...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Gjysmë të vërtetat e Xhaçkës me vizitën e Dedjas dhe nënshtrimi i përhershëm i shqiptarëve ndaj Greqisë

Greqia jo vetëm që nuk i përmbahet marrëveshjes lidhur me pasuritë e shtetasve tanë por po përparon dhe zgjerimin e ujërave detare―pikërisht sepse janë krijuar kushte varësie kundrejt Greqisë. Kjo varësi s`ka për të ndryshuar kurrë me orientimin tonë; madje ajo do të rritet siç po rritet në raport me Serbinë falë “Ballkanit të Hapur” të Uashingtonit dhe Bruskelit.

Ylli Përmeti

11/06/2022 - 17:33

Në javën e parafundit të majit Dendja ose Dedja siç e quajmë ne shqiptarët, ministri i jashtëm grek, vizitoi Tiranën ku pas bisedimeve me homologen e tij, Xhaçkën, në qendrimet publike kërcënoi me pasoja në rrugëtimin evropian të Shqipërisë kur kjo e fundit përmendi “çështjen Çame”, si çështje e pazgjidhur ndërsa të dy shprehën gadishmërinë për të përshpejtuar procedurat për të dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë çështjen e përcaktimit të kufirit detar mes dy vendeve.

Xhaçka tha se “vendet tona mike mund të fillojnë diskutimet edhe për çështje të tjera, sado të vështira që kemi trashëguar nga historia e nga periudha tragjike e Luftës së Dytë Botërore, siç është nevoja për të abroguar Ligjin e Luftës, apo çështja e të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të njeriut të komunitetit çam”.   

Për shfuqizimin e ligjit të luftës, ministri i jashtëm grek tha se “është diçka nga e cila duhet të shkëputemi e të bashkëpunojmë që pikat historike për shfuqizimin e tij të përmbyllen sa më shpejt”, ndërsa kërcënoi se “nuk duhet të krijohen çështje që nuk ekzistojnë, sepse kjo do të çonte në pasoja me nivele të shumëfishta ku Greqia do të vendosë çështje të tjera që kanë të bëjnë me itinerarin e Shqipërisë në Europë”. Dedja tha, në fjalë të tjera, se Greqia do të pengonte rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Dhe kjo është vetëm një “armë gjeopolitike” që ka krijuar Greqia në raport me vendin tonë që kur braktisëm socializmin marksist; sepse “armët” e tjera i kam treguar në vend tjetër.

Shitja e Shqipërisë nga klasa politike dhe akademike, ofensiva neoliberale greke dhe pasojat ogurzeza të marrëveshjes “Rama” me Greqinë

Mirëpo kjo është vetëm gjysma e të vërtetës; sepse tjetrën, si gjithnjë, na e kumtoi shtypi grek. Gazeta “Kthimerini”, për shembull, duke cituar “Agjencinë e Lajmeve të Athinës”, citoi gati dy javë pas takimit se qeveria jonë miratoi kërkesën e qeverisë greke për të ripërtërirë Marrëveshjen e Miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë, të nënshkruar në Tiranë, 21 mars 1996, për 20 vjet. Ngaqë koha e marrëveshjes skadoi në vitin 2018 dhe u ripërtërit për pesë vjet, deri në vitin 2023, dhe ngaqë viti tjetër po afron, palët u pajtuan ta zgjasin atë edhe pesë vjetë të tjerë.

Marrëveshja në fjalë është nënshkruar nga Alfed Serreqi dhe Teodor Pangalo në kohën kur vendi ynë ishte zhytur në varfëri dhe kaos dhe raportet tona pushtetore ishin tejet të pabarabrata. Ajo përmban 20 nene ku neni 15 citon se “çdo Palë do të përballet me mundësinë e heqjes, brenda kuadrit të saj ligjor, pengesat që vështirësojnë gëzimin e pasurive që kanë shtetasit e njërës palë në shtetin e tjetrit”, duke nënkuptuar se pala greke do të hiqte pengesat për shqiptarët e Çamërisë për të gëzuar pasuritë e tyre në përputhje jo vetëm me marrëveshjen në fjalë por dhe me ligjet e Bashkimit Evropian ku Greqia ishte dhe vazhdon të jetë anëtare. Ndaj kjo marrëveshje nuk duhet të ishte zgjatur me pesë vjet për sa kohë që Pala greke nuk i është përmbajtur asaj.

Lidhur me çështjen, spekulanti i gazetës “Dita”, Shabani, citon se ajo nuk duhet të ishte shtyrë sepse nuk parashikohet shtyrje e dytë në të ndërsa nuk përmend rëndësinë e nenit 15! Madje, sipas tij, “Traktati varrosi çështjen çame”, sepse shteti grek mbajti në fuqi ligjin e luftës. Më tej mundohet të na bindë se që nga ajo kohë kushtet kanë ndryshuar (me anëtarësinë tonë në Nato etj.) dhe me faktin se çështjen “Çame” e ka njohur Komisioni Evropian; ndaj ne duhet të kërkojmë shfuqizimin e ligjit të luftës me qëllim që të kërkojmë të drejtat e shqiptarëve në Çamëri!

Në fakt, çështjen e ka përmendur komisioneri për zgjerimin evropian, Hahn, në vitin 2016, të cilin Greqia e akuzoi për anëmbajtje, dhe nuk është njohur zyrtarisht nga Komisioni Evropian. Ky i fundit ka mbështetur ―përmes zëdhënëses së tij, Pisoneron― çështjen e detit në 21 tetor të vitit 2020 dhe nuk e ka përmendur çështjen “Çame”. Por ka të drejtë kur thotë se Greqia tallet me Tiranën me ligjin e luftës.

Por çështja këtu nuk është thjesht ligji i luftës; por së pari mospërputhja e Greqisë me nenin 15 të marrëveshjes. Ka dhe pala jonë disa mospërputhje në fusha të tjera, kryesisht të natyrës ekologjike, duke mos bër asgjë për ndalimin e ndotjes së lumenjve dhe deteve ―siç citon traktati― të cilët i bashkëndajmë dhe me Greqinë.

Por fakti është fakt: se pala greke nuk i është përmbajtur nenit 15 të traktatit. Madje, ajo kërcënon nëse çështja “Çame” ngrihet si çështje mes palëve. Kjo është dy herë padrejtësi: një herë në raport me traktatin; dhe një herë tjetër kur premtojnë se do të shfuqizojnë ligjin e luftës. Kundrejt këtyre dy padrejtësive pala jonë flet vetëm për ligjin e luftës! Si duket, traktatin nuk e lexon! Por edhe ligjin e luftës e përmend sa për të kënaqur naivët në qendrime publike dhe nuk e përfshin në ndonjë paketë “negociatash”. 

Kështu, pala jonë pranoi të shtynte një marrëveshje të cilës pala greke nuk i përmbahet dhe pala jonë nuk e përmend këtë fakt! Arsyet i kam treguar në vend tjetër dhe këtu po përsëris veten: sepse ne vazhdojmë të jemi të varur nga Athina, si pasojë e orientimit tonë për t`u integruar në BE dhe globalizmin neoliberal.

Në këtë orientim ka përgjegjësi dhe populli ynë; si populli që mbështet partitë neoliberale të tipit “PS” dhe “PD” ashtu dhe ai që nuk merr pjesë në votime. Madje i njëjti popull beson se me orientimin tonë ne do të mund të “sfidojmë” Greqinë për çështjen “çame”. Por faktet tregojnë të kundërtën: Greqia jo vetëm që nuk i përmbahet marrëveshjes lidhur me pasuritë e shtetasve tanë por po përparon dhe zgjerimin e ujërave detare―pikërisht sepse janë krijuar kushte varësie kundrejt Greqisë. Kjo varësi s`ka për të ndryshuar kurrë me orientimin tonë; madje ajo do të rritet siç po rritet në raport me Serbinë falë “Ballkanit të Hapur” të Uashingtonit dhe Bruskelit.        

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA