...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Putini propozon bisedime publike me SHBA për të ruajtur marrëdhëniet ndërsa Erdogani kritikon Bajdenin

Lidhur me Putinin, Zoti Biden tha se nuk mendon se udhëheqësi rus ka shpirt. I pyetur nëse mendonte se Putini ishte një vrasës, ai i tha kanalit ABC: “Po.”

Voa-SHJ

18/03/2021 - 09:12

Kremlini tha të Premten se oferta e Presidentit Vladimir Putin për të folur në telefon me Presidentin e SHBA Joe Biden kishte për qëllim të parandalonte një keqësim të plotë të marrëdhënieve, pas komenteve të zotit Biden se udhëheqësi rus është një vrasës.

Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se Presidenti Putin e bëri të qartë se “është e logjikshme të bisedohet për të ruajtur marrëdhëniet Rusi-SHBA, në vend që të shkëmbehen akuza”. Zëdhënësi tha se Presidenti Putin dëshiron të ndihmojë në zbutjen e tensioneve pas komenteve të Presidenti Biden, që ai i quajti “shumë të këqija".

Shtëpia e Bardhë u përgjigj të premten se Presidenti Biden do të takohet me udhëheqësin rus "kur të jetë koha e duhur".

Në një intervistë të transmetuar të mërkurën, Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht, kur u pyet nëse mendonte se Putini ishte një "vrasës". Rusia reagoi, duke tërhequr ambasadorin e saj në Uashington për konsultime ndërsa të enjten Putini theksoi historinë e skllavërisë në Amerikë, masakrimin e amerikanëve indigjenë dhe hedhjen e bombës atomike në Japoni gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai u përgjigj se “atë që thua për tjetrin, e ke thënë për veten”.

Në të njëjtën kohë, Putini vuri në dukje se megjithatë Rusia do të bashkëpunonte me Shtetet e Bashkuara sa herë që dhe atje ku ato të mbështesnin interesat e Moskës. Ai tha se "shumë njerëz të ndershëm dhe të mirë në SHBA duan paqe dhe miqësi me Rusinë".

Ai propozoi një bisedë telefonike me zotin Biden në ditët e ardhshme për të diskutuar mbi pandeminë e koronavirusit, konfliktet rajonale dhe çështje të tjera. Ai sugjeroi që biseda të ishte e hapur për publikun.

Zoti Peskov tha se oferta e Putinit për ta bërë telefonatën publike synonte të mos lejonte që deklarata e Presidentit Biden të shkaktonte dëme të pariparueshme në marrëdhëniet tashme të acaruara.

"Meqenëse fjalët e zotit Biden ishin mjaft pa precedent, edhe formate të tilla pa precedent nuk mund të përjashtohen," tha zoti Peskov. "Presidenti Putin propozoi ta diskutojë situatën hapur, sepse do të ishte me interes për popujt e të dy vendeve," tha ai.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre u tha gazetarëve të premten se Presidenti Biden "nuk do të tërhiqet...Ai do të jetë shumë i sinqertë dhe shumë i hapur rreth këtyre marrëdhënieve".

"Presidenti Biden dhe Presidenti Putin kanë këndvështrime të ndryshme të vendeve të tyre përkatëse, por ata janë dakord se ne duhet të vazhdojmë të kërkojmë mënyra për të punuar së bashku atje ku është në interesin tonë të përbashkët," tha ajo.

Presidenti Biden po mban një qëndrim të ashpër ndaj Rusisë. Ai ka thënë se ditët kur SHBA “bënin atë që donte Putini” kanë marrë fund.

Ai madje ka theksuar kontrastin e stilit të tij me qasjen e ish-Presidentit Donald Trump, i cili shmangte konfrontimet e drejtpërdrejta me Putinin dhe fliste shpesh për të me tone miratimi.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se Presidenti Biden do të vazhdojë të kërkojë bashkëpunim në përpjekjet për të frenuar programin bërthamor të Iranit dhe, më gjerë, përhapjen e armëve bërthamore. Por ajo tha se Presidenti nuk është penduar që iu referua Putinit si vrasës dhe nuk ishte dakord me idenë se një retorikë e tillë ishte e padobishme.

Marrëdhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian kishin rënë në nivelet më të ulëta të pas Luftës së Ftohtë me një sërë ngjarjesh, siç ishin aneksimi nga Moska në vitin 2014 të Gadishullin ukrainas të Krimesë, ndërhyrja në zgjedhje, sulmet piraterike dhe, së fundmi, burgosja e udhëheqësit të opozitës ruse Alexei Navalny pas helmimit të tij, për të cilin ai fajëson Kremlinin. Autoritetet ruse i kanë hedhur poshtë akuzat.

Të mërkurën, zyra e drejtorit të inteligjencës kombëtare amerikane publikoi një raport që zbulon se Putini autorizoi operacione ndikimi për të ndihmuar rizgjedhjen e ish-Presidentit Trump. Administrata Biden paralajmëroi se Rusia do të përballet me sanksione së shpejti për shkak të përpjekjes së saj për të ndikuar zgjedhjet dhe për sulmet kibernetike në shkallë të gjerë kundër kompanisë SolarWinds.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ndërhyri në polemikë, duke thënë se deklarata e Bidenit për Putinin ishte "e papërshtatshme për një kryetar shteti".

"Nuk është e pranueshme ose e pëlqyeshme që një kryetar shteti të përdorë një shprehje të tillë kundër kreut të një shteti si Rusia," u tha zoti Erdogan gazetarëve në Stamboll. Ai vlerësoi përgjigjen e Putinit si "shumë të zgjuar dhe elegante".

Komentet e zotit Erdogan vijnë ndërkohë që përpjekjet e Turqisë për një përmirësim të marrëdhënieve të saj të trazuara me SHBA mbeten pa përgjigje. Që nga inaugurimi i Presidentit Biden në janar, ai nuk ka patur asnjë bisedë telefonike me presidentin turk.

Dje

Presidenti Joe Biden tha se Presidenti Vladimir Putin do të përballet me pasoja për drejtimin e përpjekjeve për të ndikuar tek zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020 në favor të Donald Trump-it, dhe se këto pasoja do të vijnë së shpejti.

“Ai do të paguajë një çmim”, tha zoti Biden gjatë një interviste në kanalin televiziv ABC që u transmetua të mërkurën. I pyetur se për çfarë pasojash flitej, Presidenti Biden tha, “Do t’i shihni së shpejti.”

Komentet e tij vijnë pasi një raport i zbulimit amerikan përforconte akuzat e mëparshme se Putini fshihej pas ndërhyrjes së Moskës në zgjedhjet amerikane, akuzë të cilën Rusia e quajti të pabazë.

Në të njëjtën kohë zoti Biden theksoi se “ka hapësira ku është në interesin tonë të përbashkët që të bashkëpunohet” siç është rinovimi i marrëveshjes bërtahmore START, duke shtuar se dy udhëheqësit kanë një histori të gjatë njohjeje.

“E njoh relativisht mirë”, tha zoti Biden, duke shtuar se “gjëja më e rëndësishme në bashkëpunimin me udhëheqësit e huaj, në bazë të eksperiencës time, është njohja e udhëheqësit.”

Lidhur me Putinin, Zoti Biden tha se nuk mendon se udhëheqësi rus ka shpirt. I pyetur nëse mendonte se Putini ishte një vrasës, ai i tha kanalit ABC: “Po.” Voa  

BBC-ja njofton se Rusia thirri ambasadorin e Uashingtonit për bisedime për të parandaluar përkeqësimin e marrëdhënieve. Nuk mungoi dhe reagimi i Putinit, sipas të cilit, “çfarëdo që thuhet për dikë tjetër, ashtu je vetë”.

Putini këshilloi se Bajdeni mund të projektojë, duke përmendur se vlerësimi i vendeve të tjerë “është si të shihesh në pasqyrë” dhuke shtuar se kur isha fëmijë, kur grindeshim në lojra, ne thoshim zakonish se “çfarëdo që thuhet për dikë tjetër, ashtu je vetë”. SHJ

Më pas presidenti i Rusisë Vladimir Putin tha se ishte gati të zhvillonte bisedime publike në internet me Presidentin amerikan Joe Biden të premten ose të hënën. Duke folur në televizionin shtetëror zoti Putin, tha se ai ishte i gatshëm të diskutonte rreth marrëdhënieve bilaterale me Shtetet e Bashkuara si dhe çështje të tjera të tilla si konfliktet rajonale.

Presidenti rus tha se do të urdhërojë ministrinë e tij të jashtme të përgatisë bisedimet. Deklaratat e zotit Putin vijnë një ditë pasi Presidenti Biden tha se ai mendonte se udhëheqësi rus ishte një vrasës, komente që vijnë mes marrëdhënish jo të mira mes Moskës dhe Uashingtonit që kanë shënuar një nivel të ri të ulët që pas Luftës së Ftohtë. Voa

*Përditësuar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA