...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Toka ka humbur sasi tejet tronditëse akulli nga Antarktida dhe Arktiku

Shtresat akullnajore kanë humbur një sasi prej afro 4,000 gigatonë që nga 1994, një proces që mund të mbushë Kanionin e Madh me ujin e çliruar nga shkrirja.

Voa

24/08/2020 - 20:05

Shkencëtarët në Shtetet e Bashkuara thonë se kanë arritur të analizojnë si kurrë më parë shtresat akullnajore të Antarktidës falë të dhënave të mbledhura gjatë 25 vjetëve nga satelitët. Falë një fondi nga NASA, shkencëtarët arrijnë në përfundimin se shtresat akullnajore kanë humbur një sasi prej afro 4,000 gigatonë që nga 1994, një proces që mund të mbushë Kanionin e Madh me ujin e çliruar nga shkrirja.

Ndryshimet klimatike po rezultojnë në ngrohje më të shpejtë të Arktikut dhe Antarktidës se sa të pjesëve të tjera të planetit. Por në këto zona mbledhja e të dhënave nuk është e lehtë. Susheel Adusumilli, kryesues i studimit [argumenton se]:

"Zakonisht kur ndjek ndryshimet në oqeane, shkon me anije dhe analizon. Por në Antarktidë, pasi oqeanet janë nën shtrsa të mëdha akulli, duhet të përdorim të dhëna satelitore,” thotë Susheel Adusumilli, kryesues i studimit.

Një ekip shkencor i udhëhequr nga studiues të Institutit të Oqeanografisë në Universitetin e Kalifornisë në San Diego ka analizuar të dhëna nga satelitët për të ndjekur ndryshimet në shtresat akullnajore të Antarktidës gjatë 25 vjetëve të fundit.

"Në 25 vjetët e fundit kemi mbledhur të dhëna shumë të mira nga satelitët e Agjencisë Evropiane të Hapësirës që na ndihmojmë të masim trashësinë e akullit në Antarktidë. I mblodhëm gjithë këto të dhëna për të analizuar ritmet e shkrirjes së akullit,” thotë zoti Adusumilli.

Një ndër burimet e të dhënave është sateliti i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, CryoSat-2 që u lëshua në 2010.

"Radari lëshon një rreze e fortë energjie. Rrezja lëshohet nga sateliti që lëviz rreth 400 milje nga Toka, godet akullin dhe kthehet,” shpjegon shkencëtari.

"Ne masim kohën që i duhet sinjalit të godasë akullin dhe të kthehet në satelit. Sa më shumë kohë që duhet, aq më poshtë ka rënë shtresa e akullit. Nëse koha është më e shkurtër, akulli është ngritur më lart mbi sipërfaqe”.

Studimi i të dhënave të 25 viteve të fundit zbuloi variacione të shumta në shtresën e akullit, por në total kishte humbje.

Zoti Adusumilli thotë se studimi i ri ofron një “pamje më të përgjithshme” të ndërveprimit mes shtresave akullnajore dhe oqeanit. Ai beson se ky studim do të përdoret për të parashikuar ngritjen e nivelit të deteve, pasi shkrirja e akullnajave do të sjellë sasi më të mëdha uji në qeane.

"Analiza e të dhënave të grumbulluara gjatë 25 vjetëve tregon se ka pasur humbje të vogël në fillim, një humbje të madhe në periudhën 2000-2010, më pas ritmet e shkrirjes u zvogëluan përsëri,” thotë zoti Adusumilli.

"Nëse analizon vetëm vitet 2000-2010, e ekzagjeron humbjen e shtresave, por nëse analizon të dhënat e 25 vjetëve, del me një përllogaritje më të saktë të situatës”.

Ekspeditat në Antarktidë janë të kufizuara në periudha vjetore. Po ashtu këtë vit shumë projekte janë anuluar nga pandemia. Satelitët lejojne monitorim të situatës gjate gjithë vitit. Studimi u botua në revistën “Nature Geoscience”. Voa

Thuajse të njëjtin përfundim kanë nxjerrë studiues britanikë. Studimi i tyre u publikua dje në shtypin britanik. Duket se amerikanët dhe britanikët janë në garë për të vrojtuar pasojat e dinamikës së tregut global dhe popujve të zhytur në padije dhe stil jete prej të cilës e kanë të vështirë të heqin dorë...SHJ

Lexo, për më shumë: Arktiku shënon temperatura rekord: 38°C ndërsa pyjet digjen masivisht

 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA