...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Fiaskua e konferencës kombëtare kundër korrupsionit dhe kompromentimi i drejtësisë nga Kimi dhe Kraja

Nisma fisnike e një shqiptari që punon në administratën amerikane për të reformuar sistemin e drejtësisë në vendin tonë u minua si fillim nga aleanca “Berisha-Meta”, si gjatë fazës së hartimit të saj ashtu dhe pas miratimit të saj dhe tani po minohet kryesisht nga ambasadorja amerikane, vendi i së cilës ka kontribuar vendimtarisht në të

Ylli Përmeti

16/06/2022 - 09:10

Në vendin ku korrupsioni “vazhdon të jetë ende i përhapur duke shkaktuar mosfunksionim në degë të ndryshme të qeverisë” dhe vlerësohet me 2.75 pikë që nga viti 2013 (Freedom House) apo nga 180 vende Shqipëria renditet e 110-ta, ku 25 për qind e qytetarëve që përdorin shërbimet publike kanë dhënë ryshfet (Tranparency International, 25 janar 2022) por me rënie nga viti 2013 deri në vitin 2016, dhe me rritje më pas dhe pak më mirë se gjendja që e gjeti nga qeveria “Berisha” (35 vs 31 pikë), dhe kur Rama quajti raportin e DASH-it për korupsionin në Shqipëri “copy-paste” të një viti më parë, i cili citonte se “korrupsioni është i përhapur në gjithë degët e qeverisë dhe intitucionet bashkiake”, filloi punimet tre-ditore konferenca kombëtare kundër korrupsionit, ku Rama përmendi edhe një herë karakterin e ‘pavarur’ të drejtësisë meqënse ajo ka hetuar si asnjë herë në 30 vitet e fundit korrupsionin në nivel të lartë...sidomos në raport me qeverinë e tij, duke kulmuar këto ditë me Kajmakun, dhe reformat në administratën publike kundër korrupsionit (shënim: kur pikët janë të larta, tregojnë përmirësim dhe anasjelltas). 

   

Por historia nuk mbaron këtu: sepse konferenca u zhvillua kur Rama propagandon se korrupsioni i administratës publike nuk krahasohet me tetë vite më parë. Për shembull, në një bisedë me “France 24” pyetjes se “ku jemi në luftën kundër korrupsionit”, pasi gazetarja përmend arrestimin e ish-prokurorit, Adriatik Llalla, Rama i përgjigjet se “Shqipëria ka një problem me korrupsionin” por tashmë jemi në një nivel tjetër dhe nuk krahasohet me vendet e BE-së por krahasuar me tetë vite më parë “nuk ka krahasim”! Qendrimi i tij është i njëjtë kur flet për median tonë.

Mirëpo, grafiku i Transparency International e tregon qartë se korrupsioni i qeverisë së tij vazhdon të jetë përgjithësisht më i lartë se i qeverisë “Berisha” (duke përfshirë dy mandatet e qeverisë së tij) pavarësisht se ka pesë vjetë që është miratuar krijimi i institucionit të ri kundër korrupsionit , Spak-u, prej të cilit “socialistët” duhet të kishin frikë dhe duhet të ishin frenuar në veprimet e tyre korruptive.

Madje shkalla e korrupsionit bëhet alarmante nëse i shtojmë vitin 2022 kur u provua korrupsioni lidhur me akuzën e impianteve të riciklimit të mbetjeve dhe arrestimin e Lefter Kokës...dhe më pas me publikimin e të dhënave përmes të cilave u tregua një korrupsion i jashtëzakonshëm lidhur me rrogat! Ajo bëhet edhe më alarmante nëse i shtojmë këtij realiteti dhe korruptimin e policisë së shtetit nga ministri i tij i rendit, Saimir Tahiri, duke përhapur kultivimin e drogës kudo nëpër Shqipëri. 

Kujtoj se dyshimeve për përfshirje në veprimtari kriminale dhe korrupsion ndaj këtij të fundit Rama u përgjigjësh me mohim. Madje e quante Tahirin “ministër kampion”! Por më pas e bëri “kurban” pasi e paraqiti shkarkimin e tij si largim. Kështu në vend të kërkonte ndjesë për fiaskon e tij me Tahirin dhe të ndihmonte vërtet në luftën kundër korrupsionit ai vazhdoi me mbrojtjen e kriminelëve të tjerë në administratën e tij (Kajmakun etj.).

Nga grafiku kuptojmë, gjithashtu, se qeveritë e “reja” vitet e para në qeverisje përmbahen dhe nuk përfshihen në korrupsion por pas tre-katër viteve në pushtet harrojnë dhe përfundojnë të zhytura në korrupsion. Hamendësisht, sepse u duhet pak kohë që të kuptojnë karakterin e kreut të qeverisë dhe karakterin e pushtetit juridik. Por kuptojmë, për më shumë, se qeveria “Rama” nuk ka frikë nga Spak-u, sepse nëse do të kishte frikë, do të përmbahësh, megjithëse, gjykuar nga karakteri i Ramës, i cili mbron bashkëpunëtorët e tij pavarësisht se ka dyshime për veprimtari kriminale, dhe nga fakti se mbështetet nga Sorosi dhe amerikanët, besoj ai vetë ka nxitur bashkëpunëtorët e tij në veprimtari të tilla, duke besuar, pikërisht sepse mbështetet nga perëndimorët dhe ky i shpërblen me konçesione, se ai nuk do të hetohet.

Po t`i shtojmë kësaj gjendjeje dhe shqetësimin e biznesit gjerman ―korrupsioni dhe mungesa e transparencës në prokurime publike― ajo bëhet e “përsosur” për ta quajtur “republikë e zhytur në hipokrizi”. Pa përmendur shkallën e korrupsionit lidhur me sektorin e energjitikës për të cilin kam dorëzuar tetë kallëzime penale në Spak, ku qeveria “Berisha” dhe “Rama” akuzohet për mashtrim dhe korrupsion. Shkalla e korrupsionit në nivel qeverie, rrjedhimisht, është shumë më e madhe se ajo që paraqitet nga institucionet ndërkombëtare.

Konferenca kombëtare tre-ditore kundër korrupsionit lidhet me “reformat” e ministrave të Ramës lidhur me “dixhitalizimin e administratës publike”; kjo ishte, fundja, kryefjala e Ramës në fjalën e tij hyrëse: “revolucioni dixhital”! Përmes këtij “revolucioni” ai synon të luftojë korrupsionin në administratën publike―lidhur me shërbimet, punësimet e mësuesve, policëve, infermierëve etj. Këtë “revolucion” e nisi qeveria “Berisha” dhe po e përfundon qeveria “Rama”. Kjo është një qasje që mbizotëron në gjithë kontinentin evropian dhe përtej dhe nuk është risi e ministrave të Ramës. Por megjithëse si qasje ka kontribuar në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e efiçencës në qeverisje dhe ekonomi, nëse përfshihet dhe sektori privat,  dhe mbrohet sistemi nga sulmet kibernetike, ajo nuk mund ta luftojë korrupsionin në nivele të larta, veçanërisht në vendin tonë, meqënse shkaktari i tij kryesor qendron në kryeministri dhe kryeministrat parafabrikohen nga pushtetet e huaj.

Pa u çuditur, në konferencë ishte e pranishme dhe ambasadorja amerikane! Megjithëse ambasadorët i ndalon Konventa e Vjenës të ndërveprojnë me partitë politike dhe qeveritë në vendin pritës, përveç rasteve kur bëhet fjalë për bashkëpunim zyrtar mes qeverive, ambasadorja amerikane e ka bërë “përshesh” pushtetin politik në vendin tonë me ndërhyrjet e saj (me rastin më flagrant kur kërkoi mospranimin e Berishës në kuvend) kryesisht si pasojë e varësisë që kemi krijuar kundrejt Uashingtonit me dëshirën tonë për t`u integruar në rendin e tij të globalizmit neoliberal dhe me paaftësinë e partive politike për t`u pajtuar mbi politika të veçanta, të cilat kërkojnë ndihmë herë pas here nga Uashingtoni dhe BE-ja...prania e saj në konferencë kompromenton luftën kundër korrupsionit: sepse merr pjesë në një konferencë të organizuar nga një qeveri e zhytur në korrupsion!

Këtë fakt nuk e thonë vetëm institucionet ndërkombëtare, të cilat në fund të fundit kanë karakter politik dhe nuk tregojnë gjithë realitetin ose gjithë shkallën e korrupsionit, por na e tregon dhe përvoja jonë 30 vjeçare me qeveritë neoliberale dhe dija filozofike se kur shteti qeveriset nga njerëz pa virtyte dhe veçanërisht pa virtytin e drejtësisë, dhe me pushtet si ai i kryeministrit, ai nuk korrupton vetëm institucionet por gjithë shoqërinë pavarësisht se një përqindje e vogël e shoqërisë do t`i rezistojë dinamikës së shkaktuar nga lartë-poshtë.

Të gjitha këto kur dihet se qeveritë neoliberale në vendin tonë i kanë mbështetur perëndimorët. Qeveritë tona neoliberale mbështeten jo vetëm përmes qendrimeve publike por kryesisht përmes shoqërisë civile nga e cila “kaliten” kandidatët e rinj për t`u katapultuar në pushtetet e shtetit. Tashmë është e ditur thuajse nga të gjithë se si qeverinë “Berisha” ashtu dhe qeverinë “Nano” dhe “Rama” i kanë mbështetur perëndimorët.

Por vetëm me qeverinë “Rama” fuqitë perëndimore kanë integruar në institucionet e shtetit, duke përfshirë dhe Spak-un, parazitët e shoqërisë civile, e cila sponsorizohet kryesisht nga fondacioni “Soros: kështu, kur shumica e anëtarësisë së kuvendit dhe e qeverisë parafabrikohet nga fuqitë perëndimore dhe institucionet e drejtësisë si Spak-u, po ashtu, dhe kur “aleatët” tanë amerikanë dhe evropianë na thonë se kërkojnë qendrueshmëri politike dhe sociale, me cilët do ta realizojnë qendrueshmërinë e tyre?! S`do shumë mend! Me parazitët e shoqërisë civile, të cilët korruptohen që kur rekrutohen në organizatat në fjalë kur pranojnë të veprojnë politikisht me financimet dhe diktimet e fuqive perëndimore dhe nuk veprojnë si të pavarur për të hir të drejtësisë.

Kimi, për shembull, përsëriti edhe një herë se korrupsioni është çështje e sigurisë kombëtare për SHBA-të, sepse ne duam që aleatët tanë, që Shqipëria të jetë e fortë, e pavarur, e pasur, një partner i plotë.

Ne duam që Shqipëria të jetë përherë e më shumë një partner dhe jo një problem, por ky problem, nuk zgjidhet pa ju, dhe këtë luftë duhet ta bëni ju. Ne do të jemi me ju në çdo hap të kësaj rrugë”, tha ajo mes të tjerash në konferencë.

Mirëpo ajo nuk harron vetëm faktin se ne pavarësinë tonë politike e kemi humbur pikërisht për shkak të orientimit tonë dhe pushtimit të institucioneve të shtetit nga shoqëria civile e Sorosit, të cilën ajo e mbështet me plotë zell (me rastin më flagrant kur kërkoi nga Basha të kandidonte krerët e Nismës “Shthurja”, pjesë e shoqërisë civile të Sorosit në Shqipëri!), por harron, gjithashtu, faktin se shkon në një konferencë kombëtare që lidhet me korrupsionin ku s`duhet të shkonte jo vetëm sepse nuk ia lejon Konventa e Vjenës por kryesisht sepse qeveria është e korruptuar dhe për ta hetuar atë, vendi i saj ndihmoi në ngritjen e një institucioni juridik të ‘pavaruar’ nga pushteti politik i qeverisë sonë por i varur ―pikërisht për të mundësuar hetimin e kryepushtetarëve tanë― nga pushteti politik perëndimor.

Si pretendon ambasadorja amerikane të luftojë korrupsionin kur shkon në një konferencë të një qeverie të zhytur në korrupsion?! Këtë papërputhshmëri e kupton dhe ai që ka “pesë klasë shkollë” e jo më ai që ka fituar arsyetim juridik!

Në fund, vlen të përmendet fakti se në konferencën në fjalë shkoi dhe Kraja! Ky harroi Nenin 6 të Ligjit Nr 96/2016: “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Sqhipërisë”...i cili citon se “funksioni i magjistratit është i papajtueshëm me kryerjen e çdo veprimtarie politike, pavarësisht se veprimtaria kryhet në bashkëpunim me ndonjë parti politike ose jo, që mund të ndikojë në pavarësinë e magjistratit, të krijojë ndonjë konflikt interesi ose, në çdo rast, të krijojë përshtypjen që magjistrati është i paanshëm dhe i pandikuar”!

Nisma fisnike e një shqiptari që punon në administratën amerikane për të reformuar sistemin e drejtësisë në vendin tonë u minua si fillim nga aleanca “Berisha-Meta”, si gjatë fazës së hartimit të saj ashtu dhe pas miratimit të saj dhe tani po minohet kryesisht nga ambasadorja amerikane, vendi i së cilës ka kontribuar vendimtarisht në të, duke u ndjekur dhe nga Kraja, veprimet e të cilit duhet jenë në përputhje me ligjin për magjistratët. 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA