...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Arsyet e kthesës se Kurtit dhe rruga e tij pakrye

Kurti kapi dhe median në Kosovë me qëllim që të mbizotëronte rrëfenja se marrëveshja është e drejtë dhe shpresëdhënëse pavarësisht se shumica e popullit të Kosovës e ka kuptuar se marrëveshja nuk është e drejtë dhe unë tregoj se ajo nuk ka asnjë gjasë për mbarëvajtje.

Ylli Përmeti

30/03/2023 - 08:49

Kthesa e Kurtit ―nga refuzues i Zajednicës, në pranimin e saj dhe gati për nënshkrim, brenda një jave― lidhet kryesisht me qasjen e një profesori britanik, Marc Weller. Ky i fundit ka këshilluar Rugovën, ka qenë pjesë e bisedimeve në Rambuje, ka ndihmuar në hartimin e planit të Ahtisarit dhe në hartimin e ligjeve kushtetuese në Kosovë dhe me librin e tij ka ndihmuar Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për të marrë vendim mbi pavarësinë e Kosovës.

Në një intervistë për gazetën “Express” gjatë ditëve të para të shkurtit, ai pretendon se marrëveshja evropiane, në thelb, do të zhvillojë marrëdhënie të ndërsjella si shtete sovrane! Por ky pretendim është pjesërisht i drejtë, sepse propozimi nuk i quan qartazi palët sovrane (p.sh., të citojë se “palët si shtete sovrane nënshkruajnë këtë marrëveshje”) por e përmend dy herë fjalën “sovranitet” në përgjithësi.

Më tej ai argumenton se ky është “hapi` parë” dhe se pas tij do të shkohet drejt njohjes! Ai pranon se “marrëveshja aktuale synon të çojë në një marrëveshje të detyrueshme ligjore mbi normalizimin e plotë, por ajo nuk përmbush kërkesën e një normalizimi të tillë që duhet të ndjekë qasja e Serbisë në BE―hapi i dytë ka nevojë të ndjek të parin...në një mënyrë të arsyeshme”.

Ai përmend më tej faktin se Serbia nuk mund të hyjë në BE kur ka pretendime territoriale dhe rrëfen faktin se termi “vetëqeverisje” u zëvendësua me termin “vetë-menaxhim” dhe e quan atë më pak përfshirës.

Termi “këshillon”, sipas tij, se “Kosova mund të zhvillojë një propozim për një Statut që siguron bashkëpunim autentik mes bashkive në Kosovë ku një pakicë kombëtare përbën një shumicë rajonale [dhe] shmang një ndjesi dallimi në raport me pakicat e tjera, plotësisht të përputhshëm me kushtetutën e Kosovës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje dhe ligjin aktual mbi vetë-qeverisjen, [ndaj] ajo nuk do të jetë një shtresë e tretë qeverisëse në Kosovë [por] do të jetë bashkëpunim i bashkive në ushtrimin e detyrimeve që ato tashmë gëzojnë nën ligjin e Kosovës, dhe jo caktim i pushtetit ekzekutiv për to”.

Ai këshillon elitat perëndimore se Vuçiçi e ka të vështirë njohjen e Kosovës sepse s`ka mbështetje në Serbi, ndaj u thotë atyre që t`i peshojnë mirë fjalët, duke nënkuptuar se ato duhet të tërhiqen nga pretendimi i njohjes së Kosovës ndërsa nuk pretendon se këshillon Kurtin por lë të kuptohet se fjala e tij dëgjohet.

Gjykuar nga qendrimi i tij dhe nga kthesa e madhe e Kurtit dhe nga qendrimet e elitave perëndimore (Uashingtoni dhe Brukseli), kuptohet se këshillat e tij ndiqen gati me përpikmëri ndërsa Kurti shtoi si fillim mashtrimin e parë se “vetë-menaxhimi” nuk është “vetë-qeverisje” dhe më pas shtoi dhe gënjeshtrën tjetër, më të madhe se e para, se termi përfshihet në konventën evropiane mbi pakicat kombëtare.

Por këshilltari ka një gjykim tejet të ngushtë, jo vetëm në raport me Serbinë, në kuptimin se ajo e ka qëllim në vetë-vete pengimin e zhvillimit të shtetit të Kosovës (këtë fakt e ka pranuar botërisht Vuçiçi) por ky i fundit e ka detyrim kushtetues se Kosova është pjesë tërësore e Serbisë. Vuçiçi, në fjalë të tjera, ka dy arsye se pse pengon zhvillimin e shtetit të Kosovës: njëra lidhet me kushtetutën serbe ndërsa tjetra me qëllimin e vetë Vuçiçit, i cili buron pjesërisht nga kushtetuta dhe pjesërisht nga dëshira e Vuçiçit për të treguar se është patriot. 

Këshilltari, për më shumë, nuk e shikon Serbinë në një kontekst më të gjerë gjeopolitik: se ajo po lufton për sigurinë e saj duke përdorur dy pushtete: edhe perëndimin edhe Rusinë. Ky fakt ―bashkë me qëllimin e saj për të penguar zhvillimin e shtetit të Kosovës, qendrimin e butë të perëndimit qoftë edhe kur ajo tall mender me ta, avantazhet ushtarake që ka krijuar dy dekadat e fundit në raport me shqiptarët dhe ndikimi i luftës në Ukrainë― do ta nxisë Serbinë të vazhdojë përpjekjen e saj për të rifituar Kosovën. Të gjithë këta fakte janë shtysa të qënësishme për sjelljen e Beogradit në vijim. Madje, atyre mund t`u shtojmë dhe shtysën tjetër ―të shumicës së shoqërisë serbe― se ajo nuk dëshiron të jetë pjesë e perëndimit por e lindjes dhe e bllokut euraziatik.

Për të ndarë përgjegjësinë historike dhe kombëtare lidhur me marrëdhëniet Kosovë-Serbi, Kurti kërkoi ndihmën e Tiranës në “arenën” ndërkombëtare gjatë një vizite të shkurtër në ditët e fundit të marsit. Tirana, në fakt, e kishte mbështetur pajtimin e tij lidhur me marrëveshjen e Ohrit por si duket Kurti kërkonte mbështetje më të madhe. Shqipëria e ka për detyrë ―jo thjesht kushtetuese por morale dhe vëllazërore― ta ndihmojë Kosovën ndërkombëtarisht. Por ajo nuk vepron kështu sepse përputhet me politikën e jashtme të BE-së (kjo e fundit diktohet nga Uashingtoni): sepse ia detyron orientimi për t`u integruar në të. Njësoj përputhet dhe klasa politike në Prishtinë. Për këtë fakt është në dijeni Kurti!

Kështuqë përpjekja e tij për të kërkuar ndihmën e Tiranës në “arenën” ndërkombëtare nuk do të sjellë ndonjë ndryshim. Madje nuk është e vështirë të ketë menduar Rama se në fund të fundit firmën në marrëveshjen përkatëse do ta vendosë Kurti dhe për pasojë ai do të bartë përgjigjegjësinë historike.

Megjithatë, pas marrëveshjes së Ohrit, Kurti filloi të punonte për të krijuar “Zajednicën” siç diktoi Boreli, madje termit “vetëmenaxhim” i dha një kuptim tjetër: se nuk lidhet me territorin si termi “vetëqeverisje” (RTV Dukagjini). Paralelisht kapi dhe median në Kosovë me qëllim që të mbizotëronte rrëfenja se marrëveshja është e drejtë dhe shpresëdhënëse pavarësisht se shumica e popullit të Kosovës e ka kuptuar se marrëveshja nuk është e drejtë dhe unë tregoj se ajo nuk ka asnjë gjasë për mbarëvajtje.

Madje qoftë edhe mbështetësit e Kurtit e kanë kuptuar karakterin e saj por në pandershmërinë e tyre fajësojnë marrëveshjet pararendëse dhe jo Kurtin, kur dihet se me Kurtin serbët fituan më shumë të drejta dhe kur dihet se Kurti e ka kundërshtuar atë kur ishte në opozitë, madje aq shumë saqë dukej sikur “betohësh” se kur të vinte ai në pushtet “Zajednica nuk do të kalonte”. 

Kështu, Kurti përfundoi më keq se pararendësit e tij, jo vetëm sepse përparoi marrëveshjet e tyre dhe shtoi të drejtat e serbëve në Kosovë, por s`pati as kurajën t`i thoshte jo marrëveshjes në emër të nderit politik, sepse të majtët nderin politik kanë të parin. Si duket ëmbëlsia e pushtetit ishte më e madhe se nderi politik. Por ajo nuk do të zgjasë shumë dhe ai do të humbasë edhe ëmbëlsinë edhe nderin politik dhe bashkë me të, gjithë mbështetësit e tij.     

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA