...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Bogë: fshati magjepsës i Shqipërisë*

Boga të magjeps me burkurinë e saj përrallore dhe ia vlen të vizitohet dhe shijohet nga të gjithë

Jola Doçi-Dibrani

03/03/2018 - 13:53

Qendra turistike e skijimit në fshatin Bogë - njëra ndër pikat më të frekuentuara nga turistët në të gjitha stinët

Isha në mëdyshje se ku ta bëja një vizitë në pikat turistike dimërore të Kosovës. Nga një hapësirë e vogël gjeografike ka mjaft pika frekuentuese të turizmit dimëror. Më herët në Kosovë ka qenë Brezovica, ose siç njihet ndryshe, “Malet e Sharrit”. Kjo pikë turistike për fat të keq akoma është e uzurpuar më shumë nga serbët. Ajo gjendet në zemër të banimeve shqiptare, si nga Kosova ashtu edhe nga Maqedonia, dhe larg kufirit me Serbinë: mbi 100 km! Vendet që përzgjodhi Jugosllavia si vende me më shumë vlera ishin: Trepça në Mitrovicë; tokat më pjellore te rrafshit të Kosovës; Manastiret iliro-shqiptare etj.). Brezovicën  si pikë pushimi e kanë pas frekuentuar edhe funksionarët e ish Jugosllavisë. Pas luftës së Kosovës dhe zhvillimit  në sektorin e turizmit malor, iu shtua edhe Rugova (Pejë), Prevalla (Prizren), Brodi (Dragash) dhe Bajgora (Mitrovicë).Atje janë ndërtuar disa qendra rekreative dimërore - bashkë me shtigjet e skive.

Nga Tirana për Prishtine sa isha rrugës më ranë në sy shumë vetura me pajisje skijimi të ngarkuara që udhëtonin drejt Kosovës. Përzgjodha fshatin Bogë ta vizitoja meqë isha një vizitë paraprake me kolektivin e “Spitalit Ushtarak në Tiranë”. Nga mbresat e asaj vizite të shkurtër e vlerësoj Bogën e  Rugovës si fshatin më turistik gjatë dimrit në Rrafshin e Dukagjinit dhe Kosovës.

Largësia nga Prishtina në Bogë është rreth 120 km dhe 30 km larg qytetit të Pejës. Udhëtimi ynë zgjati rreth dy orë nga kryeqyteti kosovar Prishtina. Aty  pashë auto-targa nga shumë shtete të Evropës - përveç nga Shqiperia dhe Kosova. Në mes të shumë turistëve kishte shumë nga Shqipëria që shprehën me shumë fjalë të mira për këtë vend. Hotel “Magra Austria” ishte  më i madhi në gjithë Rugovën. Ai madje, ka edhe pishinën brenda, saunat dhe shërbimet tjera . Aty u vendosa ta kaloj një natë në lartësinë mbidetare. Kodrat bashkoheshin me qiellin dhe aroma e pishave të larta me gjelbërimin e tyre dhe petkun e bardh nga dëbora i jepnin pamje të mrekullueshme dhe piktoreske dhe përrallore një fshati të vogël.

Rugova është rejoni i tretë i Bjeshkëve të Nemuna, të njohura ndryshe si “Alpet Shqiptare ”. Në vitin 2013 u shpall Park Kombëtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Boga ndodhet mes maleve të Rugovës dhe është fshati ma i vizituar. Po ashtu është një ndër vendet më të vizituara në të gjitha stinët tjera. Boga, përveç skijimit , pushimeve dimërore është edhe shëruese e disa sëmundjeve (të tuberkulozit ,tumorit etj.).

Lartësia mbi detin është rreth dy mijë metra. Klima zhvillon rruazat e kuqe, sjell freskinë dhe forcën  në gjymtyrët e trupit. Klima, malet dhe atmosfera që rrethon Bogën, janë të mrekullueshme. Prandaj edhe mikpritja e rugovasëve nuk mungon: e kanë përshtatur pritjen me sofrën me ushqime të freskëta të maleve.

Zhvillimi  i asaj zone shihet  me rrugët e mira, me shtëpiza që janë të ndërtuara me dru pishe. Disa edhe si kulla tradicionale. Por ka shumë sektorë për t’u përmirësuar. Në infrastrukturë ka të meta. Shpesh nuk i përshtatin ndërtimet në përputhje me kushtet klimatike pavarësisht se teknika tani është më bashkëkohore.

Shkallët elektrike ndihmonin në mosngulfatjen e turistëve si pasojë parkingjeve të pamjaftueshëm. Qendra e skijimit ishte shumë e groposur por edhe me pak vende parkingjesh. Po ashtu ishte edhe pranë “Hotelit Austria”. Por nga çështjet më serioze ishte pista rrëshqitjes e cila kishte shtylla elektrike në mes! Mbishkrimet dijësuese mungonin — një e metë që është ende tek ne shqiptarët në tërësi, si në hapësira publike, (autostrada, rrugë dhe muzeume, etj.) ashtu dhe në hapësira private.

Sidoqoftë, Boga të magjeps me burkurinë e saj përrallore dhe ia vlen të vizitohet dhe shijohet nga të gjithë. Shpresojmë, ndërkohë që vërejtet tona të merren në konsideratë nga autoritet për të përmirësuar kushtet për njerëzit dhe ruajtur natyrën e Natyrës.   

*...i Shqipërisë, jo në kuptimin juridik por në kuptimin organik: se Kosova është pjesë organike e Shqipërisë. Redaksia

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA