...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Debati për shtatoret e Skënderbeut dhe Adem Jasharit ka nevojë për filozofi artistike

Trimëria, mençuria dhe shpirti revolucionar janë tre vlera që duhet të spikasin në shtatoret e tyre

Ylli Përmeti

01/12/2020 - 09:52

Një debat shërtheu dy ditët e fundit për shtatoret e Skënderbeut dhe Adem Jasharit. Ato paraqiten si në fotografinë që shoqëron këtë editorial. Por debati u zhvillua pa ndonjë filozofi artistike. 

Filozofinë e artit e kam shqyrtuar më poshtë: 

Prapaskena e rikonceptimit të qendrave urbane nga qeveria “Rama”

Por po shtoj sot meqë u shkaktua debat për shtatoret e Skënderbeut dhe Adem Jasharit. Shumica e shqiptarëve ndihen të ‘fyer’ me to, na thanë monopolistët dhe çensuristët e medias. Sidoqoftë, çështja nuk shtrohet se nëse u fyen shqiptarët apo jo. Por se nëse shqiptarët zhvillojnë arsyetim kritik lidhur me artin. Në këtë rast bëhet fjalë për art pamor. Bëhet fjalë, gjithashtu, për figura historike që kanë kontribuar për popullin tonë më shumë se kushdo tjetër. Kështuqë, duhet t`i nderojmë edhe me shtatore dinjitoze. Kjo është ana shoqërore; ana tjetër është artistike. Por ana artistike lidhet me anën shoqërore. Për shembull, kur themi “shtatore dinjitoze”, çfarë kuptojmë me të? Vlerat e një njeriu, sigurisht!

Cilat janë, rrjedhimisht, vlerat e individëve në fjalë? Unë do t`i radhisja si vijon: trimëria e para; mençuria e dyta. Por me ndryshime: Skënderbeu ishte më shumë trim se sa i mençur sepse u rrit si trim dhe vazhdoi luftën si trim. Lufta e vazhdueshme e tij nuk linte kohë për të zhvilluar mençurinë. Mençuria e tij, sidoqoftë, spikaste në taktika dhe strategji ushtarake. Çka nënkupton se ai mund të kishte zhvilluar mençurinë po të jetonte në kohë paqe.

Sidoqoftë, trimëria dhe mençuria spikaste tek të dy. Por ata kishin dhe një vlerë tjetër: shpirtin e vetë-sakrificës për ideale shumë të shtrenjta. Kjo vlerë e bën njeriun revolucionar. Trimëria, mençuria dhe shpirti revolucionar, rrjedhimisht, janë tre vlera që duhet të spikasin në shtatoret e tyre. Janë këto vlera të dukshme në shtatoret përkatëse? Jo! Pse?

Skulptori i Skënderbeut argumentoi se ishte frymëzuar nga “dokumentet” osmane por pa treguar ndonjë dokument! Papërputhshmëria e tij është se ai paraqet një Skënderbe me disa karakteristika shqiptare (shqiponja në gjoks etj.) dhe jo osmane ndërsa thotë se është frymëzuar nga osmanët e kohës së Skënderbeut! Sa gjasa ka të jetë përshkruar Skënderbeu me karakteristika shqiptare në rininë e tij dhe në oborrin e Sulltanit nga kronikanët e kohës kur dihet se Skënderbeu karakteristikat në fjalë i përdori pasi refuzoi Sulltanin dhe kur u kthye në atdhe? Asnjë gjasë! Kështuqë autori ose gënjen ose…

Por qoftë edhe kritikët e tij, mes tyre një skulptor, nuk ishin të qartë rreth paraqitjes së Skënderbeut, kryesisht sepse nuk kanë zhvilluar filozofinë e artit. Kjo është arsyeja se pse ata shpesh nuk pajtohen me njëri-tjetrin. Qendrimi i Ngjelës, se ai e pëlqen dhe adhuron skulpturën e Skënderbeut, sepse paraqitet ndryshe ngasa jemi mësuar nga Odise Paskali, ishte një qendrim i një njeriu që nuk ka zhvilluar ndonjë filozofi në art dhe pedagogji dhe si i tillë është pasojë e padijes: sepse filozofia është Nëna e dijes. Ngjela ka vetëm një aftësi në arsyetim: aftësinë juridike por edhe këtë e ka të zhvilluar pa ndonjë bazë filozofike.

Sidoqoftë, çështja tjetër që duhet të marrë përgjigje është fakti se sa mundësi kanë autoritetet e komunave përkatëse në Kosovë të ribëjnë shtatoret e tyre bazuar në vlerat e tyre meqë presioni popullor i detyroi t`i heqin? Asnjë mundësi! Thjesht do të ribëhen duke u mbështetur në qasjen e Odise Paskalit. Pyetja tjetër që lind është se nëse janë të kritikueshme shtatoret e Paskalit? Nëse ato përçojnë vlerat që përmenda, që në shikimin e parë, nuk janë të kritikueshme. Kështuqë, le t`i ribëjnë duke kopjuar dhe mbase zhvillojnë ndonjë filozofi artistike.           

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA