...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Greqia përparon me zgjerimin e ujërave detare në Jon ndërsa zbulohet loja e pistë e Ramës

Veprimet greke përputhen me të drejtën ndërkombëtare —për të drejtën e çdo shteti të zgjerojë ujërat detare deri në 12 milje— por vetëm kur kjo e drejtë nuk cënon të drejtat e një vendi fqinj

Ylli Përmeti

27/12/2020 - 21:21

Mediat greke raportojnë se ka hyrë në fuqi dekreti presidencial sipas të cilit mbyllen gjiret dhe vendosen bazat e linjave të drejta në zonën detare dhe ishujve të Jonit deri në kepin e Tenaros në Peleponez, pas publikimit të tij në fletoren qeveritare. Ky veprim sjell një hap më pranë përfundimin e procesit për zgjerimin e zonës detare prej 12 milje në Jon. Hapi përfundimtar është votimi i dekretit presidencial nga kuvendi.

Në fakt, është vendosja e bazave për linja të drejta që mbyll gjiret përkatës nga ku do të fillojë të maten 12 miljet. Ministria e jashtme greke në deklaratën e saj lidhur me dekretin presidencial theksonte se Greqia ruan të drejtën e saj për t`u zgjeruar dhe në zona të tjera detare duke nënkuptuar zonën detare në juglindje të vendit për të cilën Turqia ka dekalruar se nëse ajo vepron kështu, për të do të ishte “shkak lufte” (“casus belli”).

Veprimet greke përputhen me të drejtën ndërkombëtare —për të drejtën e çdo shteti të zgjerojë ujërat detare deri në 12 milje— por vetëm kur kjo e drejtë nuk cënon të drejtat e një vendi fqinj. Gjykuar nga vendodhja e ishujve dhe bazat e linjave të drejta që vendos Greqia në ishujt e Jonit, nga ku fillojnë 12 miljet, është e qartë se ato cënojnë të drejtat tona. Përpara këtij veprimi, qeveritë e Athinës dhe Tiranës janë pajtuar se do të shkojnë në gjykatën ndërkombëtare për ta zgjidhur çështjen.

Por siç kam treguar në një studim, qeveria “Rama” nuk mund të përballet me presionin —për të cilin kanë folur autoritetet greke, se do të përdorin një lloj ‘presioni’ të cilit nuk do të mund t`i rezistojë Tirana— sepse ka zhvilluar “armë” gjeopolitike të tilla që detyron qeverinë tonë t`i përgjigjet kërkesave greke me “signor si”, sidomos në kushte kur populli nuk është dijësuar drejtë për çështjen nga media kombëtare dhe çensuron të vërtetën e madhe: gjeopolitikën greke në rajon.

Gazeta greke zbulon mashtrimin më të madh historik të Ramës, Metës dhe Bashës lidhur me detin Jon

Dhe nëse akuza e Henzen, këshilltarit politik të Merkelit, se Rama është takuar me nacionalistët grekë në shkëmbim të ndonjë dhurate, kuptohet se pse Rama mbështet gjysëm të vërtetën greke: se ajo është në të drejtën e saj sipas të drejtës ndërkombëtare! Kjo e “vërtetë” është gjysmë e vërtetë sepse nuk përmend pjesën tjetër të të vërtetës: “kur nuk cënohen të drejtat e fqinjit”. Kjo është arsyeja se pse shkojnë dy vende në gjykatën ndërkombëtare: për të barazuar të drejtat. Rama dhe kasnecët e tij, nuk e përmend këtë pjesë të të vërtetës!

Pse? Ose sepse është pa dije ose se pse mbështet propagandën greke në shkëmbim të pushtetit dhe mbështetjes për t`u integruar në BE. Po opozita e Berishës, Bashës, Nishanit e të tjerë pas tyre, pse nuk e thonë gjithë të vërtetën, duke filluar nga presioni që pësoi qeveria “Berisha” nga qeveria Karamanli për nënshkrimin e marrëveshjes dhe kushtet gjeopolitike që kishte krijuar Greqia në raport me vendin tonë të udhëhequr nga Berisha dhe idiotët e PS-së, të cilët mundësonin presionin, dhe duke ardhur në kushtet aktuale, gjeopolitike dhe juridike, për të cilët duhet të flisnin! Por nuk flasin duke proceduar nga kjo logjikë! Por kapen pas ngjarjeve flagrante të Ramës për përfitime partiake dhe pushtetore. 

Rama vizitën në SHBA e justifikoi me sigurimin e vaksinave për popullin. Ja se çfarë citon ai ndërsa e shoqëron “përpjekjen” e tij me një fotografi me përfaqësuesin e një korporate farmaceutike:

Takimi pozitiv me bosin e Pfizer, Albert Bourla, në qendrën e kompanisë prodhuese të vaksinës në Nju Jork, përmbylli komunikimet tona të kësaj vizite kërkimore për të siguruar vaksinën për Shqipërinë - një sfidë e jashtëzakonshme në kushtet e një kërkese globale marramendëse. Prodhimi është ende shumë më i ulët se sa kërkesa botërore! Por ambicia jonë është mos mbetemi mbrapa në radhën e stërgjatë të shteteve që kërkojnë vaksinën! Përveç kanalit të sapohapur për vaksinën Pfizer do hapim në vijim edhe kanalet për vaksinat Moderna dhe Astrazeneca. Ambicia jonë është që brenda dy muajve të parë të vitit të ri të nisim vaksinimin! Duket e pamundur po ne do t'ia dalim,pavarësisht vështirësisë së skajshme në këtë situatë për të gjithë, ku sidoqoftë vendet më të vogla e me të ardhura më të ulëta janë dhe më të dizavantazhuarat!

Rama e ka bërë të udhës —duke ndjekur praktikat e pista të Berishës por duke i shumëfishuar ato— të takojë pa protokoll shumë antishqiptarë: që nga priftërinjtë dhe politikanët grekë deri te të ngjashmit e tyre në Serbi, Itali (me të fundit Konten, i cili i kërkoi Ramës gjuhën italiane të detyrueshme në shkollat e mesme meqë vetëm kështu ulet kostua e ndërmarrjeve italiane që veprojnë në Shqipëri dhe përparohet projekti italian për t`u zgjeruar në Ballkan...) Turqi e vende të tjerë. Janë disa dhjetra takime pa protokoll!

Në SHBA, një herë tentoi Trampi të bisedonte pa protokoll me Putinin dhe Uashingtoni brufulloi me të drejtë për muaj me radhë ndërsa në vendin tonë asnjëri nuk flet! Pse? Sepse së pari nuk është përkufizuar puna e kryeministrit me ligj (Neni 102 i Kushtetutës për Kryeministrin përmend vetëm përgjegjësitë e tij në raport me institucionet e brendshme dhe takimet me të huajt ia ka lënë dëshirës së kryeministrave!) dhe së dyti populli ynë është matufosur thuajse i tëri. Kush e ka hartuar ligjin? Kasnecët e Berishës dhe Ramës. Kush e ka miratuar? Dihet se kush! Ja si zbulohet qëllimi dhe karakteri kriminal i hartuesve dhe miratuesve që në ligj. Por pavarësisht se mungon përkuzimi në Kushtetutë, prokuroria ka dispozita që e detyron të hetojë veprimtarinë e Kryeministrit. Pse nuk vepron?!     

Bashkë me popullin në errësirë janë dhe universitetet dhe “ekspertët”-parazitë të tyre. Por edhe nëse do të ishin ndriçuar, do të heshtin përballë një qeverie të korruptuar siç kanë heshtur prej vitesh! 

Kritika e Rexhep Qoses, për shembull, një akademik që është më i lirë se akademikët e Tiranës në kritikë, sepse nuk varet nga qeveria “Rama”, tregon “ujqërit” por jo gjurmët që çojnë tek foletë e “ujqërve”! Kështu ndërsa quan regjimin e Berishës “autokraci blegtorale”, për arsyet e tij, dhe ka mbështetur qeverinë aktuale, pasi kuptoi se Greqia po përparonte me synimet e saj, tregon sërish “ujqërit” dhe jo gjurmët: “nuk kemi ditur dhe nuk kemi pritur se edhe mbas turpit me të cilin e kishin shënuar përgjithmonë veten Esat Toptani dhe Ahmet Zogolli duke i falur tokë kombëtare e sovranitet kombëtar pushtuesit serb dhe malazez, do të kemi aq pushtetarë, dhe aq çerekintelektualë, dhe aq çerekakademikë, që pa aspak brejtje të ndërgjegjes do t’i falin Greqisë tokë e dete të Shqipërisë e do t’i falin Malit të Zi tokë të Kosovës, duke cenuar kështu jo vetëm pasuritë natyrore po edhe sigurinë e tyre!

Kjo qasje —që tregon vetëm simptomat dhe jo shkaqet— krijon një tjetër iluzion se një tjetër, më trim dhe më sfidant, do të sfidojë synimet e Greqisë dhe vendeve të tjerë në Shqipëri. Për një akademik që përfshihet në jetën politike të vendit kjo është e pafalshme: sepse është detyra e një akademiku të tregojë së pari shkaqet pastaj simtomat. Alarmi që kam vënë prej vitesh tashmë, ku tregoj pikë së pari shkaqet dhe pastaj pasojat, si duket nuk ka shkuar në sytë e Qoses!      

Studimi:

Papërgjegjshmëria kriminale e klasës politike, akademike dhe gazetareske lidhur me detin Jon        

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA