarkisë, të zhytur në padije, gjithashtu, përsërisin si papagall “ekspertët”.

Ylli Përmeti - nga kriza politike në krizë sociale: depresioni, ndarjet, droga, vetmia...gjymtojnë shoqëritë*

Kështu, së pari, që të poshtërojnë fëmijët njëri-tjetrin tregojnë se janë keqedukuar: sepse supozohet se fëmijët do të zhvillojnë dashurinë për njëri-tjetrin dhe jo poshtërimin. Së dyti, nga kush kanë mësuar fëmijët të poshtërojnë? Nuk kërkon shumë mend: nga shoqëria dhe veçanërisht nga politikanët profesionistë të cilët janë në një përpjekje të përhershme për të poshtëruar palën kundërshtare. Pse? Sepse duan të administrojnë pushtetin e institucioneve që ka krijuar shoqëria (në fakt, vetë elitat, ndërsa shoqëria thjesht i ndjek). Për të poshtëruar palën kundërshtare ata përdorin më shumë shpifjet dhe gënjeshtrat se sa drejtësinë. Fëmijët mësojnë të poshtërojnë dhe nga prindërit kur shumë prej tyre poshtërojnë njëri-tjetrin në familje shkaqet të cilëve po i lë mënjanë këtu. Mësojnë dhe nga ndërveprimet sociale kur shumë përpiqen të poshtërojnë tjetrin shkaqet e të cilëve po i lë gjithashtu mënjanë këtu. Së treti, fëmija që nuk e pranon poshtërimin tregon se ka zhvilluar disa vlera —me një fjalë, dinjitetin, dhe nuk pranon ta poshtërojnë. Në pamundësi për t’i rezistuar poshtërimit dhe nga urrejtja që zhvillon për njerëzit që e poshtërojnë dhe për shkak se zhvillimi intelektual është i pjesshëm në këtë moshë (zhvillimi intelektual mbetet i pjesshëm në të vërtetë, për shkak të kuadrit institucional dhe njerëzve që e administrojnë atë), sepse është mendja që kontrollon urrejtjen dhe pasionet e tjerë të njeriut...përfundon në hakmarrje duke përdorur armët e zjarrit. Në rastin konkret, adoleshenti kishte përdorur armën e babait. Nëse nuk do të kishte përdorur armën e babait me siguri do të gjente një armë tjetër.

Kështu në vend të kuptonin shkaqet e vërtetë “ekspertët” e establishmentit, na thanë se fajin e ka poshtërimi (bullizmi!); ca të tjerë se fajin e ka babai që mban armë në shtëpi dhe ca të tjerë se fajin e kishte një gocë që e refuzonte në kërkesat e tij! Se si parandalohet poshtërimi i fëmijëve, rrjedhimisht, dhe pasojat që ai shkakton, është e qartë: duke zhvilluar dashurinë dhe vetë-përmbajtjen. Por si mund të zhvillojmë dashurinë dhe vetë-përmbajtjen te fëmijët kur gjithë shoqëria është në konkurrencë për të përqendruar pushtet dhe konkurrenca vetëm dashuri dhe vetë-përmbajtje nuk zhvillon? Qoftë edhe zhvillimi i dashurisë për njëri-tjetrin nuk mjafton për edukimin e fëmijëve: sepse dashuria për përpjekjet e njerëzve që kanë kontribuar për përparimin e vendit, për jetën dhe dijen, nevojitet të zhvillohet paralelisht. Por që të zhvillohen këto lloj dashurishë dhe dashuria për virtytet, të cilët supozohet se përmbajnë veprimet tona, nevojitet të ndryshojë dinamika e shoqërisë dhe të kontrollohen armët: sepse kur njerëzit nuk mirë-edukohen dhe nuk vetë-përmbahen në ndërveprimet sociale dhe kur armët janë kudo, ata bëhen tejet të rrëzikshëm për shoqërinë dhe jetën që na rrethon...

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA