...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Harrimi i padrejtësive ndaj shqiptarëve nga qeveria “Rama” në OKB dhe nevoja për protesta

Si Hoxha ashtu dhe Rama, nuk përmendën asnjë plan për përfshirjen e padrejtësive që ushtrohen ndaj shqiptarëve në vendet fqinje.

Ylli Përmeti

03/06/2022 - 17:05

Në ditën e parë të marrjes së kryesisë së Këshillit të Sigurimit në OKB, pas 66 vjetësh si anëtar në të, përfaqësuesi ynë atje, Ferit Hoxha, tha:

“Nuk mundemi dhe nuk duhet të familjarizohemi me mosndëshkueshmërinë. Ka një urgjencë për të vepruar tani dhe në emër të viktimave të panumërta të konflikteve të pakuptimta. Flas për gratë e përdhunuara në Kosovë, për nënat e pikëlluara të Bosnjes, për fëmijët e Ukrainës, për viktimat e panumërta në Trigrej, për pakicën Hazara në Afganistan, për Jazidët në Irak, për komunitetin Roghingjia, për të burgosurit politikë në Mjanmar dhe Sudan, për të burgosurit në Siri, për të gjithë gazetarët që kanë humbur jetën në krye të detyrës. Për këdo, kudo, që u janë mohuar të drejtat, që u është shkatërruar e ardhmja, që u janë thyer ëndrrat nga abuzimi”.

Përfaqësuesi ynë, në fjalë të tjera, nuk përmend asnjë padrejtësi ndaj shqiptarëve që banojnë në vendet fqinje, të karakterit politik dhe gjeopolitik, por përpend vetëm një padrejtësi të karakterit shoqëror: për gratë e përdhunuara në Kosovë. Ndërsa për këtë çështje ai mashtron popullin dhe ndoshta dhe ata që e dëgjonë në OKB, sepse me qasjen e tyre ligjore për të ndaluar përdhunimin e femrave shqiptare në veçanti dhe femrave në përgjithësi, s`kanë për të dalë kurrë faqebardhë, meqë nuk e zgjerojnë atë në edukimin shkollor dhe shoqëror, një ditë më pas në OKB foli Rama.

Fjala e tij zgjati rreth 9 minuta. Në të përmendi disa padrejtësi duke filluar me Ukrainën dhe duke përfshirë dhe padrejtësinë e dhunimit të grave në Kosovë gjatë spastrimit etnik të Serbisë. Kryefjala e tij ishte llogaridhënia, drejtësia, përgjegjshmëria. Madje kjo e fundit, sipas tij, sjell përgjegjshmëri dhe “përgjegjshmëria çon në veprim. Veprimi përforcon drejtësinë. Drejtësia kontribon në paqe. Pa llogaridhënie të fortë dhe efektive normat dhe vlerat e përbashkëta do të shuhen”. Më tej ai shtoi se “nuk duhet të lëmë shkeljet të bëhen normë. Shkelësit duhet të mos kenë vënd në botën tonë, po vetëm pas hekurave, si Slobodan Milosheviçi e të tjerë”.

Gjithë argumenti i tij nënkuptonte nevojën për të dënuar Putinin përmes të drejtës ndërkombëtare. Kjo është një propagandë që po e përdor kryesisht Uashingtoni dhe nuk mbështetet as në fakte as në arsyetim juridik. Pak më herët ai parashtroi politikën e jashtme të Shqipërisë në OKB; sipas tij:

“Mbështetja e ligjit ndërkombëtar, mbrojtja dhe promovimi i Kartës së OKB-së për të drejtat e njeriut dhe mbështetja e sistemit të OKB-së dhe multilateralizmit janë thelbi i politikës së jashtme të Shqipërisë. Ato janë gjithashtu prioritetet kryesore të mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit”.

Ndërsa multilateralizmi ose marrëveshjet shumëpalëshe janë pasojë e politikave neoliberale dhe qendron kundër bilateralizmit ose marrëveshjeve dypalëshe, të cilat përdoren nga shtete të pavarura politikisht, si Rusia dhe Kina, dhe jo nga shtete të varura ndaj Uashingtonit si Shqipëria, llogaridhënien e lidhi dhe me urinë që po i kanoset botës sonë duke shënjestruar Rusinë. Në fakt, kanosja me uri shkaktohet nga politikat neoliberale për të cilat Rama dhe idiotët e tjerë të establishmentit tonë politik “vdesin”: me braktisjen e zhvillimit të burimeve tona ekonomike dhe varësinë tonë ekonomike nga tregu botëror.

Kështu, si Hoxha ashtu dhe Rama, nuk përmendën asnjë plan për përfshirjen e padrejtësive që ushtrohen ndaj shqiptarëve në vendet fqinje. Rama, në fakt, është hipokrit sepse kur ishte kryetar i OSBE-së, e cila, si organizatë synon sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropë dhe ka për detyrë të përparojë qendrueshmërinë, paqen dhe demokracinë...përfaqësuese, duke përfshirë dhe të drejtat e pakicave kombëtare, dhe shkoi në Kiev, nuk ia përmendi qeverisë “Zelenski” politikat nacionaliste. Madje, si kryetar i OSBE-së nuk u dëgjua nga goja e tij as ndonjë shqetësim për padrejtësitë ndaj shqiptarëve!

Arsyeja kryesore, se pse nuk i përmend padrejtësitë e vendeve fqinje, si në Serbi dhe Greqi, pa lënë në harresë shqiptarët e Malitëzi dhe Maqedoninë Veriore, ndaj shqiptarëve, për të cilat shumë institucione ndërkombëtare janë në dijeni, lidhet me “strategjinë” e Uashingtonit dhe Brukselit: harrimin e të kaluarës tonë dhe përparimin e Ballkanit të Hapur apo Procesin e Berlinit. Por ndërsa Uashingtoni dhe Brukseli shikon interesat e tij gjeopolitike në rajon, ne e kemi për detyrë që t`i kërkojmë qeverisë sonë që padrejtësitë që ushtrohen ndaj shqiptarëve në shtetet fqinje jo vetëm t`i përmendim por t`i kemi plan-pune për t`i zgjidhur. Një nga institucionet kryesore që ndihmon në këtë drejtim, është Këshilli i Sigurimit në OKB.

Ndaj ngaqë mundësia për ta kryesuar atë nuk na vjen për të paktën për 66 vitet e ardhshme, ne duhet të kërkojmë nga qeveria “Rama” që padrejtesitë që ushtrohen ndaj shqiptarëve të zgjidhen. Vetë qeveria në fjalë s`ka për të vepruar, kryesisht sepse zbaton “strategjinë” që përmenda më herët. Kështuqë nevojitet një protestë masive e cila të kërkojë pikë së pari zgjidhjen e genocidit të heshtur që po ushtrohet nga Beogradi ndaj shqipatrëve në Luginën e Preshevës dhe të shtrojë rrugën për zgjidhjen e padrejtësive të tjera siç janë padrejtësitë që ushtrohen nga Athina ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Nëse ia imponojmë kërkesat tona qeverisë “Rama” me shumë gjasa çështja e genocidit të heshtur nga Beogradi do të zgjidhet: sepse do të ndërkombëtarizohësh si çështje. Vetë ‘ndërkombëtarizimi’ i saj do të detyrojë Beogradin të heqë dorë nga politikat represive ndaj shqiptarëve, sepse hetimi i rastit nga një komision i OKB-së, të cilin duhet ta kërkojë qeveria “Rama” gjatë këtij muaji, si nevojë për vërtetimin e pretendimit tonë, do ta vendoste atë në “binarë” dhe do të shtronte rrugën për të drejtat e shqiptarëve në vendet e tjerë fqinje. 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA