...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

“Euronews-Albania”, një media inovative dhe revolucionare apo si gjithë të tjerat?

Si media nuk është dhe aq inovative dhe revolucionare: ajo do të ishte e tillë vetëm nëse risitë e saj krijoheshin nga gazetarët tanë dhe nëse vërtet i shërbente të vërtetës që në kohët tona do të ishte një veprim revolucionar meqë e vërteta dhe vetëm ajo u shërben popujve.

Ylli Përmeti

22/11/2019 - 21:44

Dihet se masmedia në Shqipëri është përqendruar në pak duar, kontrollohet nga pak duar dhe zërat e të vërtetave të mëdha, nga të cilat varen të voglat…çensurohen! Njëri nga të çensuruarit është nënshkruesi i këtij editoriali. Kështuqë, në kushte çensure, çdo media që premton ‘paanshmëri’ është e mirëpritur dhe e nevojshme. Por dihet se dhe mediat e tjera deklarojnë se janë të “paanshme” dhe të “pavarura” por veprojnë ndryshe! Në kushte hipokrizie nga masmedia kombëtare, çfarë mund të presim nga “Euronews-Albania”: një tjetër hipokrizi apo një media që i përmbahet premtimit? Kjo mbetet të vërtetohet në të ardhmen. Por mund të gjykojmë dhe nga programi i dy ditëve të para.

Së pari, si koncept, “Euronews-Albania” është kopjuar nga BBC-ja me ndryshime të vogla. Së dyti, qasja e medias përkatëse është më shumë globaliste se sa lokaliste, kryesisht sepse synon të afrojë më shumë shqiptarët së pari me Evropën dhe së dyti me botën. Kjo qasje ka një efekt të mirë por ka dhe një tjetër të keq: ‘të mirë’ sepse mirë është të mësojë populli ç`bëhet jashtë vendit; ‘të keq’ sepse hapja nuk paraqitet drejtë. Së treti, gazetarët e medias përkatëse nuk ndryshojnë shumë nga gazetarët e tjerë lidhur me respektimin e gjuhës shqipe: përtej quajtjes së medias përkatëse me një fjalë të huaj dhe programet gjithashtu, vetë gazetarët përdorin shumë fjalë të huaja dhe jo nga ato që jemi mësuar vitet e fundit. Për shembull, në vend të përdorin fjalën ‘të drejtë’…transmetimi përdorin fjalën “frachise”!

Së katërti, raportet janë të ngjashëm me raportet e medias së vjetër. Për shembull, në lajmin se shqiptarët janë më pak bujarë, gazetari që përfaqëson “gjithë zërat”…përfshiu dy “ekspertë” që përfshijnë homologët e tij të medias së vjetër që nuk ndalojnë së treguari simtomat: sepse të thuash se shqiptarët janë mësuar të jenë individualistë nuk është e vështirë të kuptohet. Por e vështirë (megjithëse jo aq e vështirë për njohësit) është të tregohen shkaqet—të vërtetat e mëdha që shkaktojnë të vërtetat e vogla që përmendin “ekspertët”. Sa e vështirë është të kuptohet se mendësinë individualiste e ka shkaktuar elita jonë me propagandën e saj anti-komuniste ku populli ishte mësur ndryshe, të punonte shpesh si vullnetar dhe të sakrifikonte për vendin, shpesh dhe jetën, dhe befas, kjo sjellje u përbuz dhe vazhdon të përbuzet nga elita ndërsa propagandohet individualizmi përkundër sjelljes kolektiviste, si një ndër komponentët kryesor të sistemit krahas konsumerizmit dhe konkurrencës?

Është ‘varfëria’ shkak i mungesës së ‘bujarisë’ në shumicën e shqiptarëve?

Nuk është shumë e vështirë të shikohen këta tre koncepte në raport me sistemin e krijuar dhe me ideologjinë mbizotëruese—edhe një herë, të ideologjisë që u zhvillua shekullin e kaluar në vendet perëndimore të social-demokracisë e cila u bë dominante në globalizmin neoliberal…Për këtë ideologji kam shkruajtur dhe shkruaj thuajse çdo ditë dhe është detyrë e shtypit që ta vendosë përballë simtomatologëve të establishmentit.

Dhe në fund, që të jetë e pavarur dhe e paanshme një media duhet të plotësojë një parakusht: se është e pavarur nga sistemi dhe pushtetet e tij, politik dhe ekonomik. Domethënë, se gëzon pavarësi ekonomike. Por dihet se “Euronews” pronësohet nga një shoqëri mediatike përbërja e të cilës është nga një dyzinë vendesh europiane dhe joeuropiane me aksionar kryesor një magnat egjiptian ndërsa mungon Gjermania. Kështuqë, nuk ka pavarësi ekonomike dhe kur mungon kjo lloj pavarësie vështirë se do të ketë paanësi dhe mungesë çensure.

Rrjedhimisht, si media nuk është dhe aq inovative dhe revolucionare: ajo do të ishte e tillë vetëm nëse risitë e saj krijoheshin nga gazetarët tanë dhe nëse vërtet i shërbente të vërtetës që në kohët tona do të ishte një veprim revolucionar meqë e vërteta dhe vetëm ajo u shërben popujve.  

Le të shpresojmë, sidoqoftë, në profesionalizmin e gazetarëve përkatës dhe veçanërisht të drejtorit të përgjithshëm dhe t`u urojmë mbarësi pavarësisht se mbarësia e medias varet nga të vërtetat që ajo i tregon popujve.                 

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA