...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Meta president: kulmi i paturpësisë së një populli

Sepse është përmes veprimeve të ndërgjegjshme që turpi ndjehet, dhe njeriu i mirë kurrë nuk do të veprojë keq me ndërgjegjje. —Aristoteli

SHJ

28/04/2017 - 12:41

Dihet tashmë se si Meta u ngjit në pushtetin e shtetit modern (me termin ‘modern’ kuptohet sinteza dhe karakteristika kryesore e shtetit të dy qind e ca viteve të fundit: heteronomia): përmes “Partisë Socialiste”, pinjollës së “Partisë së Punës”, e cila, në vitin 2000, në fjalët e Nanos, braktisi klasën punëtore dhe iu përshtat formulës së re që po lindte kudo në perëndim: të partive politike që përfaqësojnë klasën e mesme dhe klasën e lartë. Ishte pikërisht kjo fazë që solli një figurë të re politike: Ilir Metën. Por ishin mosmarrëveshjet dhe konfliktet e shpeshta dhe rritja e mosbesimit mes dy partive kryesore të establishmentit politik —PD-së dhe PS-së— që krijoi kushtet për krijimin e LSI-së — si ‘simbol’ i pajtimit mes partive kryesore. Në rreth 12 vjet jetë të saj, LSI-ja nuk ka të shënuar në altarin e saj asnjë sukses — në filozofi, politika dhe inovacione administrative. Suksesi i vetëm i LSI-së është katapultimi i Metës sa në një pushtet në tjetrin dhe rritja e numrit të deputetëve të saj në kuvend.

Nga ana tjetër, vetë Meta është implikuar në shumë çështje korruptive. Filloi me Dritan Priftin, nga vetë deputeti i LSI-së, i cili na tregoi në video nepotizmin e Metës ku emëronte drejtorët e deri te rryshfetet e Kastriot Ismailaj, biznesmenit të akuzuar për mashtrim dhe pastrim parash, DIA-s dhe CEZ-it.[1] Por ishte pikërisht faza e parë që krijoi mundësitë e Metës për të përqendruar pushtet ekonomik dhe përparuar pushtetin e tij politik: sepse Meta përparon pushtetin politik përmes pushtetit ekonomik. Jo vetëm duke majmur parazitët e “lëvizjes” por edhe masmedian (“oranews” etj.). Sa u përket ‘inovacioneve’ politike dhe administrative, Meta e ka treguar prej kohësh paaftësinë e tij për të sjellë një frymë të re filozofike dhe organizative. Në fushatën aktuale parazgjedhore, për shembull, LSI-ja ka adoptuar ‘sloganin’ e Obamës dhe ky i fundit nga të tjerë: “një shans për të gjithë”! Sigurisht, së pari për Metën dhe servilët që e rrethojnë, dhe pastaj për gjithë të tjerët.

Por çfarë e detyroi Ramën që të propozonte Metën për president kur dihet se Meta urrehet në rradhët e PS-së (dhe jo vetëm)? S’do shumë mend për t’u kuptuar: pamundësia e tij për të konsoliduar PS-në dhe siguruar shumicën e votave të popullit. Zgjedhja e Metës president do të çlirojë dhe “ankthin” që ka mbërthyer Berishën dhe servilët e tjerë: sepse si president, Meta do t’i vendosë epitafin refomës në drejtësi. Domethënë, do të pamundësojë edhe më shumë hetimin e kriminelëve në pushtet. Kështuqë zgjedhja e Metës president është në interes të PD-së gjithashtu pavarësisht se ajo nuk pajtohet me zgjedhjen e tij në parim. Zgjedhja e tij, do të jetë e mirëpritur edhe nga amerikanët dhe europianët pavarësisht dështimit të reformës në drejtësi dhe qëllimit të saj: hetimit të Metës dhe gjithë partive në pushtet: sepse është më e mirë një “paqe” e brishtë me kriminelë se sa një gjendje lufte...

Sigurisht, nga kjo maskaradë e madhe, populli ka përgjegjësinë e tij. Me ‘popull’ kuptohet shumica dërrmuese e popullit tonë, e cila, tregoi edhe një herë, se megjithëse veprimet kriminale i urren dhe nuk i toleron...paaftësinë e tij për t’u vetë-organizuar në pavarësi nga partitë politike për të nxjerrë vetë “qimen nga qulli”: sepse një popull që pret t’ia nxjerrin qimen të tjerët, nuk meriton të ushqehet.             



[1]Akuza në arbitrazh: Ilir Meta mori ryshfet nga biznesmeni i arrestuar për mashtrim, BIRN, 3 shtator 2015.   

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA