...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Agresioni serb, vizita e Ramës në Prishtinë dhe dy mashtrimet e tij historike

Në kushte të “Ballkanit të Hapur”, në fakt, Serbia do ta ketë më të thjeshtë përdorimin e agresionit ushtarak, sepse do të pasurohet më shumë se vendet e tjerë...dhe veçanërisht më shumë se shqiptarët prej të cilëve do të gjenerojë shumë fitime një përqindje e të cilave do të shkojë për blerje armësh

Ylli Përmeti

28/09/2021 - 19:31

Vizita e Ramës në Prishtinë, pas kërcënimeve të Serbisë së Vuçiçit ndaj kundërpërgjigjes së Kurtit për targat e automjeteve, ishte e nevojshme por pati dy kontradikta kryesore. Kur u pyet Rama nëse ishte i bindur për “Ballkanin e Hapur pas reagimit serb, ai tha: “tani jam edhe më i bindur se sa ç`isha...që “Ballkani i Hapur” është rruga jonë, për të mirën tonë të përbashkët. Është e rëndësishme të kuptojmë se kjo është një mosdakortësi e natyrës politike dhe ne duhet ta trajtojmë si të tillë dhe marrëdhëniet tona [shqiptare] nuk ndikohen nga një mosdakortësi. Ndërkohë që themeli i dakortësisë sonë është i një natyre tjetër, jo politike, por kombëtare, vllazërore edhe është përtej çdo mosdakortësie të mundshme politike dhe patjetërsushmërinë e një ëndërre të përbashkët për të jetuar një ditë në një hapësirë të pandarë, si shqiptarë dhe si europianë, dhe ajo ditë do të vijë, është e pashmangshme”.

Ndërsa shëmton shqipen me fjalë idiote si ajo e “mosdakortësisë”, në një takim me disa studentë, pas takimeve politike me qeverinë dhe partitë kryesore politike në Prishtinë, ai tha se heqja e kufijëve mes nesh do të “alarmonte” më shumë “Uashingtonin dhe Brukselin” se sa “Beogradin”. Por argumenti se ata “alarmohen”, ndaj nuk mund të heqim kufijtë mes nesh, është një gjepur kriminale sepse megjithëse Uashingtoni dhe Brukseli kanë për qëllim të kenë kryefjalën në marrëdhëniet Shqipëri/Kosovë-Serbi (me qëllim që të mbahen mend në histori si zgjidhës problemesh në rajonin tonë dhe ta përdorin për interesat e tyre gjeopolitike), ishte i njëjti Uashington dhe Bruksel kur britanikët përdorën të drejtën ndërkombëtare —referendumin— lidhur me qendrimin ose jo në BE/Eurozonë, që “heshtën”: respektuan deri diku të drejtën e popullit britanik për të vetëvendosur pavarësisht se nuk mungoi minimi përpjekjes nga qendrat përkatëse, kryesisht duke përdorur frikën për pasojat e daljes nga BE-ja.

Rama, në fjalë të tjera, u tha studentëve se ai po përdor “diplomacinë” për të bashkuar Shqipërinë dhe Kosovën por “diplomacinë” nuk e kupton si përpjeke e ministrisë sonë të jashtme për të vënë në jetë politikën e saj të jashtme. Kjo e fundit e shpalli “politikën” e saj që ditën e parë të “punimeve” të kuvendit të ri, se do të ishte “në linjë me vendet partnere e me aleatët tanë”—domethënë, jo politikë e jashtme e pavarur por në linjë me epshet e aleatëve. Por si “strategji”, e cila buron nga Uashingtoni dhe Bruskeli, për të cilën studentët duhet të ishin vënë në dijeni nga pedagogët e partive: se “bashkimi” kombëtar mund të realizohet përmes “katër lirive” që mbizotërojnë në BE/Eurozonë dhe globalizmin neoliberal, është një tjetër gjepur. Kështu, ai nuk përmendi të drejtën ndërkombëtare as për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës as për të drejtat e shqiptarëve në Serbi!

Në fakt, përpara këtij qendrimi ai përmendi dhe padrejtësitë serbe ndaj pakicës shqiptare në Serbi duke e krahasuar me pakicën serbe në Kosovë ku nuk paguajnë drita e ujë për 22 vjet me radhë dhe gëzojnë të drejta si asnjë pakicë tjetër në botë, por në vend të përdorë drejtësinë për t`i ndihmuar ata, ai beson se shqiptarët në Serbi duhet të ndihmohen “nga jashtë dhe nga brenda”, ku me “veprime të jashtme” kuptonte mbështejen nga shteti dhe qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës [e cila mungon sepse, sipas tij, gjendja ekonomike e vendeve tona është e dobët] dhe me “veprime të brendshme...në sensin e çuarjes përpara të emrave që atyre [shqiptarëve] u interesojnë, duke krijuar një raport se më të volitshëm me qeverinë e shtetit ku jetojnë”, duke mos përmendur, edhe një herë, të drejtën ndërkombëtare!

Domethënë, kur krahasoi pakicat serbe me pakicat shqiptare përdori “kandarin” e drejtësisë ndërsa kur i lidhi ato me detyrën e qeverisë së tij, përdori mbështetjen financiare dhe “raportin e volitshëm” dhe jo “raportin e drejtë! Pa u çuditur, edhe ky argument i Ramës nuk u kundërshtua nga studentët!

Në fakt, një javë më parë, Rama në OKB foli për gjithçka —për pandeminë, terrorizmin ndërkombëtar, izolacionizmin, ndryshimet klimatike, integrimin në BE, refugjatët afganë etj.— dhe kërkoi njohjen e Kosovës nga Serbia por padrejtësitë e saj, si në të kaluarën ashtu dhe në të tashmen, dhe planet e saj lidhur me të ardhmen, nuk i përmendi askund!

Vuçiçi sigurisht që ishte në dijeni të pranisë ekonomike amerikane dhe evropiane në vendin e tij dhe presioneve të mundshme që mund të shkaktoheshin nëse ai përdorte gjuhën e luftës apo veprime luftarake si ato që përmendi: se do të shkonte në zonën kufitare për të mbrojtur serbët nga “dhuna” e policisë shqiptare. Ishte në dijeni, gjithashtu, edhe për faktin se në Kosovë vazhdojnë të jenë forcat ushtarake të NATO-s, për ruajtjen e paqes, dhe për bazën amerikane. Por ai i “harroi” ato kur u përballë me gjuhën e drejtësisë (sipas parimit të ndërsjelltësisë) nga Kosova: “humbi” mendjen dhe kërcënoi me luftë duke i dërguar ultimatum vetë NATO-s, se “ne presim që Nato-ja të reagojë. Jemi duke pritur për 24 orë. Nëse vazhdon përndjekja [...] e popullsisë [serbe] Serbia do të reagojë”, tha Vuçiçi.

Kështu në një fjali të vetme shtrembëroi realitetin në terren duke thënë se populli serb po përndiqësh nga...shqiptarët dhe paraljamëroi ndërhyrje ushtarake!

Por le të hamendësojmë për një çast, se Ballkani Perëndimor është realizuar, dhe Serbia diktohet më shumë në politikën e saj të jashtme nga pushteti ekonomik i Uashingtonit dhe Brukselit, siç edhe synohet nga qendrat përkatëse—synim për të cilin është me siguri në dijeni Beogradi: sa mundësi do të kenë perëndimorët ta frenojnë Serbinë në sjelljen e saj prej fëmije? Asnjë mundësi nuk kanë!—sepse Serbia e ka një këmbë në Moskë dhe një tjetër në BE dhe agresionin e saj ushtarak do ta përdorë edhe kur të varet më shumë nga pushteti ekonomik perëndimor: sepse këta të fundit, bashkë me Ramën, nuk i kanë kërkuar të bëjë “mea culpa” për krimet që ka shkaktuar në Ballkan dhe veçanërisht ndaj shqiptarëve, ndaj ndihet krenare për luftrat e saj dhe ndaj do ta përdorë prapë agresionin ushtarak.

Në kushte të “Ballkanit të Hapur”, në fakt, Serbia do ta ketë më të thjeshtë përdorimin e agresionit ushtarak, sepse do të pasurohet më shumë se vendet e tjerë...dhe veçanërisht më shumë se shqiptarët prej të cilëve do të gjenerojë shumë fitime një përqindje e të cilave do të shkojë për blerje armësh! Domethënë, ajo do të shfrytëzojë tregun përbashkët rajonal, të cilin Rama dhe perëndimorët po përpiqen të krijojnë, dhe bashkë me të dhe shqiptarët, për t`u pasuruar më shumë dhe për të blerë armë të cilat do t`i drejtojë kryesisht kundër shqiptarëve!

Thënë ndryshe, Rama po krijon një treg të përbashkët prej të cilit përfiton më shumë Serbia—për gjithë arsyet që kam cituar dhe shqyrtuar në vend tjetër— për të blerë armë dhe për të kërcënuar shqiptarët dhe thotë, pa droje, se është më i bindur se kurrë se “Ballkani i Hapur” është në interesin tonë “strategjik”!      

Kurti pati një qendrim më të drejtë me rastin e vizitës së Ramës: ai përdori argumentin e “katër lirive” të Ramës dhe perëndimorëve kundrejt dy vendeve tanë—se ato po përparojnë mes nesh duke krijuar përshtypjen se po përparojmë dhe në “bashkimin” tonë kombëtar— por jo plotësisht i drejtë, sepse nuk përmendi të drejtën ndërkombëtare, të cilën mund dhe duhet ta përdorë pikë së pari shteti amë, Shqipëria, dhe referendumet për të cilët ai ka folur aq shumë herë kur ishte në opozitë. Por si duket nuk donte të shkaktonte ndonjë “incident” diplomatik me Ramën—marjonetën e perëndimorëve!         

*Karikatura që shoqëron këtë editorial është e Bujar Kapexhiut

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA