...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Putini premtoi përgjigje “vetëtim” ndaj kërcënimeve strategjike ruse

Uashingtoni zbuloi një nga qëllimet e tij kryesor në Ukrainë: dobësimin e Rusisë. Ky qëllim nënkupton se lufta do të vazhdojë derisa Rusia të lëngojë dhe Ukraina të mbytet në gjak

Ylli Përmeti

27/04/2022 - 18:23

Presidenti rus paralajmëroi se Rusia nuk do të ngurronte të përdorte “armë që asnjë vend” nuk i zotëron nëse fuqitë e jashtme përfshihen në konfliktin e Ukrainës duke përdorur armët më të përparuara të saj.

Nëse ndonjëri vendos të ndërhyjë në ngjarjet në zhvillim nga jashtë dhe krijon kërcënime strategjike për ne, ata duhet ta dinë se përgjigjja jonë ndaj atyre goditjeve që vijnë drejt nesh do të jetë e shpejtë, si vetëtima. Ne i kemi të gjitha mjetet për ta bërë këtë, mjete që vetëm ne mund të krenohemi. Por ne nuk do të krenohemi. Ne do t`i përdorim ato në rast nevoje. Autoritet ruse i kanë marrë tashmë gjithë vendimet e nevojshme për t`u përgatitur për këtë përgjigje”, tha Putini.

Ndërsa javën e kaluar Rusia testoi një raketë ndërkoninentale (RS-28) që mund të bartë raketa të përparuara rrëshqitëse hipersonike, paralajmërimi i Putinit vjen pak orë pas tre shpërthimeve në tre rajone ruse në kufi me Ukrainën dhe përshkrimit të një këshilltari të presidentit Zelenski, Mykhailo Podolyak, se ato ishin “karma” dhe shpërblim për luftën në Ukrainë, dhe një ditë pasi ministri i mbrojtjes britanike tha se Ukraina mund të sulmojë Rusinë me armët Britanike. “Do të ishte e pranueshme për forcat ukrainase të përdorin armë perëndimore për të goditur objektiva ushtarake në tokë ruse“ ndërsa “sulmet ndaj linjave furnizuese ishin pjesë e drejtë e luftës”, tha ai.

Më herët ministria e mbrojtjes ruse akuzoi Britaninë se po nxit Ukrainën të sulmojë Rusinë në tokë ruse ndërsa ministri i jashtëm rus tha se Nato-ja është përfshirë në luftë të ndërmjetme. Për pasojë, Rusia paralajmëroi përgjigje të menjëhershme dhe përpjestimore nëse Britania vazhdon me provokimet e saja të drejtëpërdrejta në Ukrainë. Paralajmëroi, gjithashtu, për rreziqet e një luftë bërthamore. Moska tha se ky lloj konflikti është i papranueshëm por jo i pamundur. Ajo tregoi, gjithashtu, një të vërtetë tjetër: se administrata e Bajdenit, ndryshe nga Trampi, kishte pranuar t`i përmbahësh angazhimit të vitit 1987 mes Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së se në një luftë bërthamore nuk ka fitues dhe se kjo luftë nuk duhet të përdoret kurrë. Bashkë me Bajdenin u bashkua dhe Kina, Franca dhe Britania, si fuqi bërthamore dhe anëtare e KS në OKB. Ata mbajtën një qendrim të përbashkët në Gjenevë për këtë angazhim.

Mirëpo, është një marrëveshje tjetër pezull, lidhur me traktatet ABM, INF, dhe Open Skies, pasi Uashingtoni u tërhoq. Bisedimet për këtë marrëveshje ndaluan pasi Rusia ndërhyri ushtarakisht në Ukrainë. Ministri i jashtëm rus e karahasoi gjendjen më keq se “Kriza Kubanaze” e vitit 1962: “në atë kohë”, tha ai, “s`kishte shumë ligje të shkruajtur por ligjet e nënkuptueshëm të sjelljes ishin të qartë për të dyja palët. Në ato vite, kishte një kanal kumtimi që besonin të dy udhëheqësit. Tani s`ka kanal të ngjashëm. Asnjëri s`po përpiqet të krijojë. Disa përpjepkje të tutshme në një fazë të hershme nuk dhanë shumë rezultate”, tha ministri rus. Pikërisht tani çdonjëri po pëshpërit se një Luftë e Tretë Botërore nuk duhet të lejohet të shpërthejë ndërsa hedhin barut në zjarr duke dërguar armë në Ukrainë dhe duke shpresuar të zgjasin konfliktin me qëllim që të përgjakin Rusinë, shtoi Lavrovi.

Një ditë përpara Blinkeni shkoi në Ukrainë ku u takua me krerët e qeverisë dhe ku u zotua se do të rifillonte veprimet diplomatike dhe se Uashingtoni kërkon ta shohë Rusinë të “dobët” me luftën e saj. “Ne do të kërkojmë të kthejmë diplomatët tanë të rikthehen në ambasadën tonë në Kiev sa më shpejtë të jetë e mundur”, tha një zyrtar amerikan i departamentit të shtetit, sipas një letre të shpërndarë për reporterët, ndërsa sekretari i mbrojtjes së Amerikës, Lloyd Austin, tha se “ne duam ta shohim Rusinë të dobët në atë shkallë saqë ajo mos të mundet të bëjë gjëra që ka bërë në Ukrainën e pushtuar”.

Uashingtoni zbuloi, në fjalë të tjera, një nga qëllimet e tij kryesor në Ukrainë: dobësimin e Rusisë. Ky qëllim nënkupton se lufta do të vazhdojë derisa Rusia të lëngojë dhe Ukraina të mbytet në gjak! Qëllimi vërteton jo vetëm strategjinë e përgjithshme amerikane për mbytjen e Rusisë por dhe pohimin e revistës amerikane, “The National Interest” se “Uashingtoni është i gatshëm të luftojë Putinin deri në ukrainasin e fundit” dhe karakterin e luftës: se ajo është një luftë e ndërmjetme dhe jo e drejtpërdrejt mes dy superfuqive! Ky qëllim mund të çojë në luftë botërore dhe bërthamore.

Këtij qëllimi iu bashkua dhe Gjermania: ajo bëri një kthesë prej 180 gradësh pas trysnive disa javore ndaj qeverisë “Sholc”, duke dërguar tanke anti-ajror (Gepard, të prodhuar në vitet 1960-70) në Ukrainë. Lëvizjen e përshëndeti sekretari i mbrojtjes amerikane, Austin, duke thënë se mbështetësit e Ukrainës duhet të “lëvizin me shpejtësinë e luftës”. Më herët ai kishte thënë se vendet perëndimore do të “vazhdojnë të lëvizin qiejt dhe tokën” për të furnizuar Ukrainën me armë. Gjermania ndihmon dhe në trajinimin e ushtarëve ukrainas për përdorimin e artilerisë (PxH 2000) të dërguar nga Holanda ndërsa ka filluar të përdorë dhe një skemë e njohur si “Ukraina urdhëron dhe Gjermania paguan”, nën të cilën Kievi kërkon armë nga një listë e hartuar nga prodhuesit gjermanë ndërsa Berlini e financon.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA