...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

SPAK-u të nisë hetimet ndaj Ramës për ‘skandalin’ në pronat e Trampit

Hetimi i demokratëve amerikanë quan qeverinë “Rama” të korruptuar

Ylli Përmeti

05/01/2024 - 08:32

Qeveritë “Rama” kanë thyer çdo rekord historik lidhur me shkallën e korrupsionit. Në vendet perëndimore mjafton ngritja e një akuze nga organet hetimore dhe kreu i qeverisë dorëhiqet. Rasti më i fundit është ish-kancelari Austrisë, Kurci. Ai u akuzua se kishte dhënë të dhëna të rreme në një hetim parlamentar. Si pasojë, ai dorëzoi detyrën dhe “hapi rrugën” e organeve hetimore.

Në rastin e kryeministrit tonë, janë gati një dyzinë qeveritarësh nga qeveria e tij, në nivel qendror dhe vendor, dhe disa skandale dhe akuza politike të rënda ndaj tij (Mcgonigal, djegësat etj.), dhe ai vazhdon dhe bën “strucin” dhe thotë se përgjegjësitë janë individuale ose të atyre që kanë kryer krime me pushtetin e tyre pavarësisht se përpara se të vinte në pushtet thoshte të kundërtën, hamendësisht për të nxitur hajdutët në radhët e partisë “socialiste” të ushqenin shpresën se edhe nëse ata vidhin shtetin, do t`i mbronte Rama, mjafton ta mbështesnin atë, ndërsa pranon se ai ka përgjegjësi morale për krimet e tyre por i jep asaj kuptim tjetër: “që drejtësia në Shqipëri të ketë lirinë, pavarësinë, dhe fuqinë që i duhet, për ta ndëshkuar pavarësisht nga ngjyra apo madhësia e çdolloj këlyshi të atij soji të vjetër dhe të ulët politik, që e ka mbajtur drejtësinë e këtij vendi, si qen, të lidhur me zinxhirin e pushtetit të politikës për plotë një qind e kusur vjet me radhë” (nga fjala e tij në asamblenë e partisë së tij vitin e kaluar).   

Tani shtohet një skandal tjetër: veprimet e patejdukshme të tij gjatë kohës kur ishte president Trampi në SHBA. Sipas Financial Times, e cila citon një raport të publikuar nga deputetët demokratë amerikanë dje, janë 20 qeveri që kanë shpenzuar të paktën 7.8 milionë dollarë në pronat e Trampit, në Nju Jork, Uashington dhe Lasvegas, ndërsa ai ishte president.

Në krye të tyre qendron Kina dhe ndërmarrjet shtetërore të saj me 5.5 milionë dollarë shpenzime. Pas saj qendron Arabia Saudite dhe nga fundi i listës qendron Kongua, Malejzia, Shqipëria dhe Kosova, të cilët shpenzuan pará në hotelet e tij. Rama, këshilltarët e tij dhe ish-ministri i tij i infrastrukturës, Gjiknuri, kanë shpenzuar rreth 6 mijë dollarë ndërsa ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Pacolli dhe këshilltarët e tij kanë shpenzuar rreth 5 mijë dollarë.

Gjetjet janë rezultat i një hetimi një vjeçar nga demokratët. Shpenzimet janë bërë gjatë viteve 2017-18 kur Trampi nisi një luftë tregtare kundër Pekinit, përpara se të sulmonte Kinën përsëri gjatë pandemisë së koronavirusit. Ato gjithashtu përkuan me nënshkrimin e një marrëveshjeje armësh prej 110 miliardë dollarësh nga Trampi me qeverinë saudite dhe vrasjen dhe copëtimin e mëvonshëm të Jamal Khashoggi, një disident saudit dhe kolumnist për Washington Post, në një operacion që komuniteti i inteligjencës amerikane ka thënë se ishte sanksionuar nga Kurora e Arabisë Saudite, Princi Muhammed bin Salman.

Jamie Raskin, demokrati më i lartë në komitetin e mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve dhe një menaxher i Dhomës së Përfaqësuesve gjatë gjyqit të dytë të shkarkimit të Trampit, tha se shifrat ishin vetëm një “pjesë” e shpenzimeve aktuale nga subjektet e huaja në pronat e ish-presidentit dhe mbulonin vetëm dy vitet e para, të presidencës së tij dhe një numri të vogël të bizneseve të tij. “Duke ngritur interesat e tij personale financiare dhe përparësitë e politikës së fuqive të huaja të korruptuara mbi interesin publik amerikan, ish-presidenti Tramp shkeli si urdhrat e qarta të kushtetutës ashtu edhe precedentin e kujdesshëm të vendosur dhe respektuar nga çdo komandant i përgjithshëm i mëparshëm”, shkruajti Raskin. “Është e vërtetë që 7,8 milionë dollarë janë thuajse me siguri vetëm një pjesë e vogël e të korrave të parave të paligjshme të shtetit të huaj nga Trampi, por kjo shifër në vetvete është një skandal dhe një nxitje vendimtare për veprim”, shtoi Raskin.

James Comer, republikani më i lartë në komitetin e mbikëqyrjes dhe një udhëheqës në hetimin e shkarkimit të Bajdenit, tha se ishte “përtej parodisë” që demokratët po hetonin Trampin. Bajdenët “dhe bashkëpunëtorët e tyre” fituan miliona më shumë nga vendet me hije, pa ofruar asgjë përveç qasjes së Joe Biden, pretendoi Comer. “Ish-Presidenti Tramp ka biznese të ligjshme por Bajdenët jo”. Një zëdhënës i Trampit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Ndërsa për organet hetimore amerikane është e vështirë të bëhet lidhja mes korrupsionit pasiv dhe Trampit, meqënse avokatët e tij mund të argumentojnë se qeveritë e huaja dhe të korruptuara sipas demokratëve, kanë vepruar sipas dëshirës së tyre në bizense të ligjshme, për organet tona korrupsioni aktiv i Ramës është i qartë: ai ka shpenzuar pará për qëllime politike ose për t`u mbështetur politikisht nga Trampi.

SPAK-u, në fjalë të tjera, duhet të nisë menjëherë hetimet si për skandalin “Mcgonigal” ashtu dhe për këtë skandal.   

Zbërthimi i aktakuzës “Mcgonigal”: qëllimet e Ramës dhe shkeljet e tij ligjore

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA