...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Hipokrizitë e popujve dhe qeverive: “ngushëllimet” pas “aksidenteve”, qendrim shtirës dhe kriminal

Por nga të gjitha këto hipokrizi, më e madhja dhe më kriminalja është ajo që përdoret nga qeveritë dhe elitat në përgjithësi: kur “ngushëllojnë” popullin pas vrasjeve që shkaktojnë vetë qeveritë dhe elitat!

Ylli Përmeti

28/07/2021 - 08:48

Nuk ndryshon populli zakonet e këqij po s`ia vure në dukje! Për shembull, të gjithë besoj përballemi me zakonin e keq kur takohemi me ndonjë mik apo shok dhe pa shkëmbyer asnjë pyetje të natyrës “si je”, flet zakoni i keq: “po ti qënke dobësuar” apo “shëndoshur” apo të janë “rritur veshët, flokët etj.”! Ky zakon i keq mund të shkaktojë një lloj thartimi apo qoftë edhe dhimbje nëse njeriu në fjalë synon të kundërtën: për shembull, të “shëndoshet” në vend të “dobësohet” apo e kundërta.

Por ky zakon nuk është gjë përpara zakonit tjetër: “ngushëllimit”! Kur na vdes një njeri i afërm, për shembull, ne shkojmë në familje dhe e “ngushëllojmë” me thënie të tipit “të rrojnë fëmija”; “për të mira e gëzime”; apo thjesht “ngushëllime”. Pas këtij veprimi “dorovisim” sipas parimit: “sa më hodhi aq i hedh”! Ndonjëri mund të ndryshojë dhe të “hedhë” më shumë apo më pak.

Bëhet fjalë për lekët që “hidhen” në vaje. Pas këtij veprimi mbaron “ceremonia” e ngushëllimit dhe kthehemi në shtëpi. Ky zakon i keq nuk është kritikuar ndonjë herë në djeninë time. Fjalori ynë fjalën ‘ngushëlloj’ e sqaron si vijon:  “përpiqem t`i lehtësoj dhembjen a hidhërimin dikujt duke i dhënë zemër me fjalë të mira; i jep zemër për të përballuar një fatkeqësi. Ngushëlloi mikun (shokun). E ngushëlloi me fjalë të mira”.

Pa ‘përpjekje’, në fjalë të tjera, nuk mund të ngushëllohet një njeri. Ne, sipas zakonit që përmenda, nuk ‘përpiqemi’ fare kur “ngushëllojmë” dikë me thëniet e tipit “për të mira dhe gëzime”. Ne thjesht urojmë! Megjithatë, fakt është se njeriu nuk ngushëllohet thjesht nga “fjalët e mira” siç sqaron fjalori. Por ai ngushëllohet kryesisht duke sjell në kujtesë jetën e të ndjerit. Në këtë mënyrë njeriut në dhimbje i “zbavitet” kujtesa dhe ngushëllohet.

Urimi më ngushëllues, rrjedhimisht, është: “qoftë kujtimi i tij ngushëllim për ju”. Por pasi të jetë ngushëlluar sipas kuptimit që sqarova: të jetë kujtuar jeta e tij, me të mirat dhe të këqijat e tij. Në këtë mënyrë njeriu në dhimbje vërtet ngushëllohet në shpirt për njeriun që ka humbur. Nëse përpiqemi në këtë drejtim, ne e kuptojmë më mirë njeriun në dhimbje dhe braktisim zakonin e keq të urimeve pa përpjekje dhe me bazë “i hodha sa ç`më hodhi”. Ndaj urimi pa përpjekje është tërësisht hipokrit: sepse ai nuk ngushëllon por thjesht veprohet sipas zakonit që është krijuar.

Vajet tona kanë krijuar dhe një hipokrizi apo zakon tjetër me qarjen e të vdekurve: kur familjarët nuk e qajnë dot të vdekurin, emërojnë një grua tjetër që ta qajë me...kuje! Kjo është hipokrizi sepse gruaja apo burri tjetër nuk qan për shkak të dhimbjes por për “të vënë kujen” dhe ta dëgjojë fshati apo komuniteti. Ky zakon është braktisur deri diku. Por në disa fshatra vazhdon të mbijetojë!

Por nga të gjitha këto hipokrizi, më e madhja dhe më kriminalja është ajo që përdoret nga qeveritë dhe elitat në përgjithësi: kur “ngushëllojnë” popullin pas vrasjeve që shkaktojnë vetë qeveritë dhe elitat! Pak ditë më parë ndodhi “aksidenti” në Kroaci me një autobus ku u vranë disa njerëz dhe të tjerë u plagosën. Menjëherë pas “aksidentit” shpërthyen “ngushëllimet”, si nga qeveria “Kurti” ashtu dhe nga të tjerët. Ata shprehnin “ngushëllimet” e tyre të “tronditur” dhe e shpallën ditën “ditë zie” ndërsa asnjëri nuk përmendi parandalimin e “aksidenteve”!

Në rastin në fjalë, ai ishte “aksident” i shkaktuar nga shoferi, sepse, siç pohoi ky i fundit, e zuri gjumi në timon. Çfarë do të bënte një qeveri e “tronditur” për të parandaluar “aksidente“ të tillë? Do të krijonte një ligj sipas të cilit shoferët të testohen për gjendjen e tyre mendore dhe shëndetësore përpara se të kapin timonin me dorë, dhe do të mbikqyrte zbatimin e tij. Disa shtete kështu veprojnë dhe për të njëjtën arsye: për të parandaluar “aksidentet”. Por qeveria dhe elita jonë u mjaftua me “ngushëllime” nga “facebook-u”!

Një arsye tjetër se pse qeveria dhe elita është shkaktare për “aksidentet” rrugore, janë politikat neoliberale. Domethënë, braktisja e punësimit të plotë në atdhe dhe lejimi i lëvizjes së lirë të njerëzve mes shtetesh. Në këtë mënyrë popujt janë të detyruar të ndërmarrin udhëtime të gjata dhe të shpeshta nga një vend në tjetrin. Dhe sa më shpesh të udhëtojnë njerëzit aq më shumë shtohen mundësitë e “aksidenteve”. Ja pse fjala “aksident” futet në thonjëza: sepse nuk janë “aksidente”. Por ngjarje të shkaktuara nga qeveritë dhe elitat me politikat e tyre.

Duke ditur shkaqet, çfarë do të bënte një qeveri e “tronditur”? Do të luftonte shkaqet! Por ajo as që i kundron ata. Ajo thjesht “ngushëllon” përmes rrjeteve sociale dhe bën sikur “tronditet” ndërsa i lë parakushtet e krijuar nga ajo për “aksidente” të pandrequr dhe përgatitet për “ngushëllimin” e radhës! Njësoj veprojnë me ngjarjet e tjera: nga përmbytjet deri tek djegiet masive të pyjeve dhe jetës që na rrethon! Më e dhimbshme është se “ngushëllimet” e elitave dhe qeverive “pëlqehen” nga mijëra mbështetës! Hamendësisht sepse s`kanë kuptuar asgjë as nga shkaqet e “aksidenteve” dhe as nga “ngushëllimet”.

Jetojmë në mes të hipokrizë dhe mbështesim hipokrizinë!                

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA