Ideja e Ramës me “shtetin bektashi” trondit themelet e shtetit modern shqiptar: implikimet juridike dhe gjeopolitike
“Ideja” është kuturiare, të thuash të drejtën, dhe dëmton jo vetëm Shqipërinë si shtet dhe shqiptarët si komb por dhe Ramën dhe Mondin.
Ylli Përmeti
24/09/2024 - 14:22
Njoftimi se Rama do të krijojë një “shtet bektashi” brenda shtetit shqiptar, shkaktoi “valë njoftimesh” në rajon (Turqi, Greqi etj.). Media turke filloi të dyshonte për “idenë” e krijimit të “shtetit bektashi” dhe e lidhi atë me Izraelin. Madje disa thonë se sipas planit “shteti bektashi” do të ketë një “shërbim sekret” dhe jo ushtri dhe gjykatë.
Kryefutjakoti kundërveproi dy ditë pas njoftimit të NJT me një shkrim të shkurtër dhe u mundua ta përligjtte idenë e tij jo vetëm me arsyetimin se baktazhizmi ka patur një rol “në fatet e kombit dhe shtetit tonë” por dhe sfidat me të cilat përballet si fe por…pa përmendur ndonjë implikim si në raport me fetë e tjera ashtu dhe në raport me ndryshimin e karakterit të shtetit tonë dhe kundërveprimet e vendeve të tjerë.
“Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për tolerancë e besim, një dorë të shtrirë miqësie drejt njëri-tjetrit. Mos u gaboni, me tolerancë nuk nënkuptoj vetëkënaqësi. Toleranca kërkon që të shkojmë përtej zonave tona të rehatisë dhe jo thjeshtë të tolerojmë, por të tolerojmë me respekt në mënyrë aktive, me hijeshi. Jo thjeshtë duke pranuar këndvështrimet e tjetrit, por duke u angazhuar në mënyrë konstante me kompleksitetin e të gjithë historive tona. Për ne shqiptarët toleranca nuk është thjeshtë pranimi pasiv e jo fort me qejf i divesitetetit të dikujt.”, tha kryefutjakoti në OKB.
Përtej gabimeve trashanike drejtshkrimore dhe kuptimit të tij të “tolerancës”, “ideja” ose “projekti”, siç e quajnë disa të tjerë, është amerikan. Për këtë mëtim na mjafton fakti se raporti u botua për herë të parë në Nju Jork Tajms (ajo gazetë është kthyer në “megafon” të qeverisë “Bajden” prej kohësh) dhe qëllimi` krijimit të “shtetit” në fjalë, të cilin e përmend Rama në raport: të minojë “intolerancën” fetare të Iranit dhe përgjithësisht të Lindjes së Mesme.
Është, në fjalë të tjera, projekt gjeopolitik amerikan ose një “lojë” tjetër amerikane pavarësisht se përputhet me qëllimin e Izraelit sionist për të dobësuar vendet fqinje në rajonin e tij. Nga raporti` NJT kuptohet, gjithashtu, se “ideja” është biseduar gjatë në qarqet e ngushta politike të Uashingtonit dhe Tiranës. Ndaj dhe nuk do të ishte e çuditshme që në ditët në vijim “projekti” të mbështetet nga DASH-i. Por “ideja” është kuturiare, të thuash të drejtën, dhe dëmton jo vetëm Shqipërinë si shtet dhe shqiptarët si komb por dhe Ramën dhe Mondin.
Dy janë pasojat kryesore, të dëmshme: njëra lidhet me shoqërinë tonë ndërsa tjetra me vendet e Lindjes së Mesme ku Turqia ka rëndësinë më të madhe për ne. Lidhur me shoqërinë tonë, ajo do të reagojë jo vetëm sepse themeluesit e shtetit tonë modern si Naimi e të tjerë ishin bektashinj dhe nuk guxuan kurrë të kërkonin një shtet sovran për veten e tyre, brenda shtetit shqiptar (Naim Frashëri po përdoret dhe do të përdoret nga Rama dhe mbështetësit e tij për të përligjur përpjekjen, duke shtrembëruar dhe mendimin e tij, sepse siç tregon, për shembull, studimi` Albert Dodjes, “Naim Frashëri midis Bektashizmit dhe Shqiptarizmit, “mendimi i tij shkonte përtej bektashizmit në hererodoksinë e tij”), por dhe sepse nisma minon karakterin e shtetit tonë (“Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm”, Neni 1, pika dy, Kushtetuta e Shqipërisë) dhe sepse mbivendos një fe mbi fetë e tjera, duke nënkuptuar se fetë e tjera nuk janë “tolerante”.
Për më shumë, neni tre i Kushtetutës citon mes të tjerash se shteti shqiptar respekton “bashkëjetesën fetare” ndërsa Neni 208 i Kodit Penal ndalon “dorëzimin” e territorit të Shqipërisë, “plotësisht apo pjesërisht” një “shteti apo fuqie të huaj”. Ka dhe nene të tjerë të Kushtetutës që bien ndesh me qëllimin e tij. Për të krijuar një shtet fetar, në fjalë të tjera, Ramës i duhet të ndryshojë si Kushtetutën tonë ashtu dhe Kodin Penal por dhe karakterin e shtetit.
Për ndryshimin e Kushtetutës i duhen “jo më pak” se 94 vota në kuvend ose “jo më pak se dy të tretat e gjithë anëtarëve të tij” (neni 177). Nëse ai siguron votat përkatëse ka mundësi të ndryshojë dhe Kodin Penal dhe karakterin e shtetit. Por jam i sigurt se edhe Vatikani do ta kundërshtojë përpjekjen e tij, e jo më populli ynë: për të njëjtën arsye, sepse do të minonte karakterin e fesë së tij; dhe jam i sigurt, gjithashtu, se fetë e tjera në Shqipëri do të kundërveprojnë. Ato do të ndihen të fyera dhe jo të barabarta ose më të ulëta se feja bektashiane. Pikërisht për të njëjtën arsye ―se feja bektashiane përzgjidhet si fe më e mirë se të tjerat― do të kundërshtojnë shtetet e Lindjes së Mesme dhe nuk do të ishte e çuditshme që të prisheshin marrëdhëniet me to, sidomos me Turqinë. Por dëmi më i madh do të jetë lidhur me ―siç përmenda― minimin e karakterit të shtetit tonë: pandashmërinë e tij dhe barazinë e feve.
Këto janë disa nga pasojat kryesore që pëson Shqipëria nga nisma e Ramës dhe parë nga një qasje më e gjerë, gjeopolitike, në kuptimin e qëllimit të nismës, për të minuar “intolerancën” e Iranit dhe shteteve të tjerë në Lindjen e Mesme, ajo është e dështuar pa filluar zbatimin: së pari, sepse nuk dimë se sa anëtarë ka si fe. Por mund të hamendësojmë nga veprimtaria e tyre kur therin kurbane në vende të shenjtë (Tomorr etj.): disa mijëra. Por nuk mjaftojnë për të përligjur “shtetin e ri”; madje do të binte ndesh dhe me një nen tjetër të kushtetutës: se “Republika e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare” (neni 10).
Dhe së dyti, sepse shteti ynë do të zbatonte një politikë që kanë zbatuar sulltanët e perandorisë otomane. Mosditja e anëtarësisë së saj, krijon kushtet për ftimin e popujve të tjerë nga Lindja e Mesme, me qëllim përligjjen e shtetit përkatës―të popujve që ndihen të shtypur atje. Disa numra mund të plotësohen me afganët që strehon vendi ynë vitet e fundit por janë të pamjaftueshëm. Kështuqë lind nevoja e joshjes apo sjelljes së popujve të tjerë nga Lindja e Mesme dhe kështu vendi ynë të kthehet vërtet një “parajsë” për popujt e shtypur të Lindjes së Mesme dhe të përdoret nga Uashingtoni dhe Izraeli si “shembull” për të minuar “intolerancën” e Iranit dhe shteteve të tjerë të Lindjes së Mesme.
Por në këtë proces Shqipëria do të ketë humbur mbështetjen e Turqisë dhe vendeve të tjerë të Lindjes së Mesme dhe do të paraqitet si “sulltanati” i parë në botën moderne me një shtet fetar brenda shtetit. Pasoja tjetër do të jetë lidhur me Ramën: ai do të paraqitet si “sulltan” dhe Mondi, ish-oficeri që duket qartë se i mungon urtësia, kur shpreh dëshirën e tij për të patur një shtet sovran fetar brenda shtetit, madje, sipas tij, e meriton feja përkatëse, sepse ka patur disa hoxhallarë sufistë që kanë ndihmuar në zgjimin e shqiptarëve në shekullin e 19 dhe gjatë themelimit të shtetit tonë, kundër perandorisë otomane, pa kundruar fare për implikimet apo pasojat, si një “sufistë” që lufton sjelljet “ekstreme” të muslimanëve anëembanë botës por nuk ngurron të kërkojë ekstremin tjetër, të krijimit të një shteti brenda shtetit por jo në një perandori fetare, si dikur, por në një shtet “modern”!
Në fund, vlen të përmendet fakti se Irani dhe shtetet e Lindjes së Mesme nuk janë shtete armike për Shqipërinë. Ato janë bërë të tilla sepse Rama ka mbështetur gjeopolitikën amerikane në Lindjen e Mesme dhe luftën e Izraelit sionist kundër popullit palestinez dhe fqinjëve të tjerë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 75 reads