...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Referendumi serb në Kosovë: farsë dhe provokim

Referendumi ishte një farsë për të mashtruar popullin e vet dhe opinionin ndërkombëtar për gjoja ndryshime pozitive në sistemin e drejtësisë së Serbisë, se po e harmonizon me standardet e Bashkimit Europian dhe po krijon gjyqësi të pavarur

Adil Fetahu

18/01/2022 - 17:23

Referendumi i shumëpritur dhe i shumëpërfolur i shtetit të Serbisë, për ndryshimin e Kushtetutës aktuale (të vitit 2006, pas ndarjes së Malit të Zi), ishte si thënia popullore “U mbars mali dhe polli një mi”! Referendumin e shpalli Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë më 30 nëntor 2021, ndërsa u mbajt më 16 janar 2022. Në Vendimin mbi shpalljen e referendumit (pika 2), ishte përcaktuar se në referendum qytetarët duhet të deklarohen se “a janë për miratimin e Aktit mbi ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”. Në pyetjen që përmbante fletëvotimi, qytetarët duhet ta rrethonin njërën nga përgjigjet e tyre: “Po”, ose “Jo”.

Qytetarët nuk e dinin se çka përmbante Akti mbi ndryshimin e Kushtetutës, as çka (cilat dispozita) po ndryshohen. Vërtet, ai akt është publikuar në “Sluzbeni glasnik RS” (Gazetën Zyrtare të RS), por gazetën zyrtare e lexojnë vetëm një numër i vogël i njerëzve, të cilëve iu nevojitet në detyrat e tyre të përditëshme, e jo populli.

Akti për ndryshimin e Kushtetutës serbe ka të bëjë ekskluzivisht me zgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë të Serbisë, dhe nuk ndryshon asnjë pjesë e dispozitë tjetër të Kushtetutës.

Ndaj referendumi ishte një farsë për të mashtruar popullin e vet dhe opinionin ndërkombëtar për gjoja ndryshime pozitive në sistemin e drejtësisë së Serbisë, se po e harmonizon me standardet e Bashkimit Europian dhe po krijon gjyqësi të pavarur. Po teorikisht, me Kushtetutë, edhe deri më tash pushteti gjyqësor ka qenë i pavarur (“sudska vlast je nezavisna”, neni 4, par.4.). Mirëpo në praktikë nuk ka qenë, dhe as nuk do të jetë i pavarur nga politika dhe pushtetet e tjera.

Objektivisht, referendumi është i dështuar, pasi në votim kanë marrë pjesë jo më shumë se 28% e qytetarëve të regjistruar me të drejtë vote, edhe pse cenzusi i pjesëmarrjes së votuesve nuk është i caktuar si kusht për suksesin e referendumit, pasi për të qenë i suksesshëm kërkohet përgjigjja “Po” e shumicës së atyre që votojnë.

Kushtetuta e Republikës së Serbisë është dashur të ndryshohet në Preambulë dhe në dispozitat në të cilat Kosovën e mban në mënyrë të padrejtë si pjesë të Serbisë, d.m.th., të ndryshohet duke iu përshtatur realitetit objektiv, teorik dhe faktik, sepse Kosova është shtet i pavarur prej Serbisë qysh nga kapitullimi i Serbisë në luftën e vitit 1999, të vërtetuar me dy akte të niveleve të ndryshme ndërkombëtare: me Marrëveshjen e NATO-s (Kumanovë, 9 qershor) dhe me Rezolutën e KS të KB 1244 (10 qershor 1999).

Referendumi ishte vetëm farsë dhe provokim

Serbia as nuk e ka qëllim anëtarësimin në BE, me të cilën zhvillon bisedime dhe gjoja harmonizon aktet për përmbushjen e kushteve, as me këto ndryshime nuk arrin të krijojë sistem gjyqësor të pavarur. Referendumi ishte vetëm farsë, dhe ishte një provokim kundër Kosovës.

Të mësuar me votimet në zgjedhjet e mëparshme serbe, tentoi ta provokojë qeverinë e re (Kurti 2) të Kosovës, duke organizuar votimin për referendum edhe në shtetin e pavarur të Kosovës. Por këtë herë i hasi sharra në gozhdë, sepse Qeveria Kurti me vendosmëri dhe mençuri e pengoi tentimin djallëzor serb. Madje ia konfiskoi materialin e përgatitur e të dërguar në Kosovë për votim në referendum.

Qeveria e Kosovës ua mundësoi serbëve të Kosovës, të cilët kanë (edhe) shtetësi serbe, d.m.th., dyshtetësinë (nëse ndonjë prej tyre ka shtetësi të Kosovës?!), se mund të votojnë për referendumin e Serbisë përmes postës ose përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, e jo që shteti i Serbisë të organizojë vendvotime dhe votime në shtetin e Kosovës.

Pse Serbia nuk organizoi votimin e referendumit në shtetet e tjera fqinje, ku ka më shumë serbë: për shembull, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi, Rumani, por deshi të organizojë në Kosovë? E “no pasaran”! tha Kurti, edhe pse disa nga ata që lejuan 13-14 vjet “të kalojë mini për mustaqe” iu bashkuan Listës srpska dhe nuk e votuan Rezolutën e Kosovës për moslejimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë!

Me këtë rast u provuan edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, edhe ambasadorët e Quintit, edhe OSBE, të cilët kërkuan nga Kurti të lejojë refrendumin serb në Kosovë, që është non-sens për kuptimin e integritetit në shtetet e tyre.

Serbisë, por edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, duhet t’u bëhet me dije, me kohë, se nuk do t’i lejohet më kurrë të organizojë as mbajë kurrëfarë votimesh në Kosovë. Serbëve të Kosovës do t’iu lejohet dhe mundësohet votimi përmes postës dhe përmes përfaqësisë diplomatike, por jo përmes mënyrës provokuese të përzierjes në politikën e brendshme dhe shkeljes se integritetit të shtetit të Kosovës. Kështu do të jetë edhe në zgjedhjet për kryetarin e Serbisë, më 3 prill, dhe në çfarëdo zgjedhjesh tjera.

A do ta lejonte Serbia që Kosova ose Shqipëria të organizojnë referendum apo zgjedhje në Luginën e Preshevës?!   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA