...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Çfarë fshihet pas referendumit serb në Kosovë?

Perëndimorët ushtrojnë presion ndaj Prishtinës sepse ndryshimet kushtetuese në Serbi janë në interesin e tyre: sepse, besojnë ata, sa më shumë ta “kredhin” Serbinë në pushtetin supranacional të Brukselit dhe Uashingtonit aq më lehtë mund ta kontrollojnë!

Ylli Përmeti

14/01/2022 - 17:18

Miratimi i kërkesës së Beogradit për të përfshirë në referendumin e 16 janarit për ndryshimet kushtetuese që lidhen me gjyqësorin dhe afrimin e Serbisë me strukturat evropiane, edhe serbët e Kosovës, nga Kurti, pasi u shtrëngua nga diplomatët perendimore duke perfshire dhe Josep Borrellin, shefin e politikës së jashtme të BE-së, i cili bëri thirrje tre ditë përpara mbajtjes së tij që “t`u mundësohet pjesëmarrja”, dhe kërcënimit të Vuçiçit, se “do të ketë pasoja afatgjatë përtej asaj çfarë mendojnë shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar”, nëse nuk lejohen të marrin pjesë, pati shumë reagime. Njëri erdhi nga “AFEDS”, organizata joqeveritare e drejtuar nga Muharrem Salihu, që lufton për të drejtat e shqiptarëve në Serbi. Ajo i bëri thirrje Kurtit që t`i lejojë por me kushte:     

“Kurti të lejojë serbët e Kosovës të votojnë, por, njëkohësisht, t’u kërkojë hapur dhe qartë ndërkombëtarëve, të gjithëve pa përjashtim, ndaljen e pasivizimit të adresave dhe, kthim të adresave banorëve, të cilëve iu është pasivizuar adresa”.

Për t`i dhënë një karakter më solemn qendrimit të Kurtit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi një deklaratë të përbashkët, një ditë më pas, pas takimit me ambasadorët e QUINT-it dhe përfaqësuesin e BE-së, ku “u ritheksua se qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse” ndërsa “ bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare”:

Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Institucionet i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, meqë pavarësia e shtetit tonë jo vetëm që është njohur nga shumica e vendeve demokratike anekënd botës, por edhe është vulosur nga GJND-ja.

Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të realizuar referendum në territorin sovran të një shteti tjetër. Prandaj, praktikat e deritanishme të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk i [detyrojnë] obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës të dala nga vullneti i qartë i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt 2021. Aq më tepër kur këto praktika kanë rezultuar vetëm me fuqizimin e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë.

Për më tepër, institucionet e Kosovës kanë theksuar se çështja nuk është roli i OSBE-së, por roli i Serbisë dhe strukturave të saj paralele e ilegale në Kosovë. Sepse, para se OSBE-ja të bënte mbledhjen e votave, do të mbahej një proces tërësisht ilegal i hapjes së qendrave të votimit e kutive të votimit në territorin e Republikës së Kosovës për një referendum të një shteti tjetër, pra Serbisë, e ky proces do të organizohej nga strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë. Ashtu siç dëshmohet në letrën e dërguar OSBE-së nga ana e autoriteteve serbe, arsyeja pse Serbia insiston t`i hapë vendvotimet edhe në Kosovë është sepse e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj. Prandaj edhe dëshiron ta shfrytëzojë referendumin si mjet të shtrimit të sovranitetit të saj mbi Kosovën. Rrjedhimisht, qëndrimi i institucioneve të Kosovës nuk ka fare të bëjë me OSBE-në, por me kundërshtimin e kësaj tendence të vazhdueshme të Serbisë, e cila dëshmon pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës.

Institucionet e Kosovës mbesin falënderuese ndaj shteteve të Quint-it dhe të gjitha shteteve të tjera demokratike që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe shprehin mirënjohjen që edhe sot në takim u rikonfirmua mbështetja e tyre ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit tonë. Duke qenë kështu, institucionet e Kosovës i bëjnë thirrje të gjitha shteteve demokratike që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t`i ndalur veprimet e vazhdueshme të Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës.

Për më tepër, kjo praktikë e Serbisë, që po e ndjekë modelin rus, ka mbështetjen e plotë të Federatës Ruse, duke dëshmuar kështu tendencat e tyre për destabilizim të shpejtë të rajonit tonë dhe zhbërjen e sukseseve që Kosova dhe rajoni i kanë arritur në partneritet me vendet mike demokratike. Mosmbajtja e referendumit serb në territorin sovran të Republikës së Kosovës është hap i duhur në betejën tonë të përbashkët kundër autokracive dhe avansim i praktikave demokratike, përkushtim të cilin Kosova e ka dhënë së fundi edhe në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa ngatërrojnë “modelin rus” në Krime me “modelin perëndimor” në Kosovë, sepse “modeli rus” ishte pasojë e grushtit të shtetit në Kiev i nxitur nga fuqitë perëndimore, kaosi, lufta dhe pasiguria që u shkaktua më pas mes popullit rus në Ukrainë...asnjë fjalë nuk përmendet për politikën e “ndërsjelltësisë” së Kurtit në raport me Serbinë! Domethënë, se serbët e Kosovës kanë vërtet të drejtë të përfshihen në proceset demokratike të vendit të tyre por ashtu kanë dhe shqiptarët e Serbisë në Luginën e Preshevës.

Madje nuk po shohim as edhe ndonjë lëvizje lidhur me kërkesën e “AFEDS” dhe jo vetëm për të regjistruar shqiptarët e Serbisë të emigruar në Kosovë pas luftës, për të parandaluar deri diku genocidin serb ndaj shqiptarëve atje! Në këtë heshtje përfshihet dhe Tirana, qeveria e së cilës ka përqafuar fort qasjen amerikane për rajonin, e cila, bashkë me BE-në, nuk përdor të drejtën ndërkombëtare ndaj tij por strategjitë, me qëllim që të përparojnë dhe interesat e tyre ekonomike dhe gjeopolitike!

Në fakt, perëndimorët ushtrojnë presion ndaj Prishtinës sepse ndryshimet kushtetuese në Serbi janë në interesin e tyre: sepse, besojnë ata, sa më shumë ta “kredhin” Serbinë në pushtetin supranacional të Brukselit dhe Uashingtonit aq më lehtë mund ta kontrollojnë! Ndaj dhe qendrimi i Prishtinës ka përjashtuar përdorimin e “politikës së ndërsjelltësisë”, duke i hapur rrugën kështu Beogradit për të kërkuar të drejta të tjera në Kosovë për pakicën e tij ndërsa perëndimorët bllokojnë Prishtinën dhe Tiranën me strategjine e tyre për të kërkuar të drejta e shqiptarëve kudo ku janë!     

Letra e Blinkenit, për shembull, drejtur Kurtit në prag të referendumit serb, përmend të drejtat e pakicave por në nivel parimor sepse nuk e qartëson se për cilat pakica bëhet fjalë ndërsa diplomatët perëndimor kishin kërkuar lejimin e OSBE-së në Kosovë për mbledhjen e votave por qeveria e Kosovës nuk e lejoi, fakt për të cilin ata shprehën keqardhje!  

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA