...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ushqyerja me qumësht gjiri dhe qendrimi kundërthënës i Shteteve të Bashkuara

Ne e dimë se menjëherë pas lindjes, kur nëna e vendos fëmijën në gji, foshnja merr kolostrumin, qumështin fillestar që prodhon nëna dhe që ka përmbajtje të lartë imunoglobine që mbron fëmijën nga infeksioni...ky qumësht është shumë i rëndësishëm për foshnjet dhe ushqimi vetëm me qumësht gjiri i vazhdon këto përfitime shëndetësore për foshnjen

Voa

24/08/2018 - 13:27

Zyrtarët botërorë të shëndetësisë u tronditën kur Shtetet e Bashkuara kundërshtuan një rezolutë për të inkurajuar ushqyerjen e foshnjeve me qumështin e gjirit, veçanërisht pas shumë dekadash studimesh që kanë treguar përfitimet si për nënat ashtu edhe foshnjet. Zëri i Amerikës bisedoi me dy mjekë të shquar që mbështesin fuqimisht rezolutën e OKB-së bazuar në studime shkencore dhe shpjegojnë të mirat dhe rreziqet e ushqyerjes me qumësht gjiri dhe me formulë.

Miliona foshnje në mbarë botën do të rriten mbarë nëse marrin qumështin e nënës për 6 muajt e parë të jetës - ose më gjatë. Gjetjet vijnë nga studimi më i madh dhe më i hollësishëm deri tani mbi të mirat e ushqyerjes me gji. Ai u botua në revistën mjekësore The Lancet dy vjet më parë. Studimi tregon se ushqyerja me gji mund të shpëtojë jetët e 800,000 foshnjeve në vit.

Pediatrit thonë se ndërsa gratë duhet të kenë opsione, shkenca mbështet qartësisht ushqyerjen me qumështin e gjirit.

"Kjo është vërtetuar bazuar në disa dekada studimesh", thotë mjeku Dennis Kuo në Universitetin Buffalo.

Ushqyerja me gji ka vlera ushqimore, ul infeksionet dhe është më e lirë se ushqyerja me formula.

"Ne e dimë se menjëherë pas lindjes, kur nëna e vendos fëmijën në gji, foshnja merr kolostrumin, qumështin fillestar që prodhon nëna dhe që ka përmbajtje të lartë imunoglobine që mbron fëmijën nga infeksioni. Pra ky qumësht është shumë i rëndësishëm për foshnjet dhe ushqimi vetëm me qumësht gjiri i vazhdon këto përfitime shëndetësore për foshnjen", thotë mjekja Joan Younger Meeks.

Për gratë që përdorin formulën për foshnjet, uji i pastër është një domosdoshmëri jo vetëm për formulën, por edhe për pastrimin e shisheve. Lugët e përdorura për të matur formulën duhet gjithashtu të jenë të pastra. Nëse jo, foshnja mund të ketë diarre e cila mund të jetë fatale.

Dhe për shkak se formula është e shtrenjtë, nëse një nënë përpiqet ta zgjasë atë, foshnja nuk do të ketë mjaftueshëm për të ngrënë.

"Përfitimet e ushqyerjes me gji janë jashtëzakonisht të larta për t'u mbrojtur nga këto sëmundje", thotë mjeku Dennis Kuo.

Foshnjet që ushqehen me qumësht gjiri kanë më pak infeksione të veshëve dhe më pak probleme të tretjes. Ata rriten ndryshe. Qumështi i gjirit i mbron fëmijët nga obeziteti më vonë në jetë.

Formulat janë përmirësuar me kalimin e kohës me shtimin e acideve yndyrore dhe proteinave më cilësore, por mjekët thonë se asgjë nuk mund ta zëvendësojë qumështin e gjirit.

"E vlerësoj faktin se formulat po përmirësohen gjithnjë e më shumë, por kam vërejtur se edhe kolegët tanë që punojnë në industrinë e formulave e pranojnë se qumështi i gjirit është standardi i artë dhe do të thoja se qumështi i gjirit është ende më i miri".

Ushqyerja me gji gjithashtu sjell përfitime të qarta edhe për nënën. Pikë së pari, ajo zvogëlon shanset për të patur hemoragji pas lindjes.

Mjekët thonë se gratë duhet të mbështeten nga mjekët e tyre, nga familjet, komunitetet dhe nga punëdhënësit e tyre në mënyrë që të ushqejnë me sukses fëmijët e tyre - për t'u dhënë të porsalindurve shansin më të mirë për një jetë të shëndetshme.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA