Studimi amerikan: vaksina kundër C19 nuk mbron dhe mjekët nuk kuptojnë arsyet
Një studim në Shtetet e Bashkuara arrin në përfundimin se rreth 10% e marinsave që ishin infektuar më parë dhe u kthyen në stërvitje pasi rezultuan negativë, u infektuan për herë të dytë
Voa
09/02/2021 - 19:17
Po shtohen provat se infektimi me koronavirus nuk e mbron individin nga një infektim tjetër në të ardhmen, tani që në botë po përhapen variante të reja të këtij virusi. Studimet tregojnë se një person mund të infektohet për herë të dytë edhe me variantin fillestar të virusit nëse infektimi për herë të parë nuk krijoi një reaksion të fortë të sistemit imunitar:
Një ndër pyetjet e rëndësishme që lindën gjatë pandemisë është niveli i imunitetit që krijohet tek individi pas infektimit me koronavirus dhe nëse ky imunitet e mbron personin nga infektimi në të ardhmen.
Në Afrikën e Jugut, një studim zbuloi ri-infektime me mutacionin e shfaqur në këtë vend tek 2% e atyre që e kishin kaluar më parë sëmundjen.
Edhe në Brazil janë dokumentuar raste të ri-infektimit me variantin e ri të koronavirusit. Ekspertët thonë se ende nuk e kuptojnë përse në një pjesë të njerëzve, reagimi i organizmit ndaj virusit nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme për të ardhmen:
"Kemi një përshkrim të qartë të paktën të një rasti ri-infektimi, ndërsa është folur edhe për plot raste të tjera. Por ende nuk kemi përllogaritur se sa shpesh ndodh,” thotë Dr. Ester Sabino e Universitetit të San Paolos.
Një studim në Shtetet e Bashkuara arrin në përfundimin se rreth 10% e marinsave që ishin infektuar më parë dhe u kthyen në stërvitje pasi rezultuan negativë, u infektuan për herë të dytë.
"Me sa duket, ri-infektimi mund të ndodhë. Nuk mendoj se e kuptojmë plotësisht përse ndodh kjo, përse nuk krijohet imunitet pas infektimit të natyrshëm. Duket se kjo ndodh tek një pakicë njerëzish dhe se në shumicën e popullatës shfaqet një sasi e mirë antitrupash, por kjo nuk ndodh tek të gjithë,” thotë E. John Wherry, imunolog.
Mjekët në Afrikën e Jugut u shqetësuan në fund të vitit të kaluar kur vërejtën një shtim të rasteve, ndër to edhe tek individë që e kishin kaluar më parë infeksionin me koronavirus. Disa prej rasteve të reja ishin me mutacionin e virusit të shfaqur në këtë vend që është shumë më ngjitës dhe nuk duket se reagon aq mirë ndaj mjekimeve ekzistuese. Aktualisht 90% e rasteve të reja me COVID në Afrikën e Jugut janë shkaktuar nga variant i ri:
"Nga këto shifra mund të themi se, për fat të keq, infektimi i mëparshëm me variantin fillestar të koronavirusit nuk të mbron nga mutacioni i ri,” thotë Dr. Shabir Madhi i Universitetit Witwatersrand në Johanesburg.
Ekspertët thonë se studimi tregon se imuniteti vepron edhe në rastet e ri-infektimit.
"Po ta shohim me optimizëm duhet të themi se këto variante të reja i rezistojnë vetëm pjesërisht imunitetit të krijuar. Në studimet e bëra, individët e ri-infektuar nuk kanë thuajse kurrë raste të simptomave të rënda,” thotë epidemiologu Wherry.
Variantet e reja nuk ishin shkaku i infektimeve për të herë të dytë në radhët e marinsave, në studimin e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara, thonë ekspertët.
"Fakti që je infektuar më parë nuk të jep garanci se nuk do të infektohesh sërish. Ritmet e ri-infektimit janë mjaft më të larta se sa mendohej,” thotë Dr. Stuart Sealfon i spitalit Mount Sinai.
Studiuesit janë optimistë se vaksinat japin një rezistencë të fortë që e tejkalon imunitetin e krijuar nga infeksioni me virus.
"Imuniteti i përftuar nga vaksinat, të paktën bazuar tek të dhënat për vaksinat e Pfizer dhe Moderna, në mënyrë të vazhdueshme krijon reagim të lartë të antitrupave si dhe përgjigje të mirë nga qelizat T në shumicën e njerëzve që vaksinohen. Prandaj mendoj se ka prova, të paktën për këto dy vaksina, se nxisin imunitet më të fortë se sa imuniteti pas infektimit nga sëmundja, së paku në rang popullate,” thotë epidemiologu E. John Wherry.
Ekspertët thonë se studimet e fundit dëshmojnë se askush nuk duhet të ndjehet i paprekshëm pasi e ka kaluar sëmundjen, por të vazhdojë të respektojë protokollin e mbrojtjes nga sëmundja: mbaj maskë, qëndro dy metra larg, laj duart dhe bëj vaksinën sa më parë që të jetë e mundur.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 24 reads