...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Putini: një luftë e tretë botërore mund t’i japë fund civilizimit

Presidenti rus Vladimir Putin bëri thirrje të enjten për zhvillimin e një sistemi të ri sigurie në Evropë, në përgjigje të asaj që ai thotë se është një përpjekje amerikane për të minuar ekuilibrin strategjik, ndërsa paralajmëroi se një luftë e tretë botërore mund t’i japë fund civilizimit.

Voa

08/06/2018 - 05:33

“Duke kuptuar që një luftë e tretë botërore mund të jetë fundi i qytetërimit, duhet të na bëjë të tregojmë vetëpërmbajtje në ndërmarrjen e hapave ekstremë në arenën botërore, të cilat janë shumë të rrezikshme për qytetërimin modern”, tha udhëheqësi rus gjatë një emisoni të përvitshmën në televizion ndërsa rusët i drejtojnë pyetje përmes telefonit.

Presidenti Putin dënoi tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Traktati Kundër Raketave Balistike, që kishte në atë kohë me ish Bashkimin Sovjetik, si “një përpjekje për dhënien fund të ekuilibrit strategjik, por ne do të reagojmë ndaj kësaj”.

Ai po ashtu tha se raketa e re balistike ndërkontinentale do të vihet në punë, duke theksuar për shikuesit se, “Planifikojmë që në vitin 2020 të ofrojmë sistemin tonë më të fuqishëm raketor strategjik për forcat e armatosura. Ky është sistemi tepër i fuqishëm i rraketave balistike Sarmat”.

Presidenti rus vlerësoi forcat e tij ushtarake, duke theksuar se ato ndihmuan në luftën kundër terrorizmit në Siri dhe tha se veprimet e tyre ndihmuan në stabilizimin e situatës në vendin e shkatërruar nga lufta.

“Ishte një mision i rendësishëm dhe fisnik që synonte mbrojtjen e interesave të Rusisë dhe popullit tonë”, tha ai.

Presidenti rus tha se nuk kishte në plan tërheqjen e ushtrisë nga Siria dhe se forcat do të qendronin atje për aq kohë sa u shërbente interesave ruse. Ai shtoi se, nëse ishte ishte e nevojshme ai do t’i tërhiqte forcat me shpejtësi nga ai vend. Rusia filloi operacionet e saj ushtarake në Siri në vitin 2015, duke drejtuar kahjen e luftës civile në favor të Presidentit Bashar al-Assad. Ai njoftoi dhjetorin e kaluar se do të reduktonte praninë ruse atje.

Udhëheqësi rus po ashtu foli edhe për tarifat e vëna nga Shtetet e Bashkuara ndaj importeve të hekurit dhe aluminit nga Kanadaja, Meksika dhe vende të tjera aleate të kahershme në Bashkimin Evropian, duke i krahasuar ato si sanksione të pajustifikuara ekonomike.

“Duket se partnerët tanë menduan se nuk do të ndikoheshin nga kjo politikë anti-produktive e kufizimeve dhe sanksioneve. Por tani po shohim që kjo po ndodh.”

Presidenti Putin u mburr se ai kishte paralajmëruar për rrezikun në rritje të imponimit nga Amerika të rregullave të saj mbi vendet e tjera, gjatë një fjalimi në vitin 2007 në Mynih duke thënë se, “Askush nuk donte të dëgjonte dhe askush nuk bëri asgjë për të ndaluar këtë zhvillim. Ja ku është. Ju jeni goditur. Darka është shërbyer. Ju lutem uluni dhe hani.”

Ai po ashtu paralajmëroi Ukrainën fqinje që të mos ndërmarrë ndonjë veprim ushtarak kundër seperatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës ndërsa zhvillohet Botërori 2018 në Rusi.

“Shpresoj të mos ketë provokime, por nëse ndodh, mendoj se do të ketë pasoja shumë serioze për shtetin ukrainas në përgjithësi”, tha ai.

Rusia ende po përballet me sanksione ekonomike të vëna nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe disa vende të tjera pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014 si dhe për një kryengritje pro-ruse në lindje të Ukrainës po të njëtin vit. Ai tha se “sanksione të njëanshme nuk zgjidhin probleme” ndërsa këmbënguli se ato u vunë sepse “Rusia shihet si kërcënim, pasi Rusia shihet si konkurrente”.

Presidenti Putin vazhdoi të mohonte çdo ndërhyrje ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 me synimin për të ndihmuar Presidentin Donald Trump që të fitonte votimet.

Kur u pyet për barcaletën më me humor që kishte dëgjuar së fundmi, Putini përmendi një lajm nga media gjermane mbi zotin Trump “që po e shtynte Evropën në duart e Putinit” dhe njoftime të tjera mbi ndërhyrjen ruse.

“Nëse e marrim së bashku me një barcaletë të hershme, që Rusia ndikoi tek zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara, dhe e gjitha kjo marrë së bashku, fillon të tingëllojë goxha qesharake. Me sa duket ne influencuam zgjedhjen e presidentit amerikan, dhe pastaj ai na dhuroi Evropën. Absdure. Nuk mund ta përshkruash këtë ndryshe përveçse një barcoletë.”

Televizioni shtetëror rus njoftoi se publiku kishte bërë 2 milion pyetje gjatë emisionit të përvitshëm me telefonata, të cilin zoti Putin ka që nga viti 2001 që e përdorë për të pozicionur veten si zgjidhës të problemeve të brendshme dhe mbrojtës i rreptë i interesave ruse në arenën globale.

Kritikët thonë se është një emision i koreografuar dhe madje i ndërtuar në mënyrë të tillë që të bëjë rusët të ndihen se kanë fuqi për të ndikuar në vendimet e qeverisë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA