Arsyet e mosnjohjes së Kosovës nga Palestina dhe pështjellimi i popullit shqiptar
Marrëdhëniet ndërkombëtare përcaktohen nga e drejta e ndërkombëtare dhe kush nuk e mbështet atë por bën sikur e mbështet atë, e pëson
Ylli Përmeti
19/11/2023 - 09:02
Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem në vitin 2021 në këmbim të njohjes së pavarësisë nga Izraeli dhe ndoshta besimit të saj se ai do ta ndihmojë në njohje të tjera dhe në gjendjen ekonomike të saj; por ky është një qendrim dritëshkurtër, sepse viktima e djeshme i bashkohet një agresori, jo thjesht disa vjeçar, si në rastin e Serbisë, por gati një shekullor, dhe kur të shkojë në OKB si anëtare e organizatës, nëse e këshillon Këshilli i Sigurimit në OKB ku është anëtare dhe Rusia, ndaj të cilës klasa politike në Prishtinë dhe Tiranë ushqen armiqësi, dhe e miraton Asambleja me dy të tretat e votave, do ta tregojnë ata që luftuan për të drejtën ndërkombëtare dhe do t`i thonë: ja viktima e një agresori iu bashkua një agresori tjetër në këmbim të njohjes dhe disa dobive ekonomike por në shkelje të të drejtës ndërkombëtare!
Ndërsa fakti se nga varet anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk përmendet në marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë, përveç faktit se Serbia nuk pranon anëtarësimin në fjalë, sikur të varësh vetëm nga ajo, Shqipëria nuk shpëton nga turpërimi, sepse edhe ajo nuk po mbështet të drejtën ndërkombëtare por është linjëzuar me qendrimet perëndimore. Këto janë qendrime dritëshkurtra dhe e ngarkojnë popullin tonë me barrë të rëndë. Dinamika e Asamblesë së OKB-së, në fakt, ndryshoi kur kundërsulmi i Izraelit kishte kaluar dy javë dhe ishin shënuar shkatërrime në masë dhe vdekje të mijëra fëmijëve, në dobi të popullit palestinez, në krye të së cilës qendron Rusia dhe Kina.
Palestina u deklarua zyrtarisht shtet në vitin 1988 nga koalicioni i Organizatës Çlirimtare të Palestinës, duke pretenduar sovranitet në Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor, dhe Lindjen e Jeruzalemit. Ajo është njohur nga 138 shtete nga 193 anëtarë të OKB-së ose nga 72% e saj ndërsa Kosova nga 100 vende ose pak më shumë se gjysma e saj. Si shtet, rrjedhimisht, është krijuar përpara Kosovës dhe si i tillë ai duhet ta kishte njohur i pari atë. Por s`ka ndodhur kështu.
Arsyet nga zyrtarët e shtetit palestinez nuk janë parashtruar kurrë qartë dhe të përmbledhura. Por ato vetë-kuptohen kur gjykojmë nga historia dhe aleatët e palëve. Palestina e Jaser Arafatit është mbështetur nga Titua e ish-Jugosllavisë, pjesën kryesore të të cilës e trashëgoi Serbia dhe janë pjesë e të njëjtës lëvizje: e të paangazhuarve. Si pasojë, ajo ka patur mbështetje nga Serbia në OKB. Ndryshe ndodh me Kosovën: ajo u mbështet nga SHBA-ja, e cila mbështet pushtuesin e Palestinës, Izraelin, dhe për sa kohë që ajo është mbështetur nga Titua dhe më pas nga Serbia, ajo nuk njeh pavarësinë e Kosovës.
Palestina, në fjalë të tjera, ka dy arsye kryesore se pse nuk njeh Kosovën: njëra lidhet me lidhjet e saj historike me ish-Jugosllavinë dhe më pas me Serbinë dhe mbështetjet që ka patur nga ato dhe tjetra lidhet me SHBA-në, mbështetësen e armikut të saj, Izraelit, ndërsa ne kemi SHBA-në aleate.
Këto janë marrëdhënie historike dhe ndërkombëtare që përcaktojnë marrëdhëniet mes popullit palestinez dhe popullit shqiptar pas braktisjes së socializmit marksist, sepse ndryshe ndodhte në Shqipërinë e Enver Hoxhës: ajo mbështeste luftën palestineze kundër pushtuesit dhe përgjithësisht gjithë përpjekjen e vendeve arabe për t`u çliruar. Këtë përpjekje e mbështeste dhe populli i Kosovës pavarësisht se jetonte në ish-Jugosllavi. Por kjo mbështetje ndryshoi kur populli ynë u mbështet nga amerikanët në luftën e tij çlirimtare kundër Serbisë, sidomos pa luftës dhe shpalljes së pavarësisë.
Këto marrëdhënie përcaktojnë në përqindje të madhe dhe mungesën e reagimit të popullit shqiptar gjatë luftës së fund-vitit 2023 mes Hamasit dhe Izraelit, aq sa asnjë protestë nuk u zhvillua gjatë muajit të parë të luftës, kur gati gjithë bota kishte vërshuar rrugëve të kryeqyteteve, ndërsa më pas filluan të shfaqeshin disa përpjekje të vogla kur dihet se Shqipëria (ku bën pjesë dhe Kosova) ka (ose pretendohet se ‘ka’) mbi 70 për qind muslimanë dhe kur etika muslimane dikton të mbrohen muslimanët kudo në botë. Madje “kokat” e muslimanëve në vendin tonë krenohen me përqindjen përkatëse por siç tregoi mungesa e mobilizimit të tyre ata vetëm “muslimanë” s`janë.
Për mungesën në fjalë ata mund të përdorin argumentin ―siç edhe e përdorin disa― se “interesat kombëtare” qendrojnë mbi “interesat fetare”. Ky është një argument që i mbron por jo tërësisht, sepse “interesat” tona kombëtare cënohen më shumë me mos mbështetjen e të drejtës ndërkombëtare në OKB. Madje do të na kthehet ―siç po i dhe do t`i kthehet më shumë Izraelit dhe SHBA-së― në bumerang, sepse marrëdhëniet ndërkombëtare përcaktohen kryesisht nga e drejta e ndërkombëtare dhe kush nuk e mbështet atë por bën sikur e mbështet atë, ose e mbështet atë vetëm për veten dhe aleatët e tij por jo për tjetrin, për interesa afatshkurtër, e pëson.
Gjykuar nga dinamika që u krijua rreth botës pas sulmeve të Izraelit ndaj popullatës së pafajshme, kryesisht fëmijëve, të cilën e shfrytëzoi Rusia dhe Kina në OKB, ku përmbysën mbështetjen që kishte marrë SHBA-ja për Ukrainën, e cila do të theksohet në ditët, javët dhe muaj në vijim, Izraeli dhe SHBA-ja rrezikojnë të humbasin më shumë mbështetje jo vetëm rreth botës por dhe në OKB; dhe siç rrezikojnë ata ashtu rrezikojmë dhe ne dhe nuk do të ishte e çuditshme që Kosova të humbasë mbështetje si në OKB ashtu dhe rreth botës. Ajo mund të humbasë më shumë mbështetje nëse Rusia dhe Kina nxisin shtetet që e kanë mbështetur deri tani të tërheqin mbështetjen e tyre në OKB. Kjo dinamikë mund të ndalohet vetëm nëse klasa jonë politike në Tiranë (dhe Prishtinë) ndryshon qendrim―domethënë, ajo mbështet gjithë të drejtën ndërkombëtare dhe jo një pjesë të saj.
Për më shumë:
Pushtimi i Gazës nga Izraeli dhe pasojat gjëmëzeza për Lindjen e Mesme dhe botën
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 102 reads