...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

28-29 Nëntori: festa kombëtare apo ditë reflektimi dhe nderimi?

Ne gjeneratat e mëvonshme që nuk kemi sakrifikuar asgjë për ato Data, pse duhet të festojmë kur dihet se për realizimin e atyre Datave janë vrarë mijëra bijë e bija, nuk janë realizuar idealet e tyre dhe Shqipëria është pushtuar sërish?! Festa si nocion nënkupton një lloj kënaqësie. Si mund të ndiesh kënaqësi me flijimin e mijëra njerëzve ndërsa idealet e tyre nuk janë realizuar?!

Ylli Përmeti

30/11/2020 - 09:12

Neni 14 i Kushtetutës dhe pika 5 e tij thotë se “Festa Kombëtare e Republikës së Shqipërisë është Dita e Flamurit, 28 Nëntori”. Në asnjë nga Kushtetutat e viteve 1950 dhe 1976 të Shqipërisë Socialiste nuk citohet se këto data kanë qenë “festa kombëtare”. As në dispozitat kushtetuese të 1991. Data 28 citohet vetëm në Kushtetutën e vitit 1998 dhe në variantin e përditësuar të saj. Këto dy data njihen dhe festohen si festa kombëtare nga shteti pavarësisht se nuk citohen bashkë në kushtetutë. Data 28 mund të jetë festuar gjatë mbretërisë së Zogut. Nuk jam në dijeni për këtë fakt. Por të dyja janë festuar gjatë socializmit dhe vazhdojnë të festohen. Datën 28 kishin deri diku të drejtë ta festonin njerëzit që kontribuan për të siç kishin të drejtë ta festonin ata që kontibuan për 29 Nëntorin, meqë sakrifikuan për të dhe realizuan ndoshta disa nga idealet e tyre.

Por ne gjeneratat e mëvonshme që nuk kemi sakrifikuar asgjë për ato Data, pse duhet të festojmë kur dihet se për realizimin e atyre Datave janë vrarë mijëra bijë e bija, nuk janë realizuar idealet e tyre dhe Shqipëria është pushtuar sërish?! Festa si nocion nënkupton një lloj kënaqësie. Si mund të ndiesh kënaqësi me flijimin e mijëra njerëzve ndërsa idealet e tyre nuk janë realizuar?! Një nga idealet e tyre kryesore ishte Liria dhe Pavarësia. Të dy si nocione janë të bashkëvarur. Ne nuk jemi të pavarur, as ekonomikisht as politikisht dhe as shoqërisht! Si mund të festohen këto data në këto kushte?! Në vend të reflektojmë për idealet e tyre dhe t`i nderojmë, ne festojmë!

Reflektimi do të na bënte të barazoheshim me emancimin e Yjeve të rënë dhe të kuptonim realitetin në të cilin jetojmë. Por klasa politike kërkon ta marros popullin kur i tregon atij festat kombëtare —për të cilat s`ka dhënë asnjë kontribut, as klasa politike as populli, përkundrazi, kanë kontribuar të gjithë bashkë në minim e Pavarësisë— dhe nuk i tregon as realitetin ku jetojmë as ku do të përfundojë në të ardhmen me politikat që po ndiqen! Nëse flamuri shqiptar do të ndahësh në përqindje pushtetesh, pushtetin kryesor e zotërojnë të huajt, italianët, grekët, turqit etj. Ndaj dhe flamuri ynë nuk është i kuq aktualisht por me shumë ngjyra—me ngjyrat e flamujve të shteteve të huaj që historikisht na kanë gjymtuar kundër të cilëve dhanë jetën ata në emër të cilëve ne festojmë!

Edhe shqiponja nuk është e lirë në krahët e saj: në përqindje të ndryshme krahët e saj janë të “kapur” nga fijet e pushteteve të huaj. Ky është një realitet i dhimbshëm disafish: si në raport me ata që dhanë jetën për Lirinë e Shqipërisë dhe si me realitetin aktual. Ndaj mirë do të ishte -që mos të na tallin të huajt- të kërkojmë që këto Data të mos jenë festa kombëtare por ditë reflektimi dhe nderimi. Përmes reflektimit do të mësojnë gjeneratat rëndësinë e flijimit të dëshmorëve tanë ndërsa përmes nderimit do të mësojnë të nderojnë pikë së pari ata që kontribuan për jetën e tyre dhe kështu të mësojnë të kontribojnë dhe ata për idealet e Lirisë dhe Pavarësisë, si në nivel shtetëror ashtu dhe në nivel shoqëror.

Njëlloj duhet të veprojnë dhe shqiptarët e Kosovës të cilët kujtojnë pavarësinë e tyre në të njëjtën date: 28 Nëntor, duke u bërë këto data simbolike që nga koha e Skënderbeut: sepse më 28 nëntor 1443, heroi ynë kombëtar çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e saj.

Mjaft u tallët me Heronjtë dhe Idealet e tyre të shtrenjta.     

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA