...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Turqia dhe Greqia në teh të shpatës: kush po luan “lojë” imperialiste?

Një arsye —dhe më kryesorja— se pse Gjermania ngurron të vendosë sanksione ndaj Turqisë, duke kundërshtuar dhe Francën, është fakti se investimet gjermane atje janë disafish më të mëdha se investimet gjermane në Greqi

Ylli Përmeti

14/10/2020 - 16:40

Pasi tensioni nuk ra, me Turqinë të kërcënojë me luftë, Greqia realizoi një marrëveshje në sektorin e energjisë, mbrojtjes dhe teknologjisë me SHBA-në: përmes saj ajo synon të bëhet qendër energjitike në Ballkan dhe të ndihmojë Evropën të larmojë burimet e saj energjitike. Aktualisht ajo importon sasi të mëdha gazi të lëngshëm nga SHBA-ja. Por po krijon një depozitë lundruese për ruajtjen e gazit të lëngshëm dhe një uzinë të rigazifikimit pranë portit Aleksandupolis prej të cilit pritet të dërgojë gaz në Bullgari përmes linjës Greqi-Bullgari dhe prej andej në Evropën Qendrore deri në fillim të vitit 2023 ndërkohë që kompania amerikane ExxonMobil, Total-i i Francës dhe Helenic Petroleum i Greqisë kanë krijuar një sipërmarrje të përbashkët për të eksploruar për gaz dhe naftë pranë ishullit të Kretës.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë shprehur interes për privatizimin e porteve Aleksandroupolis dhe Kavala në Greqinë veriore. Ministri i jashtëm amerikan, Pompeo dhe ministri grek i zhvillimit, Adonis Georgiadis, nënshkruan një marrëveshje shkencore dhe teknologjike. “Dy vendet duan të bashkëpunojnë për inteligjencën artificiale, për sigurinë e rrjetit 5G dhe privatizimin e infrastrukturës strategjike”.

Në sektorin e mbrojtjes, SHBA-ja shtoi luftëanijen “USS Hershel Woody Williams” në bazën ushtarake të Kretës duke nënkuptuar se ajo nuk mbështetet ushtarakisht vetëm mbi Turqinë dhe se nëse marrëdhëniet përkeqësohen prania amerikane në bazën ajrore të Incirlikut mund të zhvendoset në Kretë. Këto lëvizje u mirëpritën në Athinë pavarësisht se u shprehën rezerva si lidhur me përfshirjen amerikane (disa aluduan se Uashingtoni priti të ngriheshin teonsionet me qëllim që të ndërhynte duke përfshirë dhe interesat ekonomike) ashtu dhe lidhur me mundësinë e përfshirjes amerikane në një konflikt të drejtëpërdrejtë me Turqinë. Për pasojë, Erdogani bëri një hap pas, duke kërkuar dialog por nuk e uli kërcënimin me luftë.

Një takim pasoi mes ministrit të jashtëm grek dhe turk ku pala turke u zotua se do të propozonte datën e fillimit të bisedimeve “kërkimore” (siç quhen nga palët). Por në vend të datës Turqia pas pak ditësh dërgoi sërish Navtex — anijen e saj (Oruç Reis) për kërkime në zonën detare të diskutueshme të Kastelorizos. Për pasojë Greqia u përgjigj me “anti-Navtex” — dërgoi anije greke në zonë, hamendësisht për të penguar veprimet e anijes turke, dhe kërkoi nga BE-ja sanksione ndaj Ankarasë. Ministria e jashtme greke e quajti nisjen e anijes një “përshkallëzim të madh” dhe “kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen në rajon” ndërsa Turqia akuzoi Athinën për nxitjen e tensioneve. Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit një ditë më pas dënoi veprimet e Turqisë.

Njëlloj veproi dhe ministri i jashtë gjerman, Masi, duke vizituar Qipron paralelisht dhe më pas Greqinë. Por thirrjes greke për sanksione Gjermania iu përgjigj me “përmbajtje”. Një arsye —dhe më kryesorja— se pse Gjermania ngurron të vendosë sanksione ndaj Turqisë, duke kundërshtuar dhe Francën, është fakti se investimet gjermane atje janë disafish më të mëdha se investimet gjermane në Greqi. Në vitin 2018 ishin 2,110 ndërmarrje gjermane në Turqi. Mes viteve 2002-2018 investimet direkte gjermane në Turqi ishin afërsisht 9 miliardë euro. Në të njëjtën periudhë, investimet turke në Gjermani ishin 2 miliardë euro. Ndërsa investimet gjermane në Greqi janë rritur (gjatë vitit 2019 me 3,5 miliardë euro) ndërmarrjet gjermane atje janë 120 me rreth 27,000 punëtorë dhe një xhiro vjetore prej 7 miliardë euro ose 3.3% e PPB të Greqisë. 

Ndërsa anija turke udhëtonte për në zonën detare ku pritet të kërkojë për rezerva energjitike forcat ushtarake greke u vendosën në gadishmëri të plotë dhe nëse anija turke dhe shoqërueset e saj kalonin 12 milje në Kastelorizo, ushtria greke do të sulmonte. Reagimi i partive politike greke nuk ishte i njëjtë: Siriza, partia kryesore e opozites, kërkoi zgjerimin e ujërave detare në jug të vendit, duke filluar me ishullin Kastelorizo dhe të tjerë pas tij, me 12 milje. Qendrim të njëjtë patën dhe parti të tjera të qendrës. Por partia komuniste atje pati —me të drejtë— qendrim tjetër: ajo gjykon se Greqia po luan lojra imperialiste me perëndimin në përgjithësi dhe për sa kohë që “loja” në fjalë vazhdon për aq kohë Turqia do të përshkallëzojë sjelljen e saj.    

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA