...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Armiku i popullit shqiptar dhe miku i Ramës, Vuçiçi

Për hir të diplomacisë shtetërore dhe ndjesisë së popullit shqiptar, të mos e quante “mik” por thjesht drejtues të një shteti fqinj

Ylli Përmeti

20/04/2023 - 09:52

Pata një udhëtim “rrufe” në Kosovë dy javë më parë. S`kisha udhëtuar ndonjë herë me autobus drejt saj dhe isha plotë kureshtje të shihja si gjeografinë (malet etj.) ashtu dhe banimet.

Nga bisedat që pata me popullin e Kosovës kuptova se Rama shihet si armik, sepse, siç thoshte populli, ai quan “mik” armikun e popullit shqiptar: Vuçiçin! Dhe kanë të drejtë, pavarësisht se unë përpiqesha ta zbusja ndjesinë e tyre për hir të vëllazërimit dhe bashkimit. Por kur mendoja dhe faktin tjetër se Vuçiçi e ka shprehur publikisht qëllimin e tij për të penguar zhvillimin e shtetit të Kosovës, një dhimbje e madhe ma përshkonte shpirtin!

Rama dhe çdo “ramë” tjetër, ka dy prova mjaft të qartë për karakterin e Vuçiçit në raport me popullin tonë: si ministër i informacionit në qeverinë e Milosheviçit në vitet 1998-2000, pikërisht kur u zhvillua lufta mes shqiptarëve dhe serbëve, Vuçiçi kishte përgjegjësi të madhe në vendimet e kryetarit të tij. Me siguri me të dhënat e tij ai ka nxitur qeverinë ku bënte pjesë të vepronte ashtu siç veproi ndaj shqiptarëve. Por prova më e fortë lidhet me qendrimin e tij, të cilin unë e përmend kudo: se ai synon të pengojë zhvillimin e shtetit të Kosovës!

Madje ai guxoi dhe mbajti një qendrim edhe më armiqësor në shtator të vitit 2018 në Mitrovicë kur tha se “Milosheviçi ishte një udhëheqës i madh serb, që kishte qëllimet më të mira […] por përfundimet e veprimeve të tij ishin shumë të varfëra. Jo sepse ai donte të dilnin ashtu, por sepse dëshirat tona ishin joreale, ndërsa ne dështuam dhe nënvlerësuam interesat dhe aspiratat e kombeve të tjerë. Për shkak të asaj [politike], ne paguam një çmim të madh. Ne nuk jemi zgjeruar”, tha ai.

Ndaj këtij qendrimi pati reagim të menjëhershëm nga qeveria “Hoti” dhe të tjerë, brenda dhe jashtë vendit. Disa e krahasuan atë me Hitlerin ― në kuptimin që është njësoj si të themi se edhe Hitleri kishte qëllime të mira por ai gaboi në veprime. Por ndërsa krahasimi është i padrejtë, sepse Hitleri ishte brujtur me ideologjinë naziste, e cila ndryshon nga ideologjia nacionaliste serbe, në disa aspekte, ai nuk pranon vetëm faktin se Milosheviçi në gjykimin e tij ishte një udhëheqës i madh por e pranon hapur se Serbia me luftën e saj synonte zgjerimin e saj, sigurisht, mbi kombet e tjerë! 

Kështu, me një qendrim tregoi besimin e tij lidhur me Milosheviçin dhe qëllimin e Serbisë në kohën kur ishte ministër informacioni. Por në kohën kur Milosheviçi ishte dënuar për krime lufte dhe Serbia humbi luftën me shqiptarët!

Kështu në vend të kërkonte ndjesë ndaj qeverisë ku kishte rol vendimtar në vendime dhe ndaj shqiptarëve, ai thotë se ai do të bëjë ç`është e mundur që të pengojë zhvillimin e shtetit të Kosovës!

Këto fakte nuk mjaftojnë për Ramën që ta quajë “armik” Vuçiçin si populli ynë apo të paktën, për hir të diplomacisë shtetërore dhe ndjesisë së popullit shqiptar, të mos e quante “mik” por thjesht drejtues të një shteti fqinj për të cilin ka votuar shumica e një populli fqinj dhe jo ai e as populli shqiptar dhe ai e ka për detyrë të ulet dhe të bisedojë me të për të zgjidhur mosmarrëveshjet tona.

Por s`ka vepruar kështu! 

Madje, ai po përdor Ballkanin e Hapur kundër heqjes së kufirit mes Shqipërisë juridike dhe jo-juridike: Kosovës! Ka kaluar më shumë se një vit që kur qeveria “Rama” dhe “Kurti” premtuan se do të hiqnin kufirin mes shqiptarëve dhe se do të punonin për lëvizjen e lirë të popullit; por ndërsa Prishtina e realizoi heqjen e kontrollit të njerëzve në dogana, Tirana jo: sepse kur udhëton për në Kosovë udhëtarët kontrollohen ndërsa kur udhëton anasjelltas, jo.

Rama ka thënë se heqja e kufirit alarmon Beogradin, Brukselin dhe Uashingtonin, ndaj nuk është hequr! Por pa paraqitur ndonjë fakt! Por ai shton, gjithashtu, se heqja e kufirit në ‘masën e vetëplotë’, siç e quan ai, “ka nevojë për marrëveshje me vendet e Ballkanit Perëndimor”!

Por është e qartë se ai po përdor Ballkanin e Hapur, të cilin e kundërshton deri diku me të drejtë qeveria dhe populli i Kosovës, për të detyruar Kurtin të bëhet pjesë e tij dhe më pas ta përdrorë si realizim të “bashkimit tonë kombëtar” ose se “bashkimi kombëtar” ishte rezultat i Ballkanit të Hapur dhe kështu të nderohen të gjithë ata që e krijuan, mbështetën dhe përparuan.

Thënë, në fjalë të tjera, ai synon të godasë me një gur dy zogj: edhe Ballkanin e Hapur edhe “bashkimin kombëtar” por duke ‘fshehur’ faktin se Serbia gëzon avantazhe ekonomike (megjithëse nuk kam dëgjuar nga Rama apo ndonjë tjetër të ketë kuptuar avantazhet ekonomike serbe në raport me ne) dhe për të njëjtën arsye ajo mund të përparojë çdo djallëzi në Kosovë dhe përtej saj.   

Në dëshpërimin e tij Rama do të thoshte po “unë kam përqafuar qasjen perëndimore, sipas së cilës ne duhet ta harrojmë të kaluarën për hir të ardhmes sonë me Serbinë dhe për këtë qëllim po e quaj Vuçiçin mik, për të treguar se armiqësia harrohet dhe miqësia lind kur ka qëllime më fisnike: të shihet e ardhmja”!

Mirëpo, kjo “mbrojtje” harron faktin se armiqësia e Vuçiçit nuk mbaron me të kaluarën e tij si ministër i Milosheviçit por ajo vazhdon me përpjekjet e tij për të penguar zhvillimin e shtetit të Kosovës dhe do të vazhdojë më fuqishëm me përparimin e Ballkanit të Hapur pavarësisht se amerikanët dhe evropianët na “garantojnë” se Serbia do të jetë e urtë! 

Madje, ai e tha haptazi dhe qartë, menjëherë pas marrëveshjes së Ohrit, se për Beogradin nuk është vetem njohja e Kosovës vijë e kuqe por dhe anëtarësia në OKB!

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA