...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Brukseli do të përdorë më shumë “politikat e kërbaçit” për Ballkanin Perëndimor

Qasja e BE-së nuk ka ndryshuar shumë me këtë plan; domethënë, përdorimi i politikave të “kulaçit dhe kërbaçit”—ku “kulaçi” janë fondet dhe investimet dhe “kërbaçi” reformat dhe ndëshkimet.

Ylli Përmeti

13/02/2020 - 12:41

“Plani i Brukselit, citonte FT një ditë përpara se Komisioni Evropian të njoftonte “metodologjinë” e re, synon së pari ‘zdërgjahjen’ e procesit të zgjerimit të BE-së duke u dhënë shteteve anëtare pushtet më shumë për të ndaluar ose përmbysur bisedimet e pranimit dhe duke krijuar kushtet për një përplasje të mundshme mes shteteve se nëse do t`i jepet Shkupit dhe Tiranës drita e jeshile. Plani citon se dështimi ose vonesat mbi reformat e domosdoshme nga vendet kandidate në bisedime mund të çojë në rastet më serioze në vonimin ose pezullimin e bisedimeve ose në kapituj të mbyllur bisedimesh që janë rihapur ose rirendur. Plani citon gjithashtu për nxitës të përmirësuar për kandidatët mirëzbatues duke përfshirë rritjen e fondeve dhe investimeve dhe përputhje më të madhe me politikat e BE-së, tregjet dhe programet në sektorë ku përparim është shënuar”.[1]

Por vetë fakti që plani u jepë shteteve anëtare pushtet më shumë për të gjykuar kandidatët për anëtarësim - e bënë procesin më të gjatë dhe më të vështirë. Sidoqoftë, qasja e BE-së nuk ka ndryshuar shumë me këtë plan; domethënë, përdorimi i politikave të “kulaçit dhe kërbaçit”—ku “kulaçi” janë fondet dhe investimet dhe “kërbaçi” reformat dhe ndëshkimet. Thjesht me këtë plan theksohen politikat përkatëse meqë Franca e Makronit “hodhi vickla”.

Pas njoftimit të FT, planit iu shtuan dhe parimet (Brukseli parimet i quajti edhe “metodologji”!): besueshmëria, parashikueshmëria, dinamizmi dhe drejtimi më i fuqishëm politik ndërsa rishikohen disa aspekte të procesit të bisedimeve: nga ana teknike, zëvendësohen kapitujt e deri tanishëm në 6 blloqe. Bisedimet për secilin grupim do të hapen si një e tërë. Për grupin e parë, ku përfshihen kapitujt që kishin të bënin me shtetin e së drejtës, do të hapen në fillim dhe do të mbyllen të fundit dhe përparimi i tyre do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave ndërsa parashikohen dhe penalizime...bisedimet mund të ndalen në rastet më serioze dhe të pezullohen plotësisht, dhe kapitujt e mbyllur mund të rihapen. Po ashtu përfitimet e tjera, edhe financiare, mund të ndërpriten ose të tërhiqen. Voa

Luixhi Soreka, ambasadori i BE-së në vendin tonë, u përpoq ta sqaronte planin ose, sipas tij, “metodologjinë” e re të BE-së:

Përmes metodologjisë së re udhëheqësit evropian do të kenë të paktën një debat në vit në lidhje me punën që kanë bërë vendet e Ballkanit Perëndimor. Një hap tjetër është se BE do të përfshijë me shumë shtetet anëtare me monitorimin e ecurisë dhe procesi do të jetë më i parashikueshëm. Ne do të shikojmë të gjitha hollësitë, kriteret dhe kushtet që çdo aspirant duhet të përmbushë. Procesi do të jetë më dinamik, do të krijohen kapituj të ndryshëm…kjo do të bëhet përmes grupimeve të kapitujve, ne do të kemi 6 fusha me 35 kapituj, edhe për negociata puna do të jetë më gjithpërfshirëse dhe s’do jetë e ndarë. Është bërë një thirrje që shetet anetarë ta kthejnë pas procesin e bisedimeve në rast se do të ketë hapa pas. Pra BE-ja do të mund të pezullojë negociatat nëse kjo do të jetë e nevojshme, kjo metodologji po diskutohet në Komision dhe me mendje se kjo tashmë i përmbush kërkesat e shteteve anëtare dhe ne mendojmë se po ecim në rrugën e duhur për çeljen e bisedimeve në pranverë...

Por është e qartë se ai ose vërtet s`e kupton qasjen e re të BE-së ose bën sikur s`e kupton: sepse nuk mund të pranojë edhe pushtet të zgjeruar për shtetet anëtare për të gjykuar aspirantët e rinj edhe çeljen e bisedimeve në pranverë! Sidoqoftë, nga parimet e shtuara, mund të veçojmë njërin: “drejtim më të fuqishëm politik” — sepse ai nënkupton “politikat e kërbaçit” në një shkallë më të lartë se “politikat e kulaçit”!



[1] Brussels opens way for member states to halt EU enlargement talks, FT, 04 Feb 2020.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA