...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Qetësohet tregu bankar në SHBA por kriza nuk është tejkaluar

Frika se mos falimentimi i SVB-së përhapet në banka të tjera njësoj si në krizën financiare të vitit 2007-08 është e lartë

Ylli Përmeti

12/03/2023 - 09:35

Lufta në Ukrainë dhe sanksionet perëndimore ndaj Rusisë përkeqësuan krizën energjitike që filloi gjatë vitit 2020 me politikat e gjelbërta dhe pandeminë. Kriza energjitike, me radhë, shkaktoi inflacion përgjatë gjithë plantetit. Pasoja e mëtejshme e inflacionit ishte se ai goditi zemrën e industrisë amerikane: Silicon Valley Bank (SVB), gjatë javës së parë të marsit 2023.

Ajo falimentoi të premten e 9 marsit dhe u morr nën kontroll nga autoritetet shtetërore amerikane duke lënë të pambrojtura ndërmarrjet nistore (start up). Si banka e dytë më e madhe amerikane në historinë e falimentimeve amerikane ajo falimentoi sepse kërkonte fitime më të mëdha dhe dështoi të kuptonte një të metë të qartë në drejtimin e rrezikut të saj.

Pasuritë e saj u rritën gati trefish përgjatë tre viteve kur kapitali rrodhi në ndërmarrjet nistore dhe u arkëtua në bankë. Shumë nga paratë e saj banka i vendosi në bonde me shlyerje afatgjatë për të prodhuar fitime më të mëdha. Por kur u rritën përqindjet e interesit, për shkak të inflacionit, vlera tregtare e atyre investimeve ra, duke e lënë bankën me humbje prej 15 miliardë dollarë në fund të vitit të kaluar. Kjo gjendje kulmoi gjatë marsit kur u tërhoqën 42 miliardë dollarë nga klientët.  

Sipas një raporti gjysmë-vjetor të publikuar këtë muaj, banka qendrore amerikane raportoi se bankat e mëdha “vazhdojnë të kenë aftësi paguese (likuiditet) për t`u përballur me rrjedhje të rëndë të kursimeve”. Por frika se mos falimentimi i SVB-së përhapet në banka të tjera njësoj si në krizën financiare të vitit 2007-08 është e lartë.

Masa për të shmangur pasojat

Autoritetet e Shteteve të Bashkuara po marrin masa urgjente për të forcuar besimin në sistemin bankar dhe për të shamgnur një krizë më të gjerë financiare, pas falimentimit të bankës “Silicon Valley”.

Falimentimi i papritur i bankës “Silicon Valley” solli reagimin e menjëhershëm të autoriteteve amerikane, në kuadër të përpjekjeve për të shmangur përhapjen e pasojave të dështimit më të madh bankar që nga viti 2008.

Përmes masave për të ruajtur besimin në sistemin bankar, administrata e Presidentit Biden veproi për të mbrojtur depozitat në bankën që falimentoi.

Rregullatorët thanë se klientët do të kenë qasje të plotë në depozitat e tyre duke filluar nga e hëna – ku përfshihen miliarda dollarë të pasiguruara – dhe se do të krijojnë një strukturë të re për t’u dhënë bankave qasje në fondet e urgjencës.

Banka “Silicon Valley” ishte huadhënësi kryesor i kompanive të reja, kryesisht në sektorin e teknologjisë, gjatë dekadave të fundit të karakterizuara nga interesa rekord të ulta, por duke e ekspozuar bankën ndaj disa rreziqeve unike.

“Banka supozohet të jetë një nga institucionet më të sigurta. Ky nuk është bixhoz. Ne nuk i kemi investuar paratë e kompanisë në kriptomonedha. Ne i depozituam ato në një bankë me emër të mirë, me të cilën punojnë shumica e kompanive të reja teknologjike”, thotë Stefan Kalb, shefi ekzekutiv i kompanisë teknologjike “Shelf Engine”.

Falimentimi i bankës të premten, shkaktoi panik dhe pasiguri në fundjavë, mes pikëpyetjesh nëse bizneset e vogla do të ishin në gjendje të paguanin punonjësit e tyre, ndërsa Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave garanton vetëm depozitat deri në 250 mijë dollarë.

“Nuk mund t’i paguajmë klientët tanë. Çfarë ndodh kur dhjetëra mijëra kompani nuk mund të paguajnë klientët e tyre, sepse nuk kanë para në bankë? Ne po përballemi me diçka shumë më të madhe sesa dështimi e kompanisë time, kjo është një goditje e rëndë ekonomike”, thotë zoti Kalb.

Të dielën, rregullatorët mbyllën një tjetër bankë – atë “Signature” në Nju Jork.

Profesori në Universitetin Amerikan, Gerard Cimizio, tha se të dyja rastet do të kenë pasoja politike.

"Ideja se ka dy dështime bankare, duke përfshirë një që është dështimi i dytë më i madh në historinë bankare, do të ketë disa pasoja dhe unë pres që të ketë seanca dëgjimore në Kongres”, tha ai.

Banka Qendrore e SHBA, që njihet si Rezervat Federale dhe Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave, thanë në një deklaratë se klientët e këtyre bankave nuk do të humbasin asnjë sasi nga depozitat në këto dy banka, pa dëmtuar taksapaguesit. Voa

Nga 124 banka të listuara me një vlerë tregtare prej 5 miliardë dollare ose më pak deri të premten e kaluar, 100 banka ishin në të kuqe―domethënë, aksionet e tyre ishin drejt rrënimit ndërsa depozitorët në panik tërheqin kursimet e tyre.

Falimentimi BSV dhe rrënimi i dy bankave të tjera amerikane (Signature dhe First Republic) shkaktoi disa goditje në bankat aziatike (kryesisht në Japoni) dhe Evropë (kryesisht degët të BSV). Por efektin më të madh e pësoi dollari amerikan: sepse rendimenti i bankënotës dyvjeçare amerikane u zhyt 57.2 përqind në 4.016% në rënien më të madhe ditore që nga koha e krisjes së madhe të tregut të bursave të vitit 1987 të quajtur e Hëna e Zezë.

Megjithatë, ditën e martë gjendja bankare u qetësua në SHBA por kriza nuk është tejkaluar...

 

Përditësuar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA